Katolikë kinezë Katolikë kinezë

Zgjatet për dy vite të tjera, Marrëveshja e Përkohshme e Selisë së Shenjtë me Kinën

Njoftimi u dha sot. Arsyet e marrëveshjes shpjegohen në një artikull të gazetës “L’Osservatore Romano”: “fillimi ka qenë pozitiv, falë komunikimit e bashkëpunimit ndërmjet palëve”.

R.SH. - Vatikan

Marrëveshja e përkohshme ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Popullore të Kinës për emërimin e ipeshkvijve është zgjatur “për dy vite të tjera”. Njoftimi jepet me një deklaratë të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, publikuar në ditën kur marrëveshja duhej të përfundonte: “Selia e Shenjtë, duke konsideruar faktin se fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së lartpërmendur - me rëndësi themelore kishtare dhe baritore - është pozitiv, falë komunikimit dhe bashkëpunimit të mirë ndërmjet palëve për çështjet në fjalë, ka ndërmend ta vazhdojë dialogun e hapur dhe konstruktiv për të promovuar jetën e Kishës Katolike dhe të mirën e popullit kinez”. Deklarata për shtyp shoqërohet me një artikull të gjatë për gazetën “L’Osservatore Romano”, në të cilin shpjegohen arsyet e këtij vendimi. “Të dyja palët – lexohet në artikull - vlerësuan aspekte të ndryshme të zbatimit të marrëveshjes dhe ranë dakord, përmes shkëmbimit zyrtar të procesverbaleve, ta zgjasin vlefshmërinë e saj për dy vite të tjera, deri më 22 tetor 2022”.

 Qëllimi kryesor i Marrëveshjes “është të mbështesë dhe të promovojë kumtimin e Ungjillit” në Kinë “duke rivendosur unitetin e plotë dhe të dukshëm të Kishës”. Çështja e emërimit të ipeshkvijve dhe e bashkimit të tyre me Pasardhësin e Pjetrit “ka rëndësi jetike për jetën e Kishës, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë botëror”. Pikërisht ky element “frymëzoi bisedimet dhe ishte pikë referimi për hartimin e tekstit të Marrëveshjes”, që të sigurohet “pak nga pak si uniteti i fesë dhe bashkimi ndërmjet ipeshkvijve, ashtu edhe shërbimi i plotë për bashkësinë katolike të Kinës. Që sot, për herë të parë pas shumë dekadash, të gjithë ipeshkvijtë e Kinës janë në bashkim me Ipeshkvin e Romës dhe, falë zbatimit të Marrëveshjes, nuk do të ketë më shugurime të paligjshme”.

Artikulli shpjegon se me këtë Marrëveshje “nuk janë trajtuar të gjitha çështjet e hapura, ose situatat, që zgjojnë ende shqetësime për Kishën”, por “vetëm argumenti i emërimeve ipeshkvnore”. Duke përmendur fjalimin e fundit të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, në konferencën e PIME, në Milano, artikulli kujton se “ kanë lindur disa keqkuptime” për këtë çështje. Shumë prej tyre lindën pasi iu atribuan Marrëveshjes “objektiva, që ajo nuk i ka”, ose u lidh përmbajtja e saj “me çështje politike, që nuk kanë të bëjnë me vetë Marrëveshjen”.

 Nënshkrimi në Pekin, në shtator 2018, “është pikëmbërritja e një udhëtimi të gjatë”, por “është, mbi të gjitha, pikënisja për marrëveshje më të gjera dhe largpamëse”. Marrëveshja e Përkohshme, teksti i së cilës, “duke pasur parasysh natyrën e saj eksperimentale, është mbajtur i rezervuar, në mënyrë konsensuale, është rezultat i një dialogu të hapur dhe konstruktiv”. Ky “qëndrim dialogues, i ushqyer nga respekti dhe miqësia, dëshirohet dhe promovohet fuqimisht” nga Papa Françesku, i cili “është më se i vetëdijshëm për plagët e shkaktuara në bashkësinë e Kishës në të kaluarën. Pas viteve me bisedime të gjata, filluar dhe vijuar nga paraardhësit, në vazhdimësi të padyshimtë mendimi me ta, ai rivendosi bashkimin e plotë me ipeshkvijtë kinezë të shuguruar pa mandat papnor dhe autorizoi nënshkrimin e Marrëveshjes për emërimin e ipeshkvijve, boca e së cilës, për më tepër, ishte miratuar nga Papa Benedikti XVI” .

“Disa sektorë të politikës ndërkombëtare – lexohet më tej në artikull - janë përpjekur ta analizojnë punën e Selisë së Shenjtë, kryesisht, sipas një hermeneutike gjeopolitike. Ndërsa, në rastin e lidhjes së Marrëveshjes së Përkohshme, për Selinë e Shenjtë çështja është thellësisht ekleziologjike”. Përveç kësaj, “ekziston vetëdija e plotë” se ky dialog “favorizon një kërkim më të frytshëm të së mirës së përbashkët në favor të krejt bashkësisë ndërkombëtare”.

 Përsa u përket rezultateve të arritura deri tani, janë emëruar dy ipeshkvij të rinj, ndërsa po vijojnë “procese të tjera të ndryshme për emërimet e reja” ipeshkvnore. Megjithëse, “statistikisht, ky mund të mos duket si ndonjë rezultat i shkëlqyer, ai, gjithsesi, përfaqëson një fillim të mbarë, me shpresën për të arritur hap pas hapi objektiva të tjera pozitive”. Edhe sepse emergjenca shëndetësore e shkaktuar nga pandemia ka ndikuar në kontaktet ndërmjet dy palëve dhe në zbatimin e Marrëveshjes.

 “Zbatimi i Marrëveshjes, me pjesëmarrjen gjithnjë e më të frytshme e më aktive të Episkopatit kinez, po merr rëndësi të madhe për jetën e Kishës Katolike në Kinë dhe, rrjedhimisht, edhe për Kishën Universale. Në këtë kuadër, duhet parë edhe qëllimi baritor i Selisë së Shenjtë për të ndihmuar katolikët kinezë, prej kohësh të përçarë, të japin sinjale pajtimi, bashkëpunimi dhe bashkimi për kumtimin e risuar e më të frytshëm të Ungjillit në Kinë”.

“E kemi për detyrë të pranojmë - përfundon artikulli - se janë akoma të pranishme gjendje me vuajtjeve të mëdha. Selia e Shenjtë është thellësisht e vetëdijshme për këtë, e ka parasysh dhe nuk mungon t’i tërheqë vëmendjen qeverisë kineze për të favorizuar ushtrimin më të frytshëm të lirisë fetare. Rruga është akoma e gjatë dhe jo pa vështirësi”. Selia e Shenjtë shpreson që Marrëveshja e Përkohshme dhe zgjatja e saj “do të kontribuojnë në zgjidhjen e çështjeve ende të hapura, me interes të përbashkët, duke iu referuar veçanërisht jetës së bashkësive katolike në Kinë, si edhe promovimit të horizontit ndërkombëtar të paqes, në një kohë kur po përjetojmë tensione të shumta në të gjithë botën”.

22 tetor 2020, 12:21