2018-05-23 Papa Francesco Udienza Generale in piazza san Pietro 2018-05-23 Papa Francesco Udienza Generale in piazza san Pietro 

Papa: dhembshuria forcë e vërtetë e shoqërisë

Papa: Dhembshuria është dashuri që bëhet e afërt dhe konkrete. Është një lëvizje që fillon nga zemra dhe arrin tek sytë, veshët, duart. Dhembshuria është udha që kanë përshkuar burrat dhe gratë më guximtarë dhe më të fortë. # FratelliTutti.

R.SH. - Vatikan

"Dhembshuria është dashuri që bëhet e afërt dhe konkrete. Është një lëvizje që fillon nga zemra dhe arrin tek sytë, veshët, duart. Dhembshuria është udha që kanë përshkuar burrat dhe gratë më guximtarë dhe më të fortë. # FratelliTutti". Kështu pohon Papa Françesku në një tweet, sot më 13 tetor 2020, botuar në faqen e internetit @Pontifex.

Të punojmë për të krijuar një kulturë të vërtetë takimi, që të fitojë mbi kulturën e indiferencës. Papa Françesku beson në dashurinë, në forcën tërheqëse të dashurisë, prej këndej edhe qëndrimi kritik ndaj sjelljeve, që synojnë ta rregullojnë gjithçka me norma, si dhe ndaj atyre, që mendojnë se mjafton të jesh në rregull me ligjin.

Dhembshuria forcë e vërtetë e shoqërisë

Forca e një bashkësie shihet nga dhembshuria e saj për më të brishtët: kështu u tha Papa Françesku 3 mijë pjesëmarrësve të Takimit romak, organizuar më 2016 nga “Harvard World Model United Nations” (Modeli Botëror i Harvardit për Kombet e Bashkuara). Gjatë audiencës së 17 marsit 2016, në Sallën Pali VI, në Vatikan. Studentët universitarë nga 115 vende të botës, të cilët i kanë vënë vetes detyrë t’i shpjegojnë planetit veprimtarinë, që zhvillon OKB-ja dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë, si edhe të nxjerrin nga gjiri i tyre liderët botërorë të së ardhmes.

Problemet e botës kanë fytyrë

Kombet e Bashkuara e secili prej vendeve anëtare, nënvizoi më 17 mars 2016 Papa Françesku, duhet të jenë gjithnjë të gatshëm t’u shërbejnë të mënjanuarve të shoqërisë. Sipas Atit të Shenjtë Bergoglio, nevojiten struktura bashkëpunimi e solidariteti, të cilat të vendosin gjithnjë njeriun në qendër të veprimtarisë së tyre, sepse problemet kanë gjithnjë një fytyrë. Pas çdo vështirësie, theksoi Papa, ka  e janë burra e gra, të rinj e të moshuar, njerëz si ne: “Ka familje dhe individë, që jetojnë çdo ditë përpiqen të kujdesen për bijtë e tyre e t’ua plotësojnë kërkesat, jo vetëm për të ardhmen, por edhe për nevojat elementare të sotme”.

Dhembshuria për të tjerët është forca e një bashkësie

Këta njerëz kanë nevojë për ndihmë, ngriti zërin Papa Françesku. Ata kërkojnë të dëgjohen e janë plotësisht të denjë që ne të bëjmë ç’është e mundur për t’u dhënë drejtësi, paqe e solidaritet: “Forca jonë si bashkësi, në çfarëdolloj niveli të jetës e të organizimit shoqëror, bazohet jo aq në njohuritë tona e në aftësitë personale, sa në dhembshurinë që tregojmë ndaj njëri-tjetrit, në kujdesin që praktikojmë sidomos për ata, të cilët nuk mund të kujdesen për vetveten”.

Të kujdesemi për tjetrin, thirrje për gjithë njerëzimin

Papa kujton impenjimin e Kishës Katolike në shërbimin për të varfërit, për refugjatët e familjet, sidomos për mbrojtjen e dinjitetit të patjetërsueshëm dhe të të drejtave të çdo njeriu: “Ne të krishterët besojmë se Jezusi na thërret t’u shërbejmë vëllezërve dhe motrave tona, të kujdesemi për të tjerët, pavarësisht nga prejardhja e tyre apo nga rrethana të tjera. Megjithatë, kjo nuk është diçka, që i dallon vetëm të krishterët, por është thirrje universale, e rrënjosur në humanitetin tonë të përbashkët, diçka që e kemi brenda si njerëz!”.

Dhembshuria nuk është pietizëm, fiton mbi indiferencën

Dhembshuria nuk është pietizëm, por shprehje e mëshirës së Zotit. Për Jezusin, të kesh mëshirë do të thotë ta ndash trishtimin me njeriun që takon e të përpiqesh t’ia shndërrosh këtë trishtim në gëzim. Këtë pohoi Papa më 15 maj 2016, gjatë audiencës jubilare, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Dhembshuria nuk është pietizëm, emocion i përciptë ky, që e fyen tjetrin. Dhembshuria nuk duhet ngatërruar as me keqardhjen, që ndjejmë për kafshët, të cilat jetojnë pranë nesh: “Ndodh që nganjëherë e provojmë këtë ndjenjë ndaj kafshëve, ndërsa mbajmë qëndrim fare indiferent përballë dhimbjes së vëllezërve. Sa e sa herë shikojmë njerëz të lidhur fort me maçokë e qen, të cilët pastaj s’e kanë për gjë ta lënë pa ndihmë të uriturin a të uriturën, që e kanë fare pranë”.

Dhembshuria është shprehje e mëshirës së Zotit

Dhembshuria, për të cilën po flasim - shtoi Papa - është shprehje e mëshirës së vetë Zotit. Njerëzve të sëmurë, të pushtuarve nga djalli, të varfërve ose të munduarve - kujtoi në vijim - Jezusi u përgjigjej me një shikim plot mëshirë, duke i ngushëlluar me praninë e Tij: “Për Jezusin, të kesh mëshirë, është njëlloj si ta ndash trishtimin me atë që takon e, njëkohësisht, të bësh çmos për ta shndërruar në gëzim. Edhe ne jemi të thirrur t’i kultivojmë sjelljet plot dhembshuri në një mori situatash të jetës, duke e shkundur nga vetja indiferencën, sepse na pengon për t’i parë nevojat e vëllezërve, që na rrethojnë e edhe për t’i çliruar nga skllavëria e mirëqenies materiale”.

13 tetor 2020, 13:53