2019.10.05 Concistoro ordinario per la creazione di tredici Cardinali 2019.10.05 Concistoro ordinario per la creazione di tredici Cardinali

Koncistori: Papa Françesku ndryshon gjeografinë e Kolegjit të Kardinajve

Me koncistorin e 28 nëntorit, thirrur nga Papa Françesku, rritet numri i kardinajve italianë, por jo aq ai i anëtarëve të Kolegjit kardinalor nga pjesa tjetër e Evropës. Nga Azia dhe Amerika, 5 kardinaj të tjerë.

R.SH. - Vatikan

Me koncistorin, që Papa Françesku do të kryesojë më 28 nëntor - i shtati i papnisë së tij – ndryshon edhe gjeografia e Kolegjit të Kardinajve. Me 13 kardinajtë e rinj, ky Kolegj do të përbëhet nga 232 vetë, nga të cilët 128 janë zgjedhës dhe 104 mbi tetëdhjetë vjeç, pra, pa të drejtë vote.

Ndër të emëruarit e rinj, 6 janë italianë, prej të cilëve tre votues - Semeraro, Lojudice dhe Gambetti - dhe 3 të tjerë mbi tetëdhjetë vjeç - Cantalamessa, Tomasi dhe Feroci. Nga pjesa tjetër e Evropës vjen vetëm kardinali kurial, maltezi Grech, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve.

Nga Amerika figuron kryeipeshkvi afro-amerikan i Uashingtonit, Wilton Gregory; kiliani, spanjoll nga lindja, Celestino Aos Braco, kryeipeshkëv i Santiagos së Kilit; meksikani mbi 80 vjeç Felipe Arizmendi Esquivel, ipeshkëv nderi i San Cristobal de las Casas. Ndërsa, nga Afrika, është zgjedhur kryeipeshkvi i Kigalit, Antoine Kambanda, kardinali i parë në historinë e Ruandës. Së fundi, Azia përfaqësohet nga kardinajtë me të drejtë vote, Jose Fuerte Advincula, kryeipeshkëv i Capiz (Filipine) dhe Cornelius Sim, vikar apostolik i Bruneit.

Nga vijnë kardinajtë e Kolegjit

Me koncistorin e 28 nëntorit, kardinajtë italianë bëhen 48, prej të cilëve 22 zgjedhës dhe 26 pa të drejtë vote. Kështu, evropianët me të drejtë vote në një konklav të mundshëm rriten nga 50 në 54. Kardinajtë zgjedhës të Amerikës së Veriut mbeten 16 vetë, pasi kardinali Wuerl – kryeipeshkëv nderi i Uashingtonit - do të mbushë 80 vjeç muajin e ardhshëm. Ndërkaq, ata të Amerikës së Jugut kalojnë nga 13 në 14 me të drejtë vote. Votuesit aziatikë bëhen 16 në krahasim me 14 të mëparshmit. Ndërsa numri i votuesve me origjinë nga Afrika kalojnë nga 16 në 17.

Papa vazhdon të befasojë me vendimet e tij, duke emëruar barinj, që nuk vijnë nga seli tradicionalisht kardinalore: kjo pati ndodhur edhe në të kaluarën, kur u pati dhënë kësulën e kuqe Agrixhentos në Itali, Banguit në Republikën e Afrikës Qendrore, Tongës në Polinezi. Kësaj radhe, ky nder i takon Sienës, në Itali dhe Kapizit, në Filipine. Deri më sot, në një koklave të ardhshme nuk përfaqësohen qytete të rëndësishme, si për shembull, Milano, Venediku, Gjenova e Parisi. Gjithsesi, kryeipeshkvijtë e nderit, kardinajtë Scola, Bagnasco dhe Vingt-Trois janë ende votues, pasi nuk kanë arritur akoma të 80-tat.

Tre kardinaj meshtarë e 3 françeskanë

Një kuriozitet: asnjë kardinal francez nuk është kryeipeshkëv rezidencial në detyrë: të gjithë kardinajtë përtej Alpeve - 6 gjithsej - janë ose rezidencialë nderi (Barbarin i Lionit, Vingt-Trois i Parisit, Ricard i Bordosë), ose në detyrë në kurie (Mamberti), ose tashmë, në pension (Poupard dhe Vanhoye). Papa Françesku, në shtatë koncistorë të ndryshëm, ka krijuar gjithsej 101 kardinaj, nga të cilët 79 me të drejtë vote.

Nga 13 kardinajtë e rinj, tre prej tyre - Gambetti, Cantalamessa dhe Feroci - janë meshtarë, prandaj sipas normave të së drejtës kanonike, duhet të marrin edhe shugurimin ipeshkvnor, përveç rastit të një leje të veçantë nga ana e Papës. Së fundi, 3 kardinaj të rinj vijnë nga familja françeskane: dy kapuçinë - Aos Braco dhe Cantalamessa - dhe një konventual, atë Gambetti.

26 tetor 2020, 13:16