Kërko

Raporti McCarrick, faqe e dhimbshme, mësim për Kishën

Selia e Shenjtë botoi Raportin mbi çështjen e ish-kardinalit, kryeipeshkëv të Uashingtonit, përjashtuar nga statusi klerikal. Parolin: të nxitur nga kërkimi i së vërtetës, që gabimet e së kaluarës të mos përsëriten më

R.SH. - Vatikan

U bë i njohur sot, Raporti mbi njohjen institucionale dhe procesin e vendmimarrjes së Selisë së Shenjtë lidhur me ish-kardinalin Theodore Edgar McCarrick, i cili u hartua nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit, me mandat të Papës. Është tekst voluminoz, ku përfshihen dy vite punë.

 Raporti është fryt i impenjimit të Papës Françesku për të hetuar tërësisht çështjen McCarrick, fajtor për abuzim seksual ndaj të miturve dhe të rriturve, gjë, që e shqetësoi jashtëzakonisht bashkësinë katolike amerikane. Nga ky Raport dalin në pah disa pika themelore. E para ka të bëjë me gabimet e bëra, që i dhanë mundësi një personi përgjegjës për krime të tilla të arrinte deri në shkallët më të larta të hierarkisë kishtare: gabime, të cilat tashmë, kanë çuar në miratimin e normave të reja në Kishë, për të shmangur përsëritjen e kësaj historie. Një element i dytë ka të bëjë me faktin se, deri në vitin 2017, mungonin akuza të hollësishme për abuzimin e fëmijëve, kryer nga McCarrick. Akuza e parë e tillë daton pikërisht para tre viteve e çoi në hapjen e menjëhershme të procesit kanonik, që përfundoi me dy vendimet e mëpasme të Papës Françesku, i cili, fillimisht, i hoqi McCarrick kësulën e purpurtë të kardinalit e pastaj, e përjashtoi  nga statusi klerikal.

Ky rast është një faqe e dhimbshme, nga e cila ka marrë mësim e gjithë Kisha. Vërtet, pikërisht në dritën e kësaj ngjarjeje, pas Takimit për mbrojtjen e të miturve në shkurt 2019, Papa Françesku mori menjëherë masa më të rrepta, ndër të cilat edhe heqjen e sekretit papnor për rastet e abuzimit seksual.

 “Siç mund të shihet nga volumi i raportit dhe nga sasia e dokumenteve dhe e informacioneve të përfshira në të, jemi nxitur nga kërkimi i së vërtetës”, pohon në një deklaratë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili shton: “Dhimbja shoqërohet me një këndvështrim shprese. Që këto fenomene të mos përsëriten, krahas normave më të frytshme, kemi nevojë edhe për kthesën e zemrave. Kemi nevojë për barinj të besueshëm, që kumtojnë Ungjillin. Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo është e mundur vetëm me hirin e Shpirtit Shenjt, duke besuar në fjalët e Jezusit: ‘Pa mua nuk mund të bëni asgjë’”.

10 nëntor 2020, 14:01