Imzot Paul Richard Gallagher Imzot Paul Richard Gallagher 

Gallagher: diplomacia vatikanase punon për paqen ndërmjet kombeve

Me rastin e 40-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Perusë, imzot Paul Richard Gallagher mbajti një fjalim, përqendruar tek objektivat e diplomacisë vatikanase. Eshtë fjala për një udhë - kujtoi- të vështirë, por të mundshme, që ka për qëllim të favorizojë vëllazërimin ndërmjet popujve, duke iu kundërvënë mekanizmave të indiferencës, tejet të përhapura në botën tonë.

R. SH. - Vatikan

“Veprimtaria diplomatike e Selisë së Shenjtë nuk kënaqet vetëm me vëzhgimin e ngjarjeve ose me vlerësimin e tyre. Nuk mund të luajë as rolin e një lloj zëri kritik të ndërgjegjes, “shpesh edhe jashtë korit”. Ia kushtoi  krejtësisht Diplomacisë së Selisë së Shenjtë, imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet, fjalimin e djeshëm, mbajtur me rastin e 40-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes ndërmjet Selisë së Shenjtë e Perusë, firmosur në Limë, më 19 korrik 1980. Kryeipeshkvi nënvizoi  se “Selia e Shenjtë është e thirrur për të lehtësuar  bashkëjetesën ndërmjet Kombeve të ndryshme e për të nxitur atë vëllazërim ndërmjet popujve, në të cilin ky term është sinonim me bashkëpunimin faktik, të mirëfilltë, të rregullt, me solidaritetin, që vihet në shërbim të së mirës së përgjithshme e të çdo njeriu”.

Diplomaci, që mbështet paqen, themeluar mbi drejtësinë

Është vetë Papa Françesku, që i kërkon Selisë së Shenjtë “të vihet në lëvizje në skenën ndërkombëtare jo për të garantuar një siguri të përgjithshme, gjithnjë më e vështirë në këtë periudhë, kur mungon stabiliteti dhe ndjehet fort fryma e konfliktit,  por për të mbështetur idenë e paqes, parë si fryt i marrëdhënieve të drejta, domethënë, i respektimit të normave ndërkombëtare dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut, duke nisur nga më të fundmit, më të ligshtit”. I qartë, pra, roli i diplomacisë “parë si mjet bashkimi”, që lidh Papën e Romës me ipeshkvijtë e me Kishat vendase e që është edhe udhë, përmes së cilës Papa mund t’i arrijë konkretisht “periferitë shpirtërore e materiale të mbarë njerëzimit” - theksoi imzot Gallagher. Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet kujtoi se rrjeti diplomatik i Selisë së Shenjtë ka marrëdhënie dypalëshe me 183 shtete, të cilëve u duhen shtuar edhe Bashkimi Evropian dhe Urdhëri Sovran i Maltës. Ka, pastaj, edhe marrëdhënie të qëndrueshme të tipit multilateral, me shumë institucione ndërqeveritare, kompetente në sektorë të ndryshëm.

Të parandohet konflikti, por edhe të punohet për fazën e pas luftës

Imzot Gallagher kujtoi “se ideja e paqes, sipas Selisë së Shenjtë, nuk ndalet tek ajo, që Kombet e shprehin në të drejtën bashkëkohore ndërkombëtare". “Të punosh për paqen, nuk do të thotë  vetëm të përcaktosh një sistem sigurimi  ndërkombëtar, e edhe t’i respektosh detyrimet e tij. Veç kësaj kërkohet t’i parandalosh shkaqet, që mund të krijojnë një konflikt të ri luftarak si dhe të shmangësh situatat kulturore, shoqërore, etnike e fetare, që mund t’i rindezin luftërat gjakatare të sapopërfunduara”. Në këtë kuptim, e drejta  ndërkombëtare “duhet të vijojë të pajiset me institute juridike e mjete normative, të afta për t’i mbarështuar konfliktet e përfunduara ose situatat, në të cilat përpjekjet e diplomacisë i kanë detyruar armët të heshtin”. Një nga fragmentet e rëndësishme të fjalimit  të Sekretarit për Marrëdhëniet me Shtetet, i kushtohet pikërisht fazës së pas-luftës: “Detyra, në fazën pas-konfliktit, nuk kufizohet vetëm me riorganizimin e territoreve, me njohjen e sovraniteteve të reja a të ndryshuara, ose akoma, me garantimin e drejtpeshimeve, arritur me ndihmën e  forcave të armatosura. Ajo duhet të saktësojë përmasën njerëzore të paqes, duke zhdukur çdo shkak që mund të cënojë kushtet e atyre, të cilët i jetuan tmerret e luftës e tani presin e shpresojnë, sipas drejtësisë, një ardhmëri tjetër. Përkthyer në gjuhën e diplomacisë, kjo do të thotë t’i japësh përparësi forcës të së drejtës e jo rrokjes së armëve e garantimit të drejtësisë, para legalitetit.

T’u jepet fund mekanizmave të indiferencës

Imzot Gallagher kujtoi, më pas, me shqetësim, përhapjen e indiferencës,  që nuk ka të bëjë vetëm me viset e konfliktit e të luftërave, sidomos kur janë gjeografikisht të largëta. “Sot kjo na bën thirrje të gjithëve  që, dashur a pa dashur, sulmohemi nga një valë lajmesh e informacionesh, të cilat na lidhin virtualisht me pjesën tjetër të botës, ku shikojmë radhë të gjata të vuajturish, viktima të luftërave, të detyruar të emigrojnë, pa shpresë, pa punë, pa asnjë ndihmë a mbështetje”. Kryeipeshkvi  shprehu bindjen se sot, më shumë se kurrë, është e nevojshme t’u jepet fund këtyre mekanizmave të indiferencës, e edhe egoizmit tonë e të kalohet nga teoremat për paqen e mundshme, në përvoja konkrete të paqes së jetuar, edhe pse jo pa vuajtje!

Zotim për një kthesë të vërtetë

Udha kryesore për t’u ndjekur - theksoi - është ajo, që na e tregon Papa Françesku. Domethënë, “lufta kundër varfërisë, si materiale, ashtu edhe shpirtërore, sigurimi i paqes dhe ndërtimi i urave, përmes dialogut”. “Janë, pastaj, edhe tri pika referimi, që kanë të bëjnë me udhën personale, sociale e globale,  për të cilat Papa i ftoi të gjithë, që në ditët e para të shërbimit të tij si Ipeshkëv i Romës” - kujtoi imzot Gallagher, duke shtuar se ftesa e Papës Françesku mbetet thirrje e ngutshme, që na ngarkon me përgjegjësi, aq më tepër sot. Françesku kërkon të kemi shumë guxim, t’i flakim pas shpine siguritë tona e të nisim kthesën e madhe të zemrës, të përparësive,  të stilit të jetës, për t’u takuar me tjetrin edhe kur duket se nuk e njohim aq sa duhet, se vjen nga botë kulturore e fetare të ndryshme e se edhe flet gjuhë të ndryshme. Nuk duhet harruar - theksoi në fund të fundit sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet - se “diplomacia e Selisë së Shenjtë është diplomaci në ecje. Ecën në një udhë të gjatë, të ndërlikuar e të mbushur me vështirësi, por që mund të bëhet, me ndihmën e Zotit".

 

07 nëntor 2020, 14:24