Kërko

VATICAN USA POMPEO DIPLOMACY VATICAN USA POMPEO DIPLOMACY 

Parolin – Pompeo, takim nё shenjё respekti e përzemërsie

Bisedime ndërmjet Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Pompeo dhe Sekretarit të Shtetit të Selisё sё Shenjtё , kardinalit Parolin, u zhvilluan “nё një atmosferë respekti e përzemërsie”. Palёt paraqitën qëndrimet e tyre mbi marrëdhëniet me Kinën. Gjatё takimit u bisedua edhe mbi disa zona konflikti dhe krize, veçanërisht pёr Kaukazin, Lindjen e Mesme dhe Mesdheun Lindor.

R.SH. - Vatikan

Zgjatën rreth 45 minuta bisedimet e sotme qё u zhvilluan “nё një atmosferë respekti e përzemërsie” ndërmjet Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo dhe Sekretarit të Shtetit të Selisё sё Shenjtё , kardinalit Pietro Parolin, shoqëruar nga kryeipeshkvi Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet. Kёshtu njofton drejtori i zyrës së Shtypit të Selisё sё Shenjtë Mateo Bruni, duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

"Palёt paraqitën qëndrimet e tyre respektive mbi marrëdhëniet me Republikën Popullore të Kinës, në një atmosferë të përzemërt e respekti. Gjatё takimit u bisedua gjithashtu edhe mbi disa zona të konflikti dhe krize, veçanërisht pёr Kaukazin, Lindjen e Mesme dhe Mesdheun Lindor”.

Siç dihet, në javët e fundit disa deklarata nga Sekretari i Shtetit Pompeo kundër Marrëveshjes sё Përkohshme nënshkruar dy vjet më parë nga Selia e Shenjtë dhe Republika popullore e Kinës patёn provokuar diskutime në media. Selia e Shenjtë, siç ka deklaruar disa herё kardinali Parolin, ka ndërmend të propozojë rinovimin e marrëveshjes ende një formë të përkohshme, duke nënvizuar natyrёn e saj të pastёr baritore, që ka për qëllim vetëm të sigurojë që ipeshkvijtë kinezë të jenë në bashkim të plotë me pasardhësin e Pjetrit.

01 tetor 2020, 14:18