Kërko

Vatican News
2020.10.14 Udienza Generale 2020.10.14 Udienza Generale  (Vatican Media)

Papa: nё audiencën e përgjithshme Komiteti pёr shndërrimin e arsenaleve bёrthamore

"Përmes iniciativave konkrete - shkruan L'Osservatore Romano - Komiteti synon të konvertojë arsenalin aktual bërthamor për të ofruar burime për zhvillimin e mikro-projekteve të nevojshme në të gjitha zonat që vuajnë nga varfëria në botë. Nё kёtё mёnyrё ndihmon edhe në zhdukjen e padrejtësisë sё urisё, si dhe nё reduktimin e kërcënimit tё një apokalipsi bërthamor".

R.SH. - Vatikan

Në Sallën Pali VI nё Vatikan, dje, me rastin e audiencës së përgjithshme të Papës Françesku, ishin tё pranishëm edhe përfaqësuesit e Komitetit për Qytetërimin e Dashurisë, të angazhuar në shndërrimin e arsenaleve bërthamore në projekte zhvillimi kundër urisë në botë.

"Përmes iniciativave konkrete - shpjegon e përditshmja e Vatikanit L'Osservatore Romano - Komiteti synon të konvertojë arsenalin aktual bërthamor për të ofruar burime për zhvillimin e mikro-projekteve të nevojshme në të gjitha zonat që vuajnë nga varfëria në botë. Nё kёtё mёnyrё ndihmon edhe në zhdukjen e padrejtësisë sё urisё si dhe nё reduktimin e kërcënimit gjithnjë e më tё madh tё një apokalipsi bërthamor ".

Përdorimi i energjisë atomike për qëllime luftarake është krim e, të vazhdosh eksperimentet në këtë drejtim, mbetet kërcënim i vazhdueshëm për paqen. Këto ishin pikat kryesore të fjalimit, mbajtur nga imzot Frederik Hansen, i ngarkuar me punë pranë Misionit të Vëzhguesit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë, në OKB-në e New Yorkut. Më 26 gushtin e kaluar, me rastin e një takimi për promovimin e Ditës ndërkombëtare kundër provave bërthamore.

Selia e Shenjtë është e gatshme për t’i mbështetur të gjitha përpjekjet e OKB-së për hyrjen në fuqi të Traktatit për ndalimin e plotë të eksperimenteve bërthamore(CTBT), nënshkruar në vitin 1996. Këtë theksoi imzot Frederik Hansen, gjatë fjalimit mbajtur në Pallatin e Qelqit, në New York, më 26 gusht 2020, me rastin e takimit virtual të përkujtimit  e të promovimit të Ditës Ndërkombëtare kundër testeve bërthamore, që u kremtua më 29 gusht 2020.

Testet, që vijojnë e që e kërcënojnë paqen

“Kaluan tre çerekë shekulli, qëkur në Shkretëtirën e Meksikës së Re, në SHBA - pohoi imzot Hansen - u bënë provat e armëve bërthamore, të quajtura  gabimisht ‘Trinity’. Asokohe vijuan më se 2.000 prova, nga të cilat gjashtë vetëm në këtë shekull - vijoi -  duke shkaktuar dëme  ambientale e duke ndikuar tejet keqas mbi shëndetin e  njerëzve, që jetonin pranë vendit ku bëheshin provat, e ku do të pësonin, pastaj, pasojat e radioaktivitetit, përhapur në atmosferë. Shpresohet - uroi - që prova bërthamore e bërë tri vjet më parë, të jetë e fundit.

Duhet punuar, për ndalimin  e plotë të eksperimenteve

Është koha “t’i jepet fund prodhimit të armëve bërthamore”. Lëndët radioaktive duhet të përdoren vetëm për veprimtari paqësore e jo për qëllime ushtarake. Për këtë arsye, është themelore që Komisioni përgatitor i Traktatit për ndalimin e plotë të eksperimenteve bërthamore të punojë me shtatë shtetet, ratifikimet e të cilave janë të nevojshme për hyrjen e tij në fuqi - shpjegoi-  e që këto shtete të binden se siguria kombëtare dhe ndërkombëtare mund të fuqizohen vetëm  me hyrjen në fuqi  të CTBT.

Prova të tjera bërthamore nuk mund të bëjnë tjetër, veçse të ndikojnë negativisht mbi sigurinë globale e, prej këndej, edhe mbi paqen e stabilitetin e të gjitha shteteve anëtare të OKB-së, e edhe të popujve, që përfaqësojnë. Traktati, sipas Selisë së Shenjtë, është hap themelor për krijimin e një bote pa armë bërthamore!

Angazhimi i OKB-së duhet gjallëruar

Në vitin, gjatë të cilit kremtohet 75-vjetori i bombës atomike, duke kujtuar viktimat, imzot Hansen ftoi për ta përtërirë frymën me të cilën u themeluan Kombet e Bashkuara e për ta  thelluar impenjimin për një botë pa armë bërthamore. E ky objektiv bëhet gjithnjë më urgjent në rrethanat e pandemisë globale, që po tregon sa absurde  është t’i përdorësh  burimet e çmuara për mirëmbajtjen e armëve të shkatërrimit në masë, kur Planeti dhe njerëzit, që e banojnë, luftojnë për shpëtimin  e jetëve në masë! 

14 tetor 2020, 17:51