Kërko

Përkujtimi i të vdekurve Përkujtimi i të vdekurve

Ndjesa e plotë gjatë muajit nëntor. Piacenza: mund të kërkohet çdo ditë

Pandemia dhe masat kundër saj në shtete të ndryshme i shtyjnë ipeshkvijtë e gjithë botës të ndryshojnë mënyrën e kremtimeve dhe të përkujtimit për besimtarët e vdekur, në ditën kushtuar atyre, më 2 nëntor. Sot, u bë i njohur një Dekret i ri i Pendestarisë Apostolike mbi mënyrën e fitimit të ndjesës së plotë

R.SH. - Vatikan

Këtë vit, në gjendjen e krijuar, për shkak të pandemisë së Covid-19, ndjesa e plotë për besimtarët e vdekur do të mund të merret gjatë gjithë muajit nëntor e jo vetëm nga 1-8 nëntor, si më parë. Me një Dekret të publikuar sot, Pendestaria Apostolike u përgjigjet kërkesave të shumë ipeshkvijve të botës, të cilët, duke mos qenë në gjendje të sigurojnë kremtimet e zakonshme për të kujtuar të vdekurit, pasi masat kundër koronavirusit nuk lejojnë grumbullime njerëzish, kërkuan të “ndryshohen veprat e përshpirtshme për të marrë Ndjesën e Plotë për shpirtat e Purgatorit”.

 Në një intervistë me Vatican News, kreu i Pendestarisë Apostolike, kardinali Mauro Piacenza, ndalet në hollësitë e risive, që paraqet Dekreti, për të shmangur tubimet, por edhe për të lehtësuar shpirtërisht të gjithë ata, që nuk mund të shkojnë në varreza e nuk mund t’i ndjekin të gjitha praktikat e zakonshme të muajit nëntor, që Kisha ia kushton të shumëve. Të dëgjojmë kardinalin Piacenza:

Është zakon tashmë që ndjesa e plotë t’u jepet të gjithë atyre, që shkojnë në varreza e luten për të vdekurit nga 1 deri më 8 nëntor, si edhe më 2 nëntor, në mënyrë të veçantë, atyre që shkojnë në një kishë e thonë Atynën, ose Besojmën. Ky është standardi. Kësaj radhe, morëm parasysh edhe normat e autoriteteve në shtete të ndryshme të botës, për të kufizuar tubimet, për shkak të pandemisë. Shumë kryetarë të konferencave ipeshkvnore na pyetën ç’duhej të bënin sidomos në ato vende ku përshpirtëria e këtij muaji është tejet e përhapur, madje, regjistron numrin më të madh të rrëfimeve dhe të kungimeve gjatë vitit. Pra, ç’duhet bërë nëse s’mund të dalim nga shtëpia, ose dalja është e kufizuar? Prandaj, duke pasur parasysh që në shumë vende përkujtimi i të vdekurve shprehet mbi të gjitha me meshën shenjte dhe me vizita në varreza, u vendos që të zgjatet koha për kërkimin e ndjesës së plotë, duke e shtrirë nga 8 ditët e para të nëntorit në të gjithë muajin. Kështu, njerëzit do të jenë në gjendje t’i vizitojnë të dashurit e tyre të vdekur, pa krijuar tubime. Pastaj, ndjesa e plotë që fitohet më 2 nëntor në kishë, tani, mund të merret në çdo ditë të muajit.

Dekreti përmend në mënyrë të veçantë të sëmurët e të moshuarit. A mund të na thoni si?

Ata që nuk mund të dalin, sepse ndoshta janë në izolim, ose janë të sëmurë, do ta fitojnë ndjesën e plotë, duke u lutur para një fugureje të Zotit tonë Jezu Krisht a të Zojës së Bekuar. Mund të thonë Lavdet, Lutjet mbrëmësore për të vdekurit, Rruzaren, Dhjetëshen e Mëshirës Hyjnore, ​​ose lutjet e zakonshme për traditën e tyre. Mund edhe të lexojnë e të meditojnë Ungjillin e njërës nga tri meshët e parashikuara për besimtarët e vdekur dhe, natyrisht, duhet të bëjnë vepra mëshire. Për gjithçka tjetër, - për shembull për të sëmurët rëndë – vlen nota e Pendestarisë, publikuar më 19 mars, që parashikon ndihmën shpirtërore për të sëmurët jo të pranishëm fizikisht.

Keni parashikuar edhe këshilla të veçanta për meshtarët, apo jo?

Po, ka një mendim të veçantë edhe për meshtarët, të cilët i kemi ftuar të jenë sa më të disponueshëm, pasi pasuria më e madhe që kemi për shpëtimin e shpirtit të të vdekurve është mesha shenjte. Atëherë, meqenëse më 2 nëntor, që nga viti 1915, sipas një Kushtetute të Benediktit XV, meshtarët mund të kremtojnë tri meshë, ne i nxisim, për aq sa është e mundur, t’i kremtojnë të treja, sepse më shumë mesha do të thotë më pak njerëz në çdo meshë e kjo mund të jetë një mënyrë për t’i ndihmuar besimtarët. Gjithashtu i inkurajojmë meshtarët të jenë bujarë në shërbimin për rrëfimet dhe t’u çojnë Kungimin të sëmurëve, në mënyrë që ata të kenë më shumë mundësi të kërkojnë faljen e Zotit për të vdekurit e tyre, t’i ndiejnë afër, pra, të favorizojnë të gjitha këto ndjenja fisnike, që ndihmojnë në konsolidimin e Bashkimit të Shenjtorëve. Duke i menduar të vdekurit, ne dëshmojmë gjithë besimin tonë në Krishtin e ringjallur: është shpresa që vëllezërit aktualisht jo të dukshëm mes nesh të jenë në bashkim me Zotin.

23 tetor 2020, 12:01