2019.07.12 mons. Marcello Semeraro, vescovo di Albano 2019.07.12 mons. Marcello Semeraro, vescovo di Albano

Papa emëron imzot Semeraron, prefekt të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve

72 vjeç, puljez, imzot Marcello Semeraro, deri tani, kryente detyrën e ipeshkvit të Albanos dhe atë të sekretarit në Këshillin e Kardinajve.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku emëroi sot imzot Marcello Semeraro-n, aktualisht ipeshkëv i Albanos (Itali), si prefekt të ri të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Ai merr postin e kardinalit Giovanni Angelo Becciu, i cili dha dorëheqjen nga detyra më 24 shtator.

Imzot Semeraro, që mbush 73 vjeç në dhjetor, u lind në Monteroni di Lecce-s, në Pulia të Italisë. I shuguruar meshtar në vitin 1971, u emërua ipeshkëv i Oria-s nga shën Gjon Pali II, më 1998. Më 1 tetor 2004 u transferua në Kishën Suburbikare të Albanos. Aktualisht është Administrator Apostolik ad nutum Sanctae Sedis i Manastirit Hekzarkik të Shën Marisë në Grottaferrata dhe Legat Papnor në Urdhrin Bazilian të Italisë, ku shërbejnë si rregulltarë shumë arbëreshë e, edhe ndonjë shqiptar i ardhur vitet e fundit.

Imzot Semeraro filloi formimin e tij meshtarak në Seminarin Rajonal Papnor Puljez Piu XI në Molfetta dhe, më pas, përfundoi studimet teologjike në Fakultetin e Teologjisë të Universitetit Papnor Lateranens në Romë, ku mori liçencën dhe doktoraturën në Teologjinë dogmatike. Dha mësim në Institutin Teologjik Puljez dhe më pas, edhe lëndën e Ekleziologjisë në Fakultetin e Teologjisë të Universitetit Papnor Lateranens. Ka botuar disa libra, artikuj dhe zëra fjalori mbi temën e Ekleziologjisë. Pas shugurimit ipeshkvnor, ka botuar tekste mbi baritorinë dhe përshpirtërinë meshtarake, ndër të cilët: “Dëgjimi dhe shërimi i zemrës. Shoshitja në jetën e barinjve të Kishës” (LEV) me “Parathënie” të shkruar nga Papa Françesku.

Ka qenë Sekretar i veçantë i Asamblesë X të Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, me temë: “Ipeshkvi: shërbëtor i Ungjillit të Jezu Krishtit për shpresë në botë”. Mori pjesë si anëtar, i emëruar nga Papa, në Asamblenë XIV të Përgjithshme të Zakonshme mbi “Thirrjen dhe misionin e familjes në Kishë dhe në botën bashkëkohore”; në Asamblenë XV të Përgjithshme të Zakonshme me temë: “Të rinjtë, feja dhe shoshitja e thirrjes”, si edhe në Asamblenë e Posaçme për Rajonin Pan-Amazonik në vitin 2019.

Që nga viti 2013, imzot Semeraro është sekretar i Këshillit të Kardinajve, që ndihmojnë Atin e Shenjtë në mbarështimin e Kishës Universale, detyrë, që sot, Papa ia besoi imzot Marco Mellino-s, aktualisht ndihmës sekretar. Imzot Marcello Semeraro ishte që nga viti 2009 edhe anëtar i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Njëkohësisht, ai është anëtar i Dikasterit për Komunikimin dhe këshilltar i Kongregatës për Kishat Lindore. Së fundi, për Konferencën Ipeshkvnore të Lazio-s, ai është kryetar i Komisionit Rajonal për Doktrinën e Fesë, kumtimin dhe katekizmin; anëtar i Komisionit Ipeshkvnor të CEI për Doktrinën e Fesë, kumtimin dhe katekizmin dhe kryetar i Bordit të “Avvenire - Nuova Editrice SpA”.

Më 21 shtatorin e vitit të kaluar, Papa Françesku shkoi për vizitë baritore pikërisht në Albano, ku u prit nga ipeshkvi dioqezan, imzot Marcello Semeraro.

15 tetor 2020, 15:45