Kërko

Vatican News

Shtëpia Botuese e Vatikanit përforcon praninë e saj në internet

Një faqe në internet për të përmirësuar marrëdhëniet me publikun, duke ia lehtësuar kërkimin e librave dhe duke e njoftuar për nismat e reja editoriale.

R.SH. - Vatikan

Në internet, faqja e re e Shtëpisë Botuese të Papës. Një projekt që, përveç pamjes së re grafike, përfshin edhe disa funksione shtesë për të dialoguar më mirë me lexuesit. “Është faqe interneti editoriale dhe komunikimi”, shpjegon përgjegjësi editorial i Shtëpisë Botuese të Vatikanit (LEV), fra Giulio Cesareo, duke përmendur, në një intervistë për Vatican News, mjetet e zgjedhura për të shërbyer më mirë publikun. “Ndërmjet tyre - tregon ai - ka ekskluzivitete, videointervista me autorët dhe njoftime për paraqitjen e librave”, si edhe një buletin periodik.

Përmbajtja e faqes së internetit

          “Qëllimi - shton françeskani - është t’u jepet të gjithëve mundësia për t’iu afruar këtij aeropagu të reflektimit të Kishës”. Kryefaqja i kushtohet seksionit të videos, me klipe për librat, realizuar nga Vatican News. Pastaj, paraqitet katalogu, i ndarë në katër seksione - Papa, Vatikani, Kisha dhe Bota - në harmoni me linjën editoriale të Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikimin.

Një sistem intuitiv

          Është thjeshtuar sistemi i kërkimit, përmes një butoni të caktuar. “Është mjaft intuitive të gjesh një vëllim - thotë fra Giulio - nuk ka nevojë të mbash mend fjalët e sakta, thjesht shkruaj emrin e autorit ose temën”. E nëse dëshiron të blesh një libër? “Megjithëse faqja nuk ka synime thjesht tregtare – saktëson përgjegjësi i LEV - edhe kjo është e mundur. Sa herë që zgjidhet një libër, ka një buton, që çon automatikisht në një nga platformat më të njohura të shitblerjes dixhitale”.

Pandemia

          Gjatë intervistës, fra Giulio Cesareo vë në dukje se kur njerëzit u detyruan të mbyllen në shtëpi, për shkak të pandemisë, kërkesa për libra u rrit, por u zvogëlua, me ardhjen e verës, ndoshta, edhe pse njerëzit dëshironin të dilnin nga shtëpitë, pas kaq muajsh brenda. Gjatë asaj periudhe, Shtëpia Botuese e Vatikanit, ashtu si editorë të tjerë, vuri në dispozicion të lexuesve disa tituj për lexim falas. “Përveç kësaj - kujton përgjegjësi – realizuam disa botime enkas. Më i njohuri është sigurisht ‘Të fortë në mundime’, që përmbledh të gjitha ndërhyrjet e Papës në atë periudhë plus disa lutje të traditës së krishterë mbi vështirësitë e përballuara nga njerëzimi në të kaluarën”. Titulli tjetër është “Jeta pas pandemisë”, me një përzgjedhje të teksteve më domethënëse të Françeskut, për të ndihmuar reflektimin mbi rimëkëmbjen. “Të dyja vëllimet - nënvizon françeskani - janë në dispozicion në 5 gjuhë”.

Leximi i librave

          Nëse në përgjithësi nuk ka pasur ndonjë rritje të leximit, sipas fra Giulio Cesareo-s, libri do të vazhdojë të ketë peshë në të ardhmen në masën, me të cilën botuesit do të jenë në gjendje të kapin nevojat konkrete të brezit aktual. “Nuk mendoj se është çështje, që lidhet me mjetin, sepse në ambientin dixhital nuk më duket se një medium zëvendëson ose vret tjetrin, siç konfirmohet nga qëndrueshmëria e radios. Problemi qendror - përfundon ai - është se çdo medium duhet të specializohet gjithnjë e më shumë”.

06 tetor 2020, 08:21