Koncistori i Zakonshëm për Krijimin e Kardnajve Koncistori i Zakonshëm për Krijimin e Kardnajve 

Kardinaj e numra, rekorde e kuriozitete nga “senati” i Kishës

Me Koncistorin e 28 nëntorit, i gjashti i thirrur nga Papa Françesku, Kolegji Kardinalor përbëhet nga 229 kardinaj (101 pa të drejtë zgjedhore). Po kujtojmë disa lajme e të dhëna nga ky institucion i lindur 900 vjet më parë.

R. SH. - Vatikan

Për disa shekuj me radhë numri i kardinajve ishte 30. Më pas Siksti V, në vitin 1586, i pati shtuar në 70. Por asnjëherë nuk ishin kaq, sa janë sot: një grup njerëzish, që përfaqësojnë edhe gjeografikisht “kufijtë më të skajshëm ungjillorë” të tokës”. Kolegji Kardinalor arriti në përmasat e përbërjen e sotme, pas një udhe të gjatë, që nisi nga nëntëqinda. Ishte Gjoni XXIII ai, që e kapërceu i pari kufirin historik të Sikstit V aq, sa kardinajtë që në përfundim të papnive të shekujve XIX e XX  ishin 60 efektivë, kur viq Papa Roncalli, kishin arritur në 82 e, ndërmjet tyre ishin edhe kardinali i parë filipinas, japonez e afrikan.

Kolegj global

Kaluan vetëm pak vite e Pali VI e përkreu veprën. Krijoi 143 kardinaj, duke i zgjeruar edhe më shumë “hapësirat” prej nga vinin (i pari neozelandez, i pari malgash, i pari sinegalez etj. etj), duke u bërë vend në Kolegj edhe Patriarkëve lindorë e, sidomos, duke vendosur që mosha 80 vjeç të ishte caku për mundësinë e zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit.  Pas vdekjes së Papës Montini, kardinajtë ishin 129, një numër që i prapriu ndryshimeve të reja, nën Papninë e Gjon Palit II. Me Papën Wojtyla Kolegji Kardinalor bëhet shprehje e plotë e përfaqësimit botëror e 231 kardinajtë nga rreth 70 vende, të krijuar prej tij në nëntë Koncistore (42 vetëm në Koncistorin e vitit 2001), rekord për Kishën. Prej tyre sot janë ende 16 zgjedhës, ndërmjet 65 kardinajve akoma të pranishëm, nga të cilët, më i moçmi  është Josef Tomko, 96 vjeçar, i krijuar kardinal më 1985.

Më i motuari e më i riu

Edhe gjatë papnisë së Benediktit XVI, në Kolegj hynë 90 kardinaj, në pesë Koncistore. Ndërmjet atyre, që morën kësulën e kuqe nga Papa i nderit, aktualisht janë 39 zgjedhës e 30 jo zgjedhës, duke përfshirë edhe më të motuarin, 96 vjeçarin francez Albert Vanhoye, që u krijua kardinal në vitin 2006. Ndërsa Papa Françesku krijoi kardinalin më të ri të gjallë, Dieudonné Nzapalainga - 49 vjeçar në vitin 2016, kur u zgjodh, i pari i lindur në Republikën Qendrafrikane.

Françesku, purpur e periferi

Koncistori i 28 nëntorit është i shtati i kryesuar nga Françesku, që ka krijuar gjithsejt 101 kardinaj, 73 nga të cilët, me të drejtë vote në Konklav. Për Papën “e periferive”  edhe takimi i madh i sotëm flet për hyrje e dalje.  Për herë të parë hynë në Kolegj Brunei e Ruanda - e, për pak kohë, doli Malta, me vdekjen e kardinalit Prosper Grech, në dhjetor 2019. Papnisë së Françeskut i përkasin edhe rekorde të tjera. Ndërmjet tyre, ai i selive kardinalore në vende, që nuk i kishin pasur kurrë (përveç Republikës Qendrafrikane, që e kujtuam më lart, Brunei e Ruanda e edhe Haiti, Dominika, Birmania, Panamaja, Kepi i Gjelbër, Tonga, Bangladeshi, Papua Nuova Guinea, Malaysia, Lesotho, Mali, Suedia, Laosi, El Salvadori, Luksemburgu), kardinali i parë afroamerikan (metropoliti i Washington-it, Wilton Gregory), i pari i lindur pas Koncilit (Nzapalainga), i pari i kthyer në katolicizëm që nga koha e Jean-Marie Lustiger (ipeshkvi i Stokholmit, Anders Arborelius, i lindur luteran).

Kuriozitete

Me ndonjërin nga emrat lidhen edhe kuriozitete statistike. Për shembull 91-vjeçari tailandez Michael Michai Kitbunchu, ipeshkëv nderi i Bangkokut, më i vjetri, bën pjesë në  Kolegjin kardinalor qysh prej 37 vjetësh. Rekord, të cilin e mban njëherësh me 90-vjeçarin neozelandez Thomas Stafford Williams, ipeshkëv nderi i vendit të vet. Të dy   e patën marrë kësulën kardinalore nga dora e Papës Wojtyla, në vitin 1983.

Një e dhënë tjetër, që ka të bëjë me praninë e familjeve rregulltare në Kolegjin aktual: janë 26 rregulltarë, ndërmjet 51 kardinajve (29 zgjedhës) që mbajnë zhgunat e Institutit të tyre nën petkun prej pupuri. Më të përfaqësuarit janë Salezianët (9), pas tyre, Jezuitët (7). Për t’u shënuar se me Atë Mauro Gambetti-n, Rojtar i  Kuvendit të Shenjtë të Asizit,  ndërmjet kardinajve bëjnë pjesë edhe Françeskanët Konventualë.

Edhe gjeografia, siç e kujtuam, posaçërisht me dëshirë të Papës Françesku, vijon të zgjerojë kufijtë e hartës së Kolegjit, ku sot lexojmë emrat e 90 vendeve të përfaqësuara, nga Albania (Shqipëria), tek Vietnami, duke nisur me grupin e kardinajve italianë, më i madhi (47), i ndjekur nga SHBA-të (15) e Spanja (14). Në këndvështrimin e kontinenteve, Evropa numëron 106 kardinaj zgjedhës e jo zgjedhës; Afrika 30, Azia 27, America e Veriut numëron 26; ajo e Jugut, 25; qëndrorja 9 e, së fundi, Oqeania 6.

28 nëntor 2020, 12:28