Kërko

Martiret e Kishes ne Shqiperi Martiret e Kishes ne Shqiperi 

Filloi Nëntëditëshja në nder të Të Lumëve Martirë të Shqipërisë

Lutja: O Hyji i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,/që ju ke dhuruar Shpirtin tënd të forcës/të lumëve Vinçencit, ipeshkëv dhe shokëve martirë,/që ta dëshmojnë me besnikëri Krishtin,/dhe dashurinë pa kushte ndaj vëllezërve,/bëj që edhe ne me ndërmjetësinë e atyre,/të bashkëpunojmë për ardhjen e Mbretërisë Tënde. Amen!

R.SH. - Vatikan

Po afrohet festa liturgjike e Të Lumëve Martirë të Kishёs nё Shqipëri, qё bie më 5 nëntor tё ardhshëm. E për kёtё  tё kremte shpirtërore e kombëtare, Kisha katolike nё Shqipёri i fton tё gjithё besimtarët katolikë, tё fillojnë, që dje më 27 tetor e deri më 5 nëntor, përgatitjen shpirtërore, nëpërmjet Nëntëditëshes, në nder të Të Lumëve Martirë të Shqipërisë, duke u frymëzuar nga shembulli i Martirëve tё Lumё, pёr tё ecur gjurmëve tё Jezu Krishtit, Zot e Shëlbues dhe pёr tё dëshmuar dashurinë e Hyjit nё jetën e përditshme.

Festa e Të Lumëve Martirë të Shqipërisë, pra, ёshtё ngjarje kishtare liturgjike, por edhe ngjarje e rëndësishme historike kombëtare. Nё fakt, mё 5 nëntor bie edhe përvjetori kur, me vendimin e Papёs Françesku, mё 2916, nё Shkodёr, u shpallen tё Lumё 38 Martirë tё Kishës katolike tё Shqipërisë, pёr shembullin heroik tё besnikërisë sё tyre ndaj Krishtit deri në momentet e fundit të jetës, duke i ngritur në nderimet e elterit.

Kёshtu, dje mё 27 tetor, filloi Nëntëditëshja në nder të Të Lumëve Martirë të Shqipërisë. E sivjet Kisha katolike, propozon formën e shkurtër të Nëntëditëshes për ata që dëshirojnë ta përdorin në lutjen personale, të cilën po e botojmë më poshtë.

FILLIMI I NËNTËSHES

Në emër të Atit të Birit e të Shpirtit Shenjtë

- Po i rrëfehem Hyjit të gjithëpushtetshëm… (apo formula të tjera të Ritit të Meshës)

- Besoj në një Hyj të vetëm, Atin e gjithëpushtetshëm…

Lutja
Hyji i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
që ju ke dhuruar Shpirtin tënd të forcës
të lumëve Vinçenco ipeshkëv dhe shokëve martirë,
që ta dëshmojnë me besnikëri Krishtin
dhe dashurinë pa kushte ndaj vëllezërve,
bëj që edhe ne me ndërmjetësinë e atyre
të bashkëpunojmë për ardhjen e Mbretërisë Tënde.
Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, birin tënd
që është Hyji që jeton dhe mbretëron me ty
në bashkim me Shpirtin Shenjtë,
në shekuj të shekujve. Amen.

Lutjet për çdo ditë
1.
O Martirë të lavdishëm të shekullit XX në Shqipëri që keni lejuar zemrën tuaj të bëhet e ndjeshme ndaj thirrjes së Jezusit, ju besojmë ndërmjetësinë tuaj për familjet tona si edhe për të gjitha familjet e krishtera, që të jenë një vend formimi ndaj dëgjimit të zërit të Krishtit i cili na thërret për ta ndjekur dhe imituar. Lavdi Atit…

2. O Martirë të lavdishëm, apostuj të vërtetë të Zotit në tokën e Shqipërisë, që e keni bërë jetën tuaj një dhuratë dhe jeni treguar të gatshëm për të ndjekur Jezusin në rrugën e brishtë të Kalvarit, na dhuroni hirin që të mund të bëhemi edhe ne apostuj të guximshëm e të zbulojmë në Atë kuptimin e vërtetë të jetës. Lavdi Atit…

3. O Martirë të lavdishëm, familjarë të Krishtit gjatë jetës suaj dhe shoqërues të pritjes e të lutjes në Gjetsemanin e tokës shqiptare, na dhuroni hirin e veçantë që të jetojmë në bashkim të plotë me Krishtin i cili është rruga e vërteta dhe jeta, që t’i përvetësojmë e t’i ruajmë mësimet e tij ungjillëzuese që kështu një ditë të mund të arrijmë të lumtur në njohjen e Atit tonë qiellor. Lavdi Atit…

4. O Martirë të lavdishëm, fara të frytshme të hardhisë së vërtetë që është Krishti, kemi mbjellë në tokën shqiptare dashurinë e Atit, vreshtën hyjnore që ju ka nxitur për të dhënë shumë fryte, ju kërkojmë të ndërmjetësoni që edhe ne t’i përkasim Jezusit, Mësuesit dhe Zotit tonë e të jemi dëshmitarë të Tij në botë. Lavdi Atit

5. O Martirë të lavdishëm dhe profetë të Zotit, shqiponja të pa trembura që keni fiksuar shikimin tuaj drejt diellit të drejtësisë që është Krishti, me ndërmjetësinë tuaj na dhuroni hirin të jemi të dëgjues të përvuajtur e të urtë ndaj Fjalës së Ungjillit, por edhe guximin e nevojshëm për ta shpallur Krishtin, që ta njohin, ta duan dhe ta ndjekin të gjithë. Lavdi Atit

6. O Martirë të lavdishëm dhe lajmëtarë të gëzueshëm të Krishtit Mbret, emri i të cilit ka qenë në buzët tuaja në momentin e martirizimit, na dhuroni prej Zotit të njëjtën bujari për një jetë të guximshme që të përmbushim angazhimet e pagëzimit dhe ta shpallim Krishtin si të vetmin Zot edhe në situata të ndryshme të kohës sonë. Lavdi Atit…

7. O Martirë të lavdishëm që keni dhuruar në altarin e tokës shqiptare plot sakrifica të cilat Hyjit i pëlqejnë, për të mirën e Kishës dhe të Atdheut, na dhuroni prej Zotit hirin e mirënjohjes. Kujtimi juaj qoftë një bekim dhe një nxitje për ne, që të vazhdojmë veprën tuaj ungjillëzuese për të afruar tek Hyji shumë prej vëllezërve tanë. Lavdi Atit…

8. O Martirë të lavdishëm që keni jetuar praninë amësore të Marisë në jetën tuaj dhe në këmbët e kryqit, na ndihmoni edhe ne që ta duam ashtu sikurse ju e keni dashur si edhe ta bëjmë zemrën tonë të gatshme që të pranojmë me bujari ftesën për të bërë gjithmonë atë çfarë Jezusi na thotë. Lavdi Atit…

9. O Martirë të lavdishëm, apostuj të Zotit, që së bashku me Marinë nën këmbët e kryqit apo në qenakull keni marrë Shpirtin e forcës i cili ju ka bërë dëshmitarë të guximshëm të Krishtit, na dhuroni prej Zotit të njejtin shpirt force. Ai qoftë shoqëruesi dhe ngushëlluesi ynë në veprën e mrekullueshme të ardhjes së Mbretërisë së Krishtit të Ringjallur në botë.

Lavdi Atit…

PËRMBYLLJA E NËNTËSHES
Ati Ynë…

Lutja për kanonizimin e të Lumëve
Imzot Vinçenc Prennushi me Shokët Martirë.

Trini e Shenjtë,
Atë e Bir e shpirt Shenjt,
Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,
që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë
të Lumët Vinçenc Prennushi me 37 Shokë Martirë
si model besnikërie ndaj Krishtit
dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.
Të lutemi me përvujtëri:
ashtu si janë të lumë tashmë në Qiell,
denjohu tani t’i lavdërosh këtu në tokë
duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë
dhe që, me ndërmjetësinë e tyre të përbashkët,
me besim të kërkojmë… (këtu bëhet kërkesa).
Besojmë në Ty o Zot. Ardhtë mbretëria jote! Amen.

28 tetor 2020, 10:37