Defunti  e Cristo Risorto Defunti e Cristo Risorto 

2 nëntor, ta shikojmë vdekjen në Ngjalljen e Krishtit

Mbarë Kisha më 2 nëntor i përkujton me lutje drejtuar Zotit, besimtarët e vdekur. Prandaj, Kisha na fton ta shikojmë vdekjen në Ngjalljen e Krishtit. Besimtarët shkojnë në varreza, ku nderojnë të dashurit e tyre, duke iu lutur që Zoti t’u japë pushimin e pasosur dhe dritën e pambaruar

R.SH. - Vatikan

Më 2 nëntor, një ditë pas kremtimit të Gjithë Shenjtorëve, kalendari liturgjik i Kishës na fton të përkujtojmë besimtarët e vdekur – apo siç njihet tek shqiptarët “Dita e të shuemve”, t’i lutemi Hyjit për ta, të cilëve u kushtohet gjithë muaji nëntor në vijim.

Pra, më 2 nëntor Kisha i përkujton me lutje drejtuar Zotit, besimtarët e vdekur dhe na fton ta shikojmë vdekjen në Ngjalljen e KrishtitBesimtarët shkojnë në varreza, ku nderojnë të dashurit e tyre, duke iu lutur që Zoti t’u japë pushimin e pasosur dhe dritën e pambaruar. E në këtë ditë, kur kujtojmë të dashurit tanë, që nuk janë më mes nesh, na ngushëllon zëri i Kishës i cili, me fjalët e Shën Palit, na fton të mos kemi frikë nga vdekja e trupit sepse, si vdiqëm, si jetuam, jemi gjithnjë me Zotin. Shën Pali Apostull, duke u shkruar bashkësive të para të krishtera, i nxiste besimtarët “të mos trishtohen, si të tjerët, që nuk kanë kurrfarë shprese. Po të besojmë se Jezusi vdiq e u ngjall – shkruante – ashtu edhe Zoti, përmes Jezusit, do t’i mbledhë të gjithë ata që vdiqën”(1 Sel 4, 13-14).

Pse Kisha i kremton pranë e pranë këto dy festa? Ç’lidhje ka ndërmjet tyre?

Është e qartë se së bashku me Shenjtorët e Parajsës, kujtojmë edhe ata që priren nga Parajsa, që janë në Purgator. Purgatori është shtëpia e gëzimit, sepse - paradhomë e Parajsës. Dikush ka thënë se Purgatori është si një kurs i gjatë ushtrimesh shpirtërore, para se të pranohemi në festën e shenjtorëve. Ata që janë në pritje të Parajsës, gjithë të vdekurit që i përkujtojmë gjatë nëntorit, janë njerëz që jetojnë në bashkim me ne. Ne mund të lutemi për ta e ata për ne. Prandaj është prekëse të kujtosh të gjithë shpirtrat që nuk janë në festën e plotë të Parajsës, por presin akoma në paradhomë. Ta ndjesh bashkimin me ta, të lutesh për ta e të dish se edhe ata mund të ndërmjetësojnë për ne, edhe kjo është një arsye që na shtyn të mos ndjehemi kurrë të vetmuar.

Ne sot jetojmë në një shoqëri që kërkon me të gjitha mënyrat ta harrojë vdekjen: nga buron kjo prirje në shoqërinë tonë?

Frika nga vdekja ndjehet kur njeriu nuk ka përgjigje para misterit të vdekjes. Në se mendon se vdekja është një zhytje në errësirë, atëherë sigurisht që të tremb; në se nuk shikon asnjë rreze drite që vjen nga jeta e përtejme, atëherë sigurisht që jeta e përtejme të tmerron. Por kur e di se vdekja është vetëm një prag, se vdekja nuk është fund, se vdekja është fillim, është si porta e hyrjes në një shtëpi të re, ndryshon puna. Kur fitojmë sigurinë për këtë të vërtetë, të ndritur nga feja, vdekjen mund ta thërresim qetësisht “motra vdekje”, siç e pati quajtur Shën Françesku. Për fat të keq, shoqëria jonë është tepër e lidhur me të sotmen, me jetën e përkëndejme, por jeta e këndejme nuk mund të jetë gjithçka që kuptojmë me fjalën jetë, nuk mund të jetë gjithë jeta. Kishte të drejtë Shë Nënë Tereza kur thoshte: “Më e bukura nuk ka ardhur akoma”.

I krishteri, që i di këto të vërteta, e shikon vdekjen me qetësinë më të madhe. Kush është një mendje me një shkrimtar bashkëkohor, nga më të mëdhenjtë, që thotë: “Mendoj se roli i sojit tim nuk është më i lartë se ai i bletëve, i milingonave ose i harabelave”, sigurisht që ka tmerr nga vdekja. Në sa ne e dimë se jeta e njeriut është e lartë, mbart në vetvete farën e amshimit. E ne kemi kohë, në sa jemi ende gjallë, të vendosim cilin amshim të zgjedhim: amshimin e pranimit të Zotit, apo amshimin e mospranimit të Zotit? Amshimi i pranimit të Zotit është Parajsa, jeta e pasosur, ndërsa ai i mospranimit të Zotit, është Skëterra, sepse njeriu pa Zot është i parealizuar; pa Zot, njeriu është i zbrazur, është plotësisht i palumtur.

01 nëntor 2020, 17:28