Kërko

La Madonna del Rosario La Madonna del Rosario 

Tetori - muaji i Rruzares e muaj misionar

Kujtojmё dy aspekte të veçanta, që lidhen me muajin tetor: Rruzaren dhe Misionet.Kisha na fton të rizbulojmё bukurinë e kësaj urate kaq të thjeshtë e kaq të thellë, që e donte aq shumë Papa Shёn Gjon Pali II, “Apostulli i madh i Rruzares”, Shenjta Nёnё Terezё e sa e sa tё tjerё, sepse Rruzarja është lutje kundruese e kristocentrike, uratë e të krishterit që ecën përpara në shtegtimin e fesë.

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike na fton, që gjatë këtij muaji tetor, ta lusim Rruzaren në familje, ndër bashkësi e ndër famulli kishtare sipas ndjeteve të Papës, për misionin në Kishë dhe për paqen në botë. Kisha, pra, na fton edhe të reflektojnë mbi mesazhin qё pёrmban lutja e Rruzares dhe tё impenjohemi nё misionaritetin e jetёs sё pёrditshme, duke ndihmuar nё mёnyrё tё veçantё misionin e Kishёs kudo nё botё, të cilit i kushtohet posaçërisht muaji tetor.

Tetori lidhet me misionet

Po kujtojmё dy aspekte të veçanta, që lidhen me këtë muaj tetor: Rruzaren dhe Misionet. Misioni i Kishës, vijim i atij të Krishtit, është t’u çojë të gjithëve dashurinë e Hyjit, duke e kumtuar me fjalë e me dëshmi konkrete bamirësie. Prandaj, Kisha na kujton impenjimin misionar, të cilit i kushtohet në mënyrë të veçantë muaji në vijim, si dhe Ditën Misionare Botërore e cila do te kremtohet mё 18 tetor tё ardhshёm, qё sivjet ka si temё "Ja ku jam, më dërgo mua” (Is 6,8). Në këtë vit 2020 të ngarkuar me vuajtje e sfida, shkaktuar nga pandemia e Covid 19 – kujton Papa  Françesku në Mesazhin e tij - udha misionare e Kishës vijon në dritën  e fjalës, që e gjejmë në tregimin e Isaisë Profet kushtuar thirrjes: “Ja ku jam, më dërgo mua!”. E pikërisht kjo është përgjigjja, gjithnjë e re, që i jepet thirrjes. Përgjigje, e cila vjen nga zemra e Zotit.

Kështu, muaji tetor na ndihmon ta kujtojmë këtë të vërtetë themelore, ta mbajmë gjallë në çdo bashkësi frymën misionare dhe të mbështesim punën e priftërinjve, të rregulltarëve, rregulltareve e laikëve si dhe të gjithë atyre që ndodhen në radhët e para të frontit të misionit të Kishës kudo në botë. Kumtimi i Ungjillit mbetet shërbimi i parë që Kisha duhet t’i bëjë njerëzimit, për t’i propozuar shëlbimin e Krishtit njeriut të kohës sonë, të poshtëruar e të shtypur në shumë forma e për t’i orientuar në drejtimin e krishterë shndërrimet kulturore, shoqërore dhe etike, që vijojnë në botë.

Tetori lidhet me Rruzaren

Aspekti tjetër i tetorit është lutja e Rruzares Shenjte. Këtë na e kujton Kisha, duke na ftuar të rizbulojmё bukurinë e kësaj urate kaq të thjeshtë e njëkohësisht kaq të thellë, që e donte aq shumë Papa Shёn Gjon Pali II, “Apostulli i madh i Rruzares”, Shenjta Nёnё Terezё e sa e sa tё tjerё, sepse Rruzarja lutje kundruese e kristocentrike, uratë e të krishterit që ecën përpara në shtegtimin e fesë.

Figura tradicionale e Zojës Rruzare, na paraqet Marinë në sa me njërin krah mban Foshnjën Hyjnore - Jezusin dhe me tjetrin i jep Shën Dedës ‘Rruzaren’. Kjo ikonografi kuptimplote tregon se Rruzarja është mjet që Zoja e Bekuar na e dhuron për të kundruar Jezusin e, duke medituar për jetën e Tij, për ta dashur e për ta ndjekur pas gjithnjë e më besnikërisht. E Zoja na ka porositur ta themi Rruzaren çdo ditё.

Më 5 shtator 1898 Papa Leoni XIII, ndërmjet tjerash, shkruante kështu në letrën e tij enciklike “Diuturni temporis”: “Pasi kemi ngulitur… me thirrjet Tona të përsëritura, praktikën e Rruzares Shenjte, Ne, duke ndjekur shembullin e Paraardhësve tanë, i kemi kushtuar vëmendje të posaçme zhvillimit e solemnitetit të kultit. Nga paraardhësit tanë, qe Siksti V ai që e miratoi zakonin e lashtë për të thënë Rruzaren; Gregori XII themeloi festën e Rruzares; Klementi VIII e përfshiu në martiriolog; Klementi XI e shtriu në të gjithë Kishën e Benedikti XIII e radhiti, pastaj, në Shkurtoren romake. Kështu ne, duke dëshmuar vlerësimin e madh për këtë formë përshpirtërie, përveç se dekretuam që festa e lartpërmendur dhe oficja e saj të kremtohen në mbarë Kishën… deshëm edhe që gjithë muaji i tetorit t’i kushtohet këtij devocioni. Së fundi, porositem që në Litanitë Lauretane të shtohet lutja drejtuar: “Mbretëreshës të së Shenjtnueshmes Rruzare”.

Rruzarja e Zojës së Bekuar mori hov të veçantë në mijëvjeçarin e dytë përmes frymëzimit të Shpirtit të Zotit. Ishte lutja më e dashur për shumë shenjtorë. E inkurajuar nga papët e Kishës për thjeshtësinë e thellësinë e saj, mbetet edhe në mijëvjeçarin e tretë, që sapo ka filluar, lutje me kuptim të jashtzakonshëm, e paracaktuar të sjellë fryte shenjtërie. Bën pjesë në kuadrin e rrugës shpirtërore të krishterimit i cili, pas dymijë vjetësh, nuk e ka humbur aspak freskinë e zanafillës dhe ndjen si Shpirti i Hyjit e shtyn përsëri të dalë në det të hapur, për t’i kumtuar me zë të lartë botës Krishtin si Zot e Shëlbues, si Rruga, e Vërteta e Jeta, siç shprehet Shën Gjoni në kapitullin e 14-të të Ungjillit të tij - e vatër në të cilën ndriçojnë e ngrohin idealet e historisë së qytetërimit, siç e vërteton rruga e historisë së njerëzimit.

Këtë na e kujton Papa Shën Gjon Pali II në letrën apostolike ”Ruzarja e Virgjërës Mari”, përmes së cilës thekson se "Rruzarja, e cila karakterizohet nga fizionomia mariane, është lutje me zemër kristologjike". Në thjeshtësinë e elementeve të saj, Rruzarja ka në vetvete gjithë thellësinë e mesazhit ungjillor, duke u bërë kështu gati-gati një përmbledhje e tij.

Në uratën e Rruzares Shenjte kumbon lutja e Marisë, “Madhërimi” i përhershëm i Zotit për veprën e mishërimit shpërblyes, që zu fill në kraharorin e saj. Me të, populli i krishterë ulet në bankat e shkollës së Marisë, prej nga Nëna e Krishtit i prin drejt kundrimit të bukurisë së fytyrës së Birit dhe përvojës së thellësisë së dashurisë së Tij. Përmes Rruzares, i krishteri nxjerr hiret prej Hyjit Atë, të cilat i duket sikur i merr nga vetë duart e Nënës së Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit.

12 tetor 2020, 16:16