Santa Teresa di Lisieux Santa Teresa di Lisieux  (Joachim Schäfer - Ökumenisches Heiligenlexikon)

Tereza e Krishtit Fëmijë, që shkoi në qiell, për të bërë mirë në tokë!

Për Terezën gjithçka është e qartë: me lutjet e saj mund t’i bëjë të lumtur të tjerët. Ka një dashuri të zjarrtë për Zotin e për të gjithë njerëzit. Prej kohe mendon të bëhet rregulltare, kërkon lejë të hyjë në kuvend pa i mbushur ende të pesëmbëdhjetat. Lë familjen, me një ëndërr të krisur në kokë: ta ndryshojë botën me armët e lutjes e të dashurisë. Ide e çuditshme, apo jo?

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike kremton sot me 1 tetor një nga Shenjtoret më të dashura në botë, Terezën e Lisië-s, shën Terezën e Krishtit Fëmijë nga e cila mësojmë shkencën e vërtet të dashurisë. Shpirt i dashuruar pa masë me Krishtin e me të gjithë njerëzit, nga meshtarët tek ata që janë larg Krishtit, Shenjtorja karmelitane e mbushi me dritë mbarë Kishën me doktrinën e saj të thellë shpirtërore.

Historia e shën Terezës së Krishtit Fëmijë u bë e famshme pikërisht nga jetëshkrimi saj “Historia e një shpirti”. Është libër, që pati një sukses të menjëhershëm. U përkthye në shumë gjuhë e u përhap në mbarë botën. Historia e një shpirti është histori e mrekullueshme Dashurie, e treguar me vërtetësi, thjeshtësi e freski të tillë, që e mahnit menjëherë lexuesin!

Shenjtorja shkruan, mes tjerash, një lutje, që flet për tërë orientimin e jetës së saj: i kërkon Krishtit dhuratën e dashurisë së pafundme, i kërkon të jetë më e vogla ndërmjet njerëzve e, sidomos, i kërkon, me gjithë zemër, shëlbimin e mbarë njerëzimit. Duke ia kushtuar gjithë jetën, i drejton uratën: “Të lutem, o Zot, që sot të mos dënohet asnjë shpirt Po cila është kjo dashuri, që e mbushi përplot gjithë jetën e Shën Terezës, që nga foshnjëria, deri në vdekje? Miq të shtrenjtë, kjo dashuri ka një Emër. Quhet Jezus!

Në vijim ju propozojmë rubrikën radiofonike “365 ditё” të Radio Vatikanit të 08 tetorit 2008 kushtuar shën Terezës së Krishtit Fëmijë 

“Baba, baba! Pranxini shpëtoi! Shkruhet në gazetë: puthi kryqin para se të vdiste! Oh, të falënderoj me gjithë zemër, o Zot!”
Tereza nuk është në vete nga gëzimi. Ka ditë që lutet e ia mblaton Zotit mundim e djersë për të shpëtuar Pranxinin, një njeri të dënuar me vdekje. Jo për ta shpëtuar nga gijotina, për fat të keq, sepse kjo nuk është e mundur, por nga vdekja larg Zotit; e kjo, po, është e mundur. Tereza e beson plotësisht. Në se Pranxini zbulon se Zoti e do, edhe pse është kriminel, mund të pendohet në çastin e fundit. Kështu vasha lutet papushim për njeriun, të cilit do t’i pritet koka… Nuk e njeh, s’e ka parë kurrë, por megjithatë, vijon të lutet… E ja që krimineli kërkon falje e Zoti e pret si bir.
Për Terezën kjo ngjarje është shenjë e marrëveshjes me qiellin. Tani gjithçka është e qartë: me lutjet e saj mund t’i bëjë të lumtur të tjerët. Tereza ka një dashuri të zjarrtë për Zotin e për të gjithë njerëzit. Prej kohe mendon të bëhet rregulltare. Në këtë çast, më e vendosur se kurrë, kërkon lejë të hyjë në kuvend pa i mbushur ende të pesëmbëdhjetat. Lë përgjithnjë familjen, me një ëndërr të krisur në kokë: ta ndryshojë botën me armët e lutjes e të dashurisë. Ide e çuditshme, apo jo?
Jeta në kuvend nuk është gjithnjë e lehtë, por Terezës i mjafton një gjest i vogël, për ta dashur tjetrin. Dëshiron të bëhet shenjte plotësisht, e jo përgjysmë. Por sa e vështirë është kjo për njeriun, i cili nuk është kurrë i përkryer... Atëherë, për t’ju afruar sa më shumë Zotit, ajo gjen ‘rrugën e saj’, një truk tepër të thjeshtë: t’i besojë Jezusit e të mos jetë “shpirt i privilegjuar”, kampione olimpike e fesë, por një vajzë si gjithë të tjerat, me të mirat e të këqijat e saj. E këtë nis ta shkruajë në Ditarin personal:
“Më duhet ta pranoj veten kështu siç jam, me të gjitha të metat e mia, por dua të kërkoj mënyrën për të shkuar në qiell nëpër një rrugë të vogël, krejt të re. Sa mirë do të ishte po të shpikja një ashensor, që të ngre menjëherë lart, lart, te Jezusi, sepse jam tepër e brishtë për t’i ngjitur një nga një këmbët e shkallës së përsosurisë…Ashensori, që duhet të më lartojë deri tek Ti, janë krahët e tu, Jezus!”.
Pavarësisht nga vështirësitë e mëdha, që i krijon një sëmundje tepër e rëndë, e cila detyron të zërë krevatin, Tereza ka besim të plotë në dashurinë e Zotit.
Pas vdekjes së rregulltares, më 30 shtator 1897, motrat zbulojnë Ditarin e saj. E habitshme! Asnjëra nuk e kishte përfytyruar se mund të kishte shkruar kaq bukur për Zotin!
Në vitin 1925 Tereza u shpall shenjte. Më 1997 Gjon Pali II e deklaroi ‘Dijetare e Kishës’, për idenë mahnitëse që pati… atë të ashensorit!

(Nga rubrika radiofonike “365 ditё” Radio Vatikanit 08.10.2008 RV)

01 tetor 2020, 09:26