Kërko

 Natività, Gesù Bambino, Adorazione dei pastori Natività, Gesù Bambino, Adorazione dei pastori 

24 mendime për Kohën e Ardhjes: e Mërkurja III e Kohës së Ardhjes!

Në të Enjten III të Kohës së Ardhjes, po kujtojmë poezinë e Krishtlindjes në Shqipëri, që tradita të ruhet të paktën në kujtesë të breznive. “Krishtlindje në Shkodër”, shkruar me 1909 nga Atë Pjetër Meshkalla, jezuit.

R.SH. - Vatikan

Krishtlindja, një nga të kremtet më të rëndësishme të vitit po afrohet. Çdo vend, çdo qytet e fshat i botës katolike e pret sipas traditës së vet të lashtë, me simbole, gjeste, ngjyra, tinguj, që vijnë nga kohë që s’mbahen mend!

Kështu njerëzit e kuptojnë më mirë Misterin e ardhjes së Krishtit, e festa shndërrohet në një mesazh vërtetësie e jete.

Edhe populli shqiptar ka traditat e veta të lashta të Krishtlindjes, ndonëse të tronditura rëndë nga sulmet e shekuvje. Po le t’i përtrijmë në kujtesë këto tradita, që janë ruajtur me gjithë bukurinë e tyre vezulluese te lirika “Krishtlindje në Shkodër”, shkruar me 1909 nga Atë Pjetër Meshkalla. Poezia ka vlera përgjithësuese e përshkruan tradita që janë karakteristike për gjithë bashkësinë katolike shqiptare, për qytetet e Veriut, për fshatra e bjeshkët e larta, të mbuluara me dëborë.

Në krye të lirikës, poeti jezuit shënon”Mbas vitit 1909 qeveria turke ... per shkak të lëvizjeve shqiptare për liri (pushka vlonte shpesh e mâ shpesh) i ndaloi disa çfaqje tradicionale “Të Natës së Këshndellave” tue i hjekë diçka poezisë së festës”. Prandaj ai e shikon të arsyeshme t’i këndojë traditës, që të ruhet në kujtesë breznish.

Ta rijetojmë, pra, traditën! Festa afrohet. Ardhjen e saj e kumton kumbona, që me tingujt festivë e melodiozë, hyn ndër shtëpi e ndër kasolle, për të përhapur kudo Lajmin e Gëzueshëm!

Dha lajmin kumbona

Me tinguj argjandi,

Theu muzgun jehona,

Gjith zemrat i trandi:

Vinë festat e lume,

Krishtlindje e bekueme,

me shëndet e me gëzim !

Kumbonat e randa,

kumbonat e lehta,

këndojnë me t’pasë anda,

me notat e veta:

ushtojnë Kumbonaret,

larg zâni përdaret

tue ra papushim!

E ndërsa përhapet vala e harmonishme e tingujve, shpirtrat lartohen ndër sferat e hyjnisë, lind shpresa e ngushëllimit! Çahen retë e zeza e rrezja e shpëtimit u prin njerëzve drejt paqës. Ndërkaq yjet e hëna xixëllojnë në qiell e ndriçojnë malet e zbardhura nga dëbora – e zemrat e pastruara që presin plot fe, Mesnatën e Festës.

Nata bie mbi male, mbi fusha, mbi Qytetin e Veriut! Kërcasin tarabat, mbyllen dyqanet, gra e burra vrapojnë për gjithë anë. Përshëndeten, përgëzohen, urojnë: “Për shumë mot festat e lume, Këshndellat e Bardha; me paqë e me hir të Zotit”. Gjithkush në këtë mbramje dëshiron të mblidhet në shtëpi të vet. Ja si i përshkruan shtëpitë e krishtera natën e festës Atë Meshkalla:

“Plot dritë janë shtëpijat,

plot zjarmi te oxhaku,

pëlcasin dullijat,

luejnë fëmija te praku,

e gratë nuk pushojnë,

pa da vijnë e shkojnë,

vlon puna gjithkund”.

Gratë gatuajnë ushqimin e festës: Laknuer me qepë e ngjalë, ruajtur enkas për këtë natë. Tryezat e familjeve të pasura rëndojnë nga gjitha të mirat - shkruan Atë Meshkalla, duke kujtuar traditat e festës, në familjet mesatare plotësohen dëshirat, por edhe në familjet e varfra, që s’kanë mundur të blejnë asgjë, dikush ka trokitur në portë, në errësirën mistike të natës. Ka lënë një shportë përplot me ushqime e ka shkuar...

Shumë kohë para se të vinte festa, fëmijët kanë filluar plot zell e frymëzim të bëjnë Betlehemin. Të ndjekim Atë Meshkallën:

“Vetë bâna Betlemin

Sa i bukur që m’doli!

S’e ka kush si temin

Në mahallë’n’ “Gjuhadol”

Me dërrasa e pelhura,

me letra e piktura,

Ka kohë që punoj”.

Pak para mesnate, Betlehemi zbulohet. Atëherë gjithë familja rreshtohet te votra në dy gjuj të mëdhenj dhe:

... ngrihet im atë,

Ndezë qirin atëherë,

premton ndonjë uratë

e ulet me tjerë,

në sa na me ngadalë

e flasim pa u ndalë

uratën si ai...”.

Pasi babai ka ndezur qiriun e festës e ka kryer uratën, vjen radha e fëmijëve, që rreshtohen te Betlehemi e me zërin e hollë, melodioz, këndojnë këngë e thonë vjersha, ndër të cilat më e njohura është:

“Sonte në mesnatë, ka lè nji fëmì,

i bardhë e i kuq, për bukurì,

Sytë  e i ka të zez, flokët kaçurrel,

bukurisë së tij s’âsht kush që ia del!

Nana e vet e shuemja s’ka djep me e lidhë,

as shpergà me e pështjellë

e rrin tue u dridhë!”.

E ndërsa fëmijët, në shtëpitë e ngrohura mirë, adhurojnë kështu Krishtin, edhe ndër vatrat e atyre që banojnë ndër jerevia - si Krishti në stan - sbret paqja, një zë i brendshëm u flet shpirtrave, e nga sytë rrjedhin lot:

“Athue janë lot gëzimi,

A por janë lot malli?

O ndoshta âsht pikëllimi

Pse mëlue na ka halli?

Në kët t’shkretë jerevije

Përdhese vorfnije

Si Krishti në stan?

Por çka, Jezun kemi

Ndër zemra të vajtuehsme,

Të ngrohun na jemi,

Me hire t’hyjnueshme:

I drejti, n’kët jetë

Ka pagjë të vërtetë

Që tjerët nuk e kanë”.

Kështu rrjedhin ëmbël orët në shtëpitë që lusin Krishtlindjen. Pastaj akrepat i afrohen mesnatës dhe përhapet përsëri kënga madhështore e kumbonëve. Njerëzit lënë shtëpitë e nisen, sepse:

“I pret Kisha e Madhe,

Krejt mbushë me kandile,

Vijnë radha mbas radhe,

Me tuba familje,

E në Kishë prej pesë portash,

Çdo moshe e gjithë ortash

Mbrendë populli u derdh!”.

Kështu, ndër rrugë qyteti, ndër udhë fshati e ndër shtigje bjeshkësh, të krishterët nisen drejt Kishës.

E Kishat mbushen përplot me popull, me drita, me këngë të mallëngjyeshme, në sa meshtarët, me petka të shndritshme, ngjiten te elteri e temjani lartohet fjollëza – fjollëza drejt qiellit.

Atëherë, si fjollat e temjanit, ngrihet te Ati edhe kënga - uratë e besimtarëve:

“Shkon lart temjani, urata e lirë,

I kangës ushton zâni, me Engjujt e mirë:

“Ka lindun Mesia, vjen pagja, dashtënia!

Lumni të Naltit Zot!”

E ndërsa në elter këndohet” Lumnì Zotit në qiell e paqë mbi tokë njerëzve vullnetmirë”, në oborr të Kishës vlojnë të shtënat e pushkëve të festës. Pastaj, në ag të dritës, ndër male, nga një shtëpi e caktuar që më parë, ndjehen pesë të shtëna të forta pushke, që japin lajmin e mirë se ndër ato male të egra ka lindë një Djalë! Ka lindë Djali i të gjithë malsorëve, i tërë nënave, i mbarë njerëzimit: Jezu Krishti!

Këto ishin disa kujtime - poezi e tradita, nga Krishtlindjet e kaluara, që meritojnë të kujtohen e të përtrihen edhe në kohët tona, në shoqërinë tonë të sëmurë e të plagosur, ndonëse duket plot gjallëri e triumf në etjen e saj për mirëqenie.

Shoqërisë së sotme që rend drejt dëfrimit, drogës, fitimit, luftës, drejt kultrës së vdekjes, Krishti çdo vit vjen t’i kujtojë se ai ishte, është, do të jetë: “Rruga, e Vërteta, Jeta!”.

17 dhjetor 2020, 09:40