Vizita e Papës Françesku në Sinagogën e Romës (2016) Vizita e Papës Françesku në Sinagogën e Romës (2016)

“Nostra aetate”: Magna Carta e marrëdhënieve kristiano-hebraike

Në një komunikatë të përbashkët, Komisioni i Vatikanit për Marrëdhëniet Fetare me Hebrenjtë dhe Komiteti Ndërkombëtar Hebraik për Konsultimet Ndërfetare ripohojnë rëndësinë e deklaratës konciliare, 55 vite pas botimit të saj.

R.SH. - Vatikan

Mban datën 28 tetor 1965 dokumenti i Koncilit II të Vatikanit “Nostra aetate”, që shënoi një kthesë të rëndësishme në marrëdhëniet ndërmjet krishterimit dhe judaizmit. 55 vite pas kësaj deklarate, në një komunikatë të përbashkët, Komisioni i Vatikanit për Marrëdhëniet Fetare me Hebrenjtë dhe Komiteti Ndërkombëtar Hebraik për Konsultimet Ndërfetare ripohojnë vlerën e pamohueshme të saj. Ky përvjetor ishte planifikuar të përkujtohej në fund të tetorit, në Sao Paulo të Brazilit, por pandemia i detyroi organizatorët të heqin dorë nga takimi, duke vendosur për publikimin e komunikatës së përbashkët.

Koch: gur kilometrik në dialogun ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve

 “Me të drejtë, mund të konsiderohet ‘Magna Carta’ e dialogut hebraiko-katolik”, pohon kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, njëkohësisht, kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet Fetare me Hebrenjtë. “Pasi Papa Gjon Pali II i quajti hebrenjtë vëllezërit më të mëdhenj të të krishterëve dhe Papa Benedikti XVI, etërit tanë në fe, - thekson kardinali në mesazhin e tij – sot, mund të flasim për një bashkësi vëllezërish dhe motrash, hebrenj e të krishterë”. Duke nënvizuar frytet e udhës së përbashkët, kardinali kujton nevojën për ta vijuar rrugën e “mirëkuptimit më të thellë të anasjelltë, gjithnjë, me respekt për traditat fetare të njëri-tjetrit”.

Rabini Marans: falënderojmë Papën Françesku për impenjimin kundër antisemitizmit

Në mesazhin e rabinit Noam E. Marans, kryetar i Komitetit Ndërkombëtar Hebraik për Konsultimet Ndërfetare (Ijcic), shpreh mirënjohjeje për Papën. “Në një kohë kur antisemitizmi është në rritje dhe kërcënimi fizik kundër bashkësive hebraike dhe hebrenjve është jashtëzakonisht real, jemi mirënjohës për vendosmërinë e Papës Françesku, i cili e ka ngritur fuqimisht dhe vazhdimisht zërin kundër kësaj murtaje”. Pastaj, tregohet solidaritet me “vëllezërit dhe motrat tona të krishtera”, që në botë, “vuajnë nga shkeljet serioze të lirisë fetare, nga diskriminimi dhe persekutimi”. Rabini Marans e quan “bekim miqësie” rrugën e dialogut, ndërmarrë e bazuar në bindjen “se qeniet njerëzore janë krijuar në shembëllim me Hyjin dhe se fatet tona janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme”.

29 tetor 2020, 11:02