Kërko

 Giovanni Paolo II in Albania, 1993-04-25 Giovanni Paolo II in Albania, 1993-04-25 

Në Gregoriana, një forum me temë “Gjon Pali II dhe Kishat në Evropë”

Në njëqindvjetorin e lindjes së Karol Wojtylës, Fakulteti i Historisë dhe i Pasurive Kulturore të Kishës, pranë Universitetit Papnor Gregorian, do t’i kushtojë një sesion studimi Papës polak.

Në njëqindvjetorin e lindjes së Karol Wojtyl-ës, Fakulteti i Historisë dhe i Pasurive Kulturore të Kishës, pranë Universitetit Papnor Gregorian, do t’i kushtojë një sesison studimi Papës polak, duke paraqitur edhe një vëllim  botuar nën kujdesin e profesor Jan Mikrut, pedagog pranë ateneut. Vëllimi përmban më se pesëdhejtë kontribute kushtuar Gjon Palit II dhe marrëdhënieve të tij me vendet dhe Kishat e Evropës Qëndrore dhe Lindore. Autorët, studiues të shquar në nivel kishtar, akademik e institucional, do të paraqesin frytet e kërkimeve të tyre lidhur me temën “Ky Papë,  gjak i gjakut tuaj,  asht i eshtrave tuaja”. Kështu e quajti veten  Wojtyla më 3 qershor 1979, kur po vizitonte, për herë të parë si Papë, Poloninë e tij. Me atë rast u drejtoi fjalën gjithë të krishterëve të Evropës qendro-lindore. Nuk ishte fjalim politik, por shprehje e karizmës së “Papës polak”, Papës sllav”, që ishte thirrur pikërisht tani për të manifestuar “unitetin shpirtëror të Ervropës së krishterë”. Zërat e autorëve katolikë (si latinë, ashtu edhe greko-katolikë) e ortodoksë, pasqyrojnë në këndvështrimin e  tyre  marrëdhëniet e Shën Gjon Palit II me traditat e vendet e ndryshme. “Për të Evropa duhet të marrë frymë me dy mushkëritë, domethënë, me atë lindore e atë perëndimore, shprehje që u bë paradigmë e ekumenizmit” - lexohet në një notë  të Gregorianës.

Kujtojmë  se në përkim me Dekretin e kryetarit të Këshillit të Ministrave të 3 nëntorit 2020, aktiviteti didaktik i universitetit do të zhvillohet në distancë deri më 3 dhjetorin e ardhshëm. Mbetet i pandryshueshëm, ndërkaq, kalendari i veprimtarive publike, të organizuara online. Lista e tyre e plotë  mund të konsultohet në kanalin Youtube të Gregorianës.   

Gjon Pali II dhe Shqipëria

Nuk mund të mos kujtojmë, me këtë rast, lidhjen historike, të pazgjidhshme të Papës polak me Shqipërinë, që pushton thuajse një gjysëm shekulli. 

Duke qenë përherë një nga gjymtyrët më të ligshta të Kishës universale, Papa Gjon Pali II, ashtu si parardhësit e  Tij, e rrethoi gjithnjë Kishën katolike në Shqipëri me atë kujdes që tregojnë prindërit për fëmijën e vogël. Qe përherë i gatshëm ta mobilizojë Kishën universale në ndihmë të Shqipërisë e të shqiptarëve, si dhe të ndërmjetësojë vazhdimisht pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e vendit të shqiponjave e jo më pak, të Kosovës. Duke nisur nga 3 shtatori 1951 kur Sekretaria e Shtetit të Qytetit të Vatikanit vendosi që Radioja e Papës të flasë edhe në gjuhën shqipe.  Kujtojmë, pastaj 5 tetorin 1980 kur  gjatë vizitës në Otranto të Italisë, Papa Gjon Pali II, nga brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e tij të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të martirizuar të katolikëve, nën thundrën e diktaturës komuniste, duke sensibilizuar mbarë botën me fjalët:

“E kështu  sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë rregulltare e besimtarë të thjeshtë”.

Më pas një vargan i gjatë ngjarjesh e lidhi ngusht Shqipërinë me papën Polak, derisa, më 25 prill 1993 – e vizitoi, duke u ndaluar në Shkodër dhe Tiranë e duke i dhuruar, gjatë vizitës, Kishës së martirizuar hjerarkinë e re të pasdiktarurës- katër ipeshkvij të rinj. Këto e ngjarkje të tjera të paharrueshme i lidhin Shqipërinë edhe Kosovën, me Gjon Palin II i cili në përfundim të vizitës së Tij, i bëri popullit këtë thirrje:

“Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë, por në të janë mbjellë farët e shpresës. Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithnjë në roje të lirisë në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. T’i ndriçoftë hapat dashuria për familjen, fryma e vëllazërimit, mikpritja e të huajit dhe virtytet, që e dallojnë popullin tuaj e që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare”!.

Por, të ndjekim një kronikë të shkurtër, që flet vetë për këtë interesim:

- 3 shtator 1951: Sekretaria e Shtetit të Qytetit të Vatikanit vendosi që Radioja e papës të flasë edhe në gjuhën shqipe. Udha e saj nisi me: "Udhën e Krygjës", për të ndjekur pastaj hap pas hapi, për  26 vjet me radhë Papën e ardhur nga larg, që u ul në fronin e papnisë më 26 qershor 1967.

- Më 5 tetor 1980, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, Papa Gjon Pali II nga brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e tij të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të martirizuar të katolikëve, nën thundrën e diktaturës komuniste. Në homelinë e Meshës shenjte, kushtuar martirizimit të të krishterëve në shekuj, Papa sensibilizoi mbarë botën me fjalët: “E kështu  sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë rregulltare e besimtarë të thjeshtë”.

- Më 6 maj 1988 një grup shqiptarësh të diasporës së Amerikës  shtegtuan drejt Romës për t’u takuar me Gjon Palin II. Ishte takimi i parë i drejtpëdrejtë i Karol Wojtylës me shqiptarët - shumica të ikur nga atdheu për t’i shpëtuar diktaturës: shtegtimi fillon më 5 maj, me arritjen e shtegtarëve të largët.

Më 6 maj – audienca në sallën Klementine në Vatikan; fjalimi programatik i Papës dhe lutja drejtuar Zojës së Këshillit të Mirë për popullin shqiptar;  

- 1989: vizita e parë e Nënë Terezës në Shqipëri;

-1990 kremtimi Meshëve të para të pas diktaturës:

 4 nëntor 1990 – kremtohet Mesha e parë në varrezën e Rrëmajit në Shkodër;

11 nëntor 1990 – kremtohet Mesha solemne në kapelën e varrezave të Rrëmajit;

- 17 tetor 1990: Përurohet në Shkodër seminari ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë”.

- 2 qershor 1991 – Në solemnitetin e Korpit të Krishtit kremtohet Mesha solemne me procesion e kryesuar nga Imzot Ercole Lupinaçi, anëtar i delegacionit të Selisë së Shenjtë në Shqipëri;

- 8 korrik 1991 - Imzot Nikollë Troshani, ipeshkvi i vetëm katolik që kishte shpëtuar gjallë nga hjerarkia e para diktaturës komuniste, asokohe 76 vjeç, vjen në Vatikan, pritet në audiencë nga Papa Gjon Pali II dhe e fton Shenjtërinë e Tij të vizitojë Shqipërinë. Papa i përgjigjet se një vizitë e tillë do të bëhej e mundur në të ardhmen, ndërkaq – shton Ati i Shenjtë – t’i lutemi Zotit për atdheun tuaj.

-28 tetor 1991 - Rivendosen marrëdhëniet diplomatike në rang nunciature apostolike për Selinë e Shenjtë dhe ambasade për Shqipërinë;

- 28 nëntor 1991 – Në Vatikan mbahet Sinodi i posaçëm i Ipeshkvijve për Evropën; përfaqësues i Kishës katolike të Shqipërisë është dom Zef Simoni, më vonë ipeshkëv ndihmës i diqezës së Shkodrës.

-7 maj 1992 – Papa Gjon Pali II pret në audiencë në Vatikan presidentin e parë të pas diktaturës, dr. Sali Berishën.

- 22 prill 1993: Ambasadori i parë Willy Kamsi paraqet letrat kredenciale pak ditë para shtegtimit të Papës Gjon Pali II drejt Shqipërisë; Nunc i parë apostolik emërohet prelati indian, Imzot Ivan Dias;

- 25 prill 1993 - Papa Gjon Pali II viziton Shqipërinë, duke u ndaluar në Shkodër dhe Tiranë: gjatë vizitës i dhuron Kishës së martirizuar hjerarkinë e re të pasdiktarurës- katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Illinë, Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert Ashtën dhe Imzot Zef Simonin.

- 24 tetor 1994 – Papës Gjon Pali II i dhurohet Bibla në shqip, nga Mons, Simon Filipaj.

- 2 nëntor 1994 – Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë njofton se Kolegji i kardinajve do të pasurohet me 30 kardinaj të ri, ndërmjet të cilëve, dom Mikel Koliqi.

- 26 nëntor 1994 - Ati i Shenjtë krijon kardinalin e parë shqiptar, Hirësinë e tij, Mikel Koliqin, i cili merr pjesë në Koncistorin VI.

- 28 nëntor 1994 – Kardinali Koliqi  pritet në audiencë, së bashku me farefisin, përfaqësues të klerit e të qeverisë.

- 27 maj 1995 - organizohet shtegtimi i madh i shqiptarëve ne Gjenacan me rastin e 100 vjetorit të shpalljes se Zojës se Këshillit te Mirë, Pajtore e Shqipërisë dhe mbarë popullit shqiptar. Gjithë grupi, udhëhqur nga Ipoeshkvijtë dhe nunci apostolik, Ivan Dias, pritet në audeincë në sallën Klemntine në Vatikan.

- 7 nëntor 1996 – Atë Anton Luli S.J., në emër të të gjithë meshtarëve të botës, përshëndet dhe uron Gjon Palin II me rastin e 50-vjetorit të meshtarisë.

- 17 nëntor 1995 – ipeshkvijtë e ish-Jugosllavisë, ndërmjet të cilëve Imzot Nikë Prela, ipeshkëv i dioqezit Shkup-Prizren, takohen me Papën Gjon Pali II në Vatikan: flitet për kontributin e posaçëm që duhet të japin katolikët përmes përvojës së faljes e të pajtimit.

- 7 dhjetor 1966 - Shenjtëria e Tij Gjon Pali II riorganizon dioqezat e Kishës katolike në Shqipëri: themelon Dioqezën e Rrëshenit (Mirditë) në vend të abacisë së Oroshit dhe emëron si të parin Ipeshkëv të Rrëshenit dhe administrator apostolik të dioqezës së Lezhës, Atë Angelo Massafrën OFM, asokohe Këshilltar i Provinçës Françeskane Shqiptare dhe Famullitar i Troshanit;  ndërsa si administrator apostolik të Shqipërisë së Jugut, emëron Atë Hil Kabashin, OFM, asokohe kapelan i besimtarëve shqiptarë në Gjermani.

- Papa Gjon Pali II shuguron ipeshkvij të rinj: Imzot Mark Sopin, ipeshkëv i Kosovës më 6 janar 1996 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan; Imzot Angelo Massafrën, më 6 janar 1997 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan; Imzot Hil Kabashin më 6 janar 1997 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan;

-1 mars 1997-  Ati i Shenjtë Gjon Pali II pret në Vatikan për paraqitjen e letrave kredenciale ambasadorin e  Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, dr. Pjetër Pepën.

- 25 mars 1997 – pritet në audiencë në vatikan kryeministri i Shqipërisë, Bashkim Fino.

- 31 mars 1997 – Gjon Pali II ngushëllon shqiptarët e tronditur nga tragjedia e Otrantos, ku u mbyt një anije me shqiptarë që iknin drejt brigjeve të Italisë.

- E Diela e Pashkëve 1997 – Gjatë bekimit “Urbi et Orbi” Papa përshëndeti Shqipërinë me fjalët: “Forca e Krishtit të gjallë i ndihmoftë të gjithë ata që përpiqen për forcimin e paqes e të demokracisë, të cilat shpesh fitohen me flijime të mëdha, ashtu si po ngjet në zonën e Ballkanit, posaçërisht në Shqipërinë e dashur”.

- 23 tetor 1997 – Gjon Pali II pret në audiencë në Vatikan presidentin e Shqipërisë, prof. Rexhep Meidanin.

- 5 dhjetor 1997 –  Prof. Jul Bushati, Ambasador i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë i paraqet Papës Gjon Pali II letrat kredenciale.

- 28 mars 1998 - Imzot Angelo Massafra emërohet kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës, duke zënë vendin e Monsinjor Illisë, pas vdekjes dhe më 29 qershor 1998 merr nga duart e Papës Gjon Pali II në Vatikan palion e kryeipeshkvit metropolit;

- Maj 1998 – Kardinali Jozef Tomko, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, viziton Shqipërinë, takohet me përfaqësuesit më të lartë të Kishës në vend, vlerëson rolin e Kishës në procesin e zhvillimit të vendit dhe bekon Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë të saporindërtuar.

- 10 korrik 1998 - Imzot Zef Gashi emërohet kryeipeshkëv i Tivarit; shugurohet më  19 shtator 1998, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

- 15 janar 1999 – Papa Gjon Pali II pret në audiencë në Vatikan, kryeministrin e Shqipërisë, Pandeli Majko.

- Maj 1999:  Ambasadorët e vegjël të Paqes, mbledhës të gëzhojave vrasëse të revoltës së 1997-tës, për të bërë me to Këmbanën e Paqes, priten në audiencë nga Papa Gjon Pali II.

- 25 janar 2001: Papa zhvendos  Selinë kryeipeshkvnore nga Kisha e Shën Luçisë në  Durrës në katedralen e Shën Palit të Tiranës.

- 2 deri më 4 shkurt 2001  - vizita "ad Limina" e ipeshkvijve të  Shqipërisë më 12 deri më 17 shkurt 2001 - e ipeshkvijve të Kosovës  në Vatikan.

 - 3 shkurt 2001 - Ati i Shenjtë bashkëkremton, në kapelën e Tij private, Meshën shenjte me ipeshkvijtë shqiptarë. Marrin pjesë Imzot Angelo Massafra, kryeipeshkëv i Shkodrës; imzot Zef Simoni – ipeshkëv ndihmës i Shkodrës, imzot Hil Kabashi, Administrator Apostolik i Shqipërisë së Jugut dhe katër administratorët apostolikë të Sapës, Lezhës, Rrëshenit e Pult-Bajzës.

12 – 17 shkurt 2001 – gjatë vizitës ad Limina Apostolorum të ipeshkvijve të Jugosllavisë, Gjon pali II pret në audiencë në Vatikan ipeshkvin e Kosovës, imzot Mark Sopin, në një takim personal.

- 23 mars 2002 - Nënshkruhet marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë mbi rregullimin e marrëdhënieve të anasjellta. Për Selinë e Shenjtë nënshkroi Shkelqësia e Tij, Imzot Giovanni Bulaitis, Nunc Apostolik në Shqipëri, ndërsa për Republikën e Shqipërisë, kryeministri, Zoti Pandeli Majko.

Përfaqësuesi papnor shoqërohej nga Shkelqësia e Tij, Imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkëv i Durrës-Tiranës dhe zëvendës-kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë si dhe nga Imzot Ambroz Madtha, Këshilltar i Nunciaturës Apostolike në Shqipëri.  Kjo marrëveshje, pas një polemike të ndezur në parlamentin shqiptar u ratifikua më 23 maj:me 91 vota pro, du abstenime dhe asnjë kundra, ndërsa të gjithë deputet ishin të pranishëm në sallë.

- 10 maj 2002 – Papa Gjon Pali II pret në Vatikan ambasadorin  e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Zef Bushatin, për paraqitjen e letrave kredenciale.

- 19 shtator 2002 – Papa Gjon pali II pret në castel Gandolfo kryeminsitrin e Shqipërisë, Fatos Nano.

- 8-12 nëntor 2002: kardinali Crescenzio Sepe, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve viziton Shqipërinë: më 9 nëntor takohet me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë; më 10 nëntor kryeson Meshën në katedralen e Shkodrës, ku hap procesin dioqezan për beatifikimin e 40-martirëve, shumica viktima të diktaturës dhe viziton dioqezin e Sapës; më 11 nëntor kremton në Bajzë e në Lezhë.

- 2 dhjetor 2002 – Gjon Pali II pret në audiencë në vatikan presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiun.

- 21 janar 2003 – Gjon Pali II pret në audiencë Kryeministrin e Shqipërisë, Fatos Nano.

- 23 prill 2003: -  i dërguari i posaçëm i Shenjtërisë së Tij, Papës Gjon Pali II, kardinali Ivan Dias, kryeipeshkëv i Bombeit, emëruar më 5 mars 2003 si legat i papës, merr pjesë, në emër të Shenjtërisë së Tij, në kremtimet që  organizoi Kisha katolike me rastin e përkujtimit të 10-vjetorit të vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri dhe i sjell kishës katolike e mbarë popullit shqiptar, mesazhin e Atit të Shenjtë. Këto kremtime shënojnë kulmin e Vitit 1993 shpallur nga ipeshkvijtë shqipfolës Vit Jubilar, me rastin e 300-vjetorit të Kuvendit të Arbënit, që na kujton lidhjet shekullore të pakëputura të popullit shqiptar me papët e Romës;

- 23 prill 2003 – Gjon Pali II përshëndet një grup artistësh e sportistësh shqiptarë,  të pranishëm në audiencën e përgjithsme të së mërkurës.

- Romë, 19 tetor 2003 – Nënë Tereza e Kalkutës, Ganxhe Bojaxhiu, shpallet e Lume.

- 14 nëntor 2004 – Papa Gjon Pali II u krijon mërgimtarëve shqiptarë në Itali mundësinë të mblidhen në një kishë  për të përmbushur nevojat e tyre shpirtërore  në gjuhë shqipe: përurohet për besimtarët shqipfolës, Kisha e Shën Gjonit të mullagave në lagjen romake Trastevere.

- 11 janar 2005: Papa Gjon Pali II i drejton përshëndetjen pjesëmarrësve në Sinodin Ndërheparkial të Heparkive të Arbëreshëve të Italisë: asaj të Lungros në Kalabri, të Horës së Arbëreshëve në Sicili dhe murgjërve të Abacisë së Grottaferratës, ku u zhvillua Sinodi ndërherparkiak, i cili nisi më 15 tetor 2004, për të përfunduar pas tre muajsh, më 14 janar 2005.

- 25 janar 2005 – Gjon Pali II miraton riorganizimin e dioqezave të Kishës katolike në Shqipëri, si vijon:

 - ngre në rangun e Selisë metropolite, Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, duke e ndryshuar kështu emërtimin aktual Kryedioqeza e Durrës-Tiranës e duke i caktuar si sufragane Dioqezën e Rrëshenit dhe Administraturën Apostolike të Shqipërisë së Jugut;

- i bashkëngjet Dioqezën e Pultit, Kryedioqezës Metropolite të Shkodrës, që emërtohet Kryedioqeza e Shkodër-Pultit, duke lënë si sufragane të të njëjtës Kryedioqezë, dioqezën e Lezhës e të Sapës.

- 18 mars 2005 – Imzot Mirditës i dorëzohet bula papnore për kthimin e kryedioqezës së Tiranë-Durrësit në seli metropolite.

Papa Shën Gjon Pali dhe Kosova

Të panumërta ndërhyrjet e Papa Gjon Palit II për fatet e Kosovës e të shqiptarëve të krahinës, sidomos në vitet 1998-99, në çaste më dramatike për  vendin e popullsinë. Ja skeda mbi Papa Shën Gjon Pali dhe Kosovën.

8 mars 1998: në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa shpreh shqetësimin për situatën dramatike në Kosovë dhe lutet për popullsitë e munduara.

7 qershor 1998: –  Papa i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare  për paqe në Kosovë, prej nga vijojnë të vijnë lajme që flasin për acarimin e situatës: “Jo larg nesh – thekson Papa – në Kosovë, opcionet e dhunshme, shtypja, ikja e popullsive nuk mund të mos e shqetësojnë bashkësinë ndërkombëtare, me bindjen se kërkimi i rrugëzgjidhjeve paqësore, të vendosura në tryezën e bisedimeve, kërkojnë durim e guxim”.

9 gusht 1998: –  në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Ati i Shenjtë shprehet: “Mendoj posaçërisht për banorët e Kosovës, ku dhuna dhe kushtet e jetesës të popullsisë vijojnë të bëhen gjithnjë më dramatike”.

4 tetor 1998: - Gjatë lutjes të Engjëllit të Tënzot, Papa i këshillon palët në konflikt të ecin në rrugën e dialogut, ndërsa i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të mos qëndrojë duarkryq, por të japë ndihmesën e vet që vlerat si mirëkuptimi, respekti reciprok, falja e pajtimi t’i zënë vendin  dhunës e shkatërrimit.

9 nëntor 1998: - Selia e Shenjtë shpreh shqetësimin e saj thellë për ndërhyrjen e mundshme të armatosur të Natos në Kosovë. Imzot Tauran, Sekretar i Shtetit të Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet,  kujton fjalët e shqiptuara një të dielë më parë në Split nga Gjon Pali II, pikërisht për gjendjen në Kosovë: “Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i japë sa më shpejt ndihmën e vet Kosovës”.

25 dhjetor 1988: - Në natën e Krishtlindjes 1998 drama e Kosovës është sërisht në qëndër të vëmendjes së Papës.

3 janar 1999: - Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Gjon Pali II thekson dramën e Kosovës,  duke pohuar: “Drama e Kosovës, ku natën e Krishtlindjes pati ndeshje të reja të armatosura, është përherë e pranishme në zemrën time”.

11 janar 1999: - Ati i Shenjtë ndalet te situata në Kosovë  gjatë takimit me Trupin Diplomatik akredituar pranë Selsië së Shenjtë, për shkëmbimin e urimeve të vitit të ri, duke theksuar: “Duhet bërë ç’është e mundur për t’i ndihmuar kosovarët e serbët të ulen në tryezën e bisedimeve, në mënyrë që t’i jepet sa më shpejt fund mosbesimit të armatosur, i cili paralizon e vret”.

15 janar 1999: - Duke pritur në audiencë kryeministrin e Shqipërisë, Pandeli Majko, Gjon Pali II u ndal tek domosdoshmëria për gjetjen e rrugëzgjidhjes paqësore në Kosovë dhe tek gjendja e refugjatëve.

Detyra kryesore – u theksua – është të ndahen kundërshtarët e të çarmatoset agresori; e këtë duhet ta bëjë ai që ka mundësi për ta bërë, dmth bashkësia ndërkombëtare. Pastaj, me afate të mesme e të gjata, do të jetë e nevojshme të rivendoset “respektimi i marrëveshjeve” e të ndihmohen serbët dhe shqiptarët të pajtohen”.

20 janar 1999: - Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Papa bën thirrje për paqe në Kosovë.

21 janar 1999: - Ati I Shenjtë  Wojtila shtron për zgjidhje problemin e Kosovës në një telegram drejtuar ipeshkvijve jugosllavë. Përballë ashpërsimit të krizës – shkruan – e ndjej për detyrë t’u shpreh të gjithë njerëzve të munduar, afërsinë time atërore, ndërsa  u bëj thirrje sërisht udhëheqësve të jetës publike t’i japin fund spirales së dhunës e të kërkojnë rrugën e dialogut ndërtimtar, duke respektuar të drejtat e patjetërsueshme të çdo njeriu”.

11 shkurt 1999:  - Në emër të Papës Gjon Pali II, kardinali Angelo Sodano, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, bisedon me kryeministrin italian, Massimo d’Alema, mbi krizën në Kosovë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të lirisë fetare e të paqes në vend.

22 shkurt 1999:  - publikohet një Komunikatë e sallës së Shtypit të Vatikanit mbi qëndrimin e Selisë së Shenjtë, përmes së cilës, pasi  vihen në dukje ndërhyrjet e panumërta të Selisë Apostolike dhe personalisht të Papës Gjon Pali II, urohet të gjindet akoma një rrugëzgjidhje paqësore e afatgjatë që t’i japë fund konflktit. 

21 mars 1999: - Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Shenjtëria e Tij  flet për situatën e tensionuar në Kosovë dhe i fton besimtarët të luten për bashkësinë shqiptare, që ka përshkuar një udhë të vërtetë kryqi e prandaj ka të drejtë të presë rrugëzgjidhje, që respektojnë historinë dhe të drejtën e saj.

24 mars 1999: - Në audiencën e përgjithshme Papa dënon sulmin ajror mbi Kosovë dhe i lutet Zotit për dhuratën e paqes në Krahinë e në mbarë Evropën;

26 mars 1999:  Në kapelën e Tij Private, Gjon Pali II Lutet për paqen në Ballkan;

28 mars 1999: gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të së Dielës së Larit,  Ati I Shenjtë  ngre zërin duke theksuar se është me popullin që vuan dhe u bën thirrje të gjithëve: Eshtë ora e paqes! Mbi forcat e urrejtjes, duhet të ngadhënjejnë vëllazërimi e mirëkuptimi. Qofshin këto gema ulliri simbol i paqes që e dëshirojnë aq shumë popullsitë e zonës ballkanike – uron Papa.

Fillon ndërkaq ndërmjetësia e Vatikanit për paqen në Kosovë.

Më 31 mars 1999: - Papa dërgon në Shqipëri Imzot Cordes, kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum, organizëm i Vatikanit, i caktuar për të asistuar refugjatët e për t’u shpërndarë ndihmat humanitare. Në mesazhin dorëzuar Prelatit për refugjatët kosovarë, thekson: Fëmijëve, nënave, pleqve që do të takosh, thuaju se Papa është me ta e me ta do të jetë përherë, derisa të gëzojnë një paqe të drejtë e të qëndrueshme. Tepër gjak e tepër lot ka parë të rrjedhin kjo popullsi gjatë gjithë shekullit XX.

Ndërsa më 1 prill 1999 dërgon Imzot Jean Louis Tauran, sekretar i Shtetit të Vatikanit për marrëdhniet me shtetet, në Beograd, me një mesazh të posaçëm për Presidentin e Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç.

2 prill 1999: - Në përfundim të Udhës së Kryqit në Koloseo, të Premten e Madhe, Gjon Pali II pohon: “I përbuzur e i dëbuar është Krishti në njeriun e munduar  e të vrarë në luftën e Kosovës dhe kudoqë ngadhënjen kultura e vdekjes”.

4 prill 1999: - Në Mesazhin e Pashkëve, Papa kujton situatën në Kosovë, falënderon dhe  uron të gjithë ata që u qëndrojë pranë refugjatëve, duke i mirëpritur e duke i ndihmuar.

5 prill 1999: - Në të Hënën e Engjëllit, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Gjon Pali II bën thirrje për ndihmë ndërkombëtare në Kosovë, ku – siç shprehet - këmbanat nuk kanë rënë për festë e ku vijon shkatërrimi, shpërngulja e vdekja.

9 prill 1999: - Ati i Shenjtë Wojtila u bën thirrje autoritetve të Republikës Federale të Jugosllavisë të lejojnë hapjen e një korridori humanitar, për të krijuar mundësitë të arrijnë ndihmat në kufirin e Kosovës, ku qenë grumbullar masa të mëdha kosovarësh. Për solidaritetin nuk ka kufij – thekson Papa – por duhet të ketë gjithnjë koridore shprese.

11 prill 1999: - Duke uruar besimtarët ortodoksë me rastin e Pashkëve,  Shenjtëria e Tij kujton se në ato ditë sytë e besimtarëve ishin plot me vdekje, prandaj bën thirrje që të heshtin armët e të rifillojë dialogu.

18 prill 1999 – Gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës,  Papa përsërit thirrjen për paqe në Kosovë e në Jugosllavi.

22  prill 1999: - Duke pritur në audiencë Fondacionin Gorbaçov, Ati i Shenjtë rikujton nevojën për ndërhyrje në favor të paqes në Kosovë, sepse situata e luftës rrezikon të destabilizojë gjithë Ballkanin.

27 prill 1999: - Në një letër personale drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Papa shkruan: “Selia e Shenjtë e vlerëson shumë faktin që Organizata të luajë rolin kryesor në zgjidhjen e një krize në të cilën është përfshirë mbarë bashkësia ndërkombëtare. Eshtë urgjente që zëri i ligjit dhe i institucioneve të mos shuhet nga zëri i armëve.

2 maj 1999: gjatë Lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Gjon Pali II bën thirrje për stabilizimin e situatës në Ballkan.

10 qershor 1999: - Publikohet një Deklaratë e Sallës së Shtypit të Vatikanit mbi tërheqjen e serbëve nga Kosova, nënshkruar në Kumanovë nga gjeneralët e Natos e të Beogradit. Kjo Deklaratë shënon edhe përfundimin e konfliktit.

4 tetor 1999: Gjatë vizitës në Kroaci, Papa Gjon Pali II i përshëndetë në gjuhën shqipe shqiptarët që jetojnë në vendin ballkanik.

6 tetor 1999: - Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës në Vatikan, Gjon Pali II falënderon shtegtarët e gjuhës italiane për sensibilizimin e opinionit publik lidhur me nevojat e popullsive të Kosovës, të sprovuara rëndë nga konflikti.

 

09 nëntor 2020, 11:26