Bredhi i Krishtlindjes mbërrin në Sheshin e Shën Pjetrit

Filloi puna për të zbukuruar Sheshin e Shën Pjetrit, në pritje të Krishtlindjes. Sot, u vendos bredhi i ardhur nga Sllovenia, që do të pasohet nga Betlehemi prej qeramike italiane. Përurimi dhe ndezja e dritave, më 11 dhjetor.

R.SH. - Vatikan

Filloi sot në mëngjes herët puna e njerëzve dhe e makinave për të ngritur bredhin e madh të Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit, i cili do të pasohet edhe nga Betlehemi tradicional: dy skena të gëzueshme, që mbledhin çdo vit mijëra shtegtarë e kureshtarë. Përurimi, siç u njoftua rreth një muaj më parë, do të bëhet të premten, më 11 dhjetor, në orën 16.30, me një ceremoni të kufizuar, për shkak të pandemisë e të kryesuar nga kryetari e nga sekretari i përgjithshëm i Guvernatoratit të Shtetit të Vatikanit. Pema dhe Betlehemi do të mund të shihen në shesh deri më 10 janar 2021, Festa e Pagëzimit të Zotit.

Sllovenia e Italia punojnë së bashku

 Një vinç dhe krahu i tij i fuqishëm e ngritën në këmbë bredhin madhështor prej 28 metrash, me diametër rreth 70 centimetra, që vjen nga njëri prej pyjeve më të bukur të Sllovenisë, në zonën jug-lindore të saj e, pikërisht, nga komuna Kočevje, pranë lumit Rinža. Është zonë 90% e pyllëzuar dhe bën pjesë në listën e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s, si një nga 63 vendet, ku ka pyje të lashta ahu.

Gjithashtu, për territorin slloven, ku lulëzon që nga gjysma e dytë e shekullit të 18-të, ky lloj ahu është një prej më të rëndësishmëve nga pikëpamja ekonomike. Që nga kohërat e lashta, ka qenë dhe mbetet simbol i pjellorisë dhe i frytshmërisë, prandaj, në traditën popullore përdoret shpesh edhe në festa si ajo e 1 majit, ose në solemnitetin e Krishtlindjes. Në rajonin Bela Krajina, për shembull, në festën e Shën Gjergjit, është traditë të mbahet një bredh në procesion, zbukuruar me lule e pëlhurë. Bredhi më i lartë në Evropë – “Sgermova smreka” – ndodhet pikërisht në Slloveni, në masivin malor Pohorje. Arrin në 61.80 metra, rreth 300 vjeç, me një perimetër prej 3 metrash e 54 centimetrash dhe me diametër mbi një metër.

Më shumë se kurrë, gjatë këtij viti pandemik, Krishtlindja pritet me shpresë e besim në Jezu Krishtin, i cili vjen të banojë mes nesh. E kjo ndjenjë bëhet gjithnjë e më e pranishme e më e dukshme pikërisht kur fillon e ngrihet bredhi i Krishtlindjes e kur në çdo shtëpi, fillon e ndërtohet Betelehemi, siç po ndodh tani në Vatikan.

Betlehemi prej qeramike italiane

Nëse bredhi vjen nga Sllovenia, Betlehemi i sivjetëm vjen nga Italia e është prej qeramike me shtatore, që ruajnë përmasat e vërteta njerëzore. Qeramika prodhohet në Castelli, në provincën e Teramos, qendër shumë e rëndësishme që nga shekulli XVI. Simbol kulturor për gjithë rajonin e Abruzzo-s, Betlehemi i sivjetëm është edhe objekt arti bashkëkohor, me rrënjë në traditën e punimit të qeramikës kastelane.

Skena e lindjes së Krishtit është realizuar nga nxënësit dhe mësuesit e Institutit “F.A. Grue”, liceu aktual artistik shtetëror, që, në dekadën 1965-1975, ia kushtoi veprimtarinë e tij mësimore temës së Krishtlindjes. Në Sheshin e Shën Pjetrit do të vendosen vetëm disa prej 54 shtatoreve delikate, në një platformë të ndriçuar prej rreth 125 metra katrorësh, që rrethon pak pjerrtas obeliskun qendror. Skulpturat përfaqësojnë Mbretërit Dijetarë; në qendër, në pikën më të lartë të platformës, do të vendoset grupi skulptor i Lindjes së Krishtit, bashkë me Engjëllin mbi Familjen Shenjte, që simbolizon mbrojtjen hyjnore për Shëlbuesin e njerëzimit, shën Marinë dhe shën Jozefin.

30 nëntor 2020, 13:55