Kërko

Atë Cantalamessa Atë Cantalamessa 

Cantalamessa: purpuri, shenjë për të ndërtuar ura dialogu

Sot 86 vjeç, predikatari i Shtëpisë Papnore do të krijohet kardinal në Koncistorin e 28 nëntorit të ardhshëm. Në prag të kësaj ngjarjeje, pohon përvujtërisht: “Nuk jam unë, që vlerësohem, po Fjala e Zotit”.

R. SH. - Vatikan

Të dielën e kaluar, gjatë lutjes së Engjellit Tenzot, Papa Françesku e përmendi edhe emrin e atë Raniero Cantalamessa në listën e kardinajve të ri.

Siç dihet, prej 40 vjetësh atë Raniero Cantalamessa u predikon Papëve në kohë të forta të Kishës, si Koha e Ardhjes e ajo e Kreshmëve. Ka fytyrë të qetë, që të ngjall besim, zë të shtruar. E edhe thjeshtësinë e njeriut, që e njeh mirë Shkrimin Shenjt, ndaj e shpjegon dhe e argumenton qartë dashurinë e Zotit. Më 23 qershor të vitit 1980, Gjon Pali II e zgjodhi predikatar të Shtëpisë Papnore e, për 15 vjet, qe i pranishëm edhe në televizion, ku tregoi Ungjillin, në transmetimin titulluar “Arsyet e shpresës”.

Në historinë e fratit kapuçin, shuguruar meshtar në vitin 1958 e lauruar  në Teologji në Friburg, ka shumë gjëra për t’u kujtuar. Është themelimi i Departamentit të Shkencave Fetare në Universitein e Milanos, në vitin 1969, me Giuseppe Lazzatin. Është, pastaj, takimi me Përtëritjen e Shpirtit Shenjt, hiri më i madh i jetës tij - siç ka shpjeguar shpesh atë Cantalamessa - që  u dikua edhe mbi udhën  e bashkimit të të krishterëve, në të cilën ai u angazhua gjithnjë. I pakushtëzuar, edhe nderimi që kanë për të vëllezërit e konfesioneve të ndryshme; në vitin 2015, për shembull, mbajti një predikim në Sinodin e përgjithshëm të Kishës anglikane, në praninë e mbretëreshës  Elisabetta, në Abacinë e Westminster.

Të dielë Papa Françesku e përmendi edhe emrin e tij në listën e kardinajve. Ngjarje krejt e papritur për atë, që prej vitesh jeton në Vetmitoren e dashurisë përdëllyese të Cittaducale, në provincën e Rietit, ku shërben në një bashkësi të vogël murgare klaustrale.

Por, ta dëgjojmë vetë atë Raniero Cantalamessën

“Duket qartë se, më tepër nga njeriu, vlerësohet Fjala e Zotit. E merita e atij, që e dëgjon, shumë më tepër se e atij që e shpall. Ta lumnojmë Zotin për këtë” .

Shpesh predikimet tuaja shumë të thella nuk vlerësohen vetëm nga Papa, por i shikojmë sakaq të botuara edhe në mjetet e komunikimit….

“Duhet të them se unë vetë jam plot me admirim! E jo për predikimet e mia, por për atë që i dëgjon. Sepse të mendosh që një Papë si Gjon Pali II, Benedikti e edhe Françesku, gjen kohë për të ndenjur e për të dëgjuar një frat të varfër, të thjeshtë kapuçin, është shembull, që i jepet mbarë Kishës, shembull i nderimit për Fjalën e Zotit. Kështu, në një farë mënyre, nuk jam unë që predikoj për ta, por ata për mua!”

Në zgjedhjen e kardinajve të rinj nuk mungon as vlerësimi i familjes françeskane: jeni Ju, e pastaj edhe Atë Gambetti. Si e lexoni Ju këtë shenjë?

“Këtë stil ka Papa Françesku në gjithçka bën, duke përfshirë edhe enciklikën  e fundi që shkroi. Por tani dua të theksoj më shumë se  këtë herë është i pranishëm edhe një farë numri françeskanësh, ndërsa në të kaluarën ishin më shumë jezuitë. Mendoj se ai nuk i shkon aq fort faktorët e urdhërave rregulltare, sa faktet e tjera”.

Tipari kryesor i angazhimit, për të cilin jeni thirrur?

“Mendoj se tani për tani do të vijoj, derisa Zoti të më japë shëndet, Ati i Shenjtë të dëshirojë e Pandemia të më lejojë,  veprimtarinë time kryesore, e nëse nuk marr urdhëra të kundërta, do të përgatitem për Kohën e Ardhjes, që nuk vonon…”.

Ju keni thënë se ky emërim të çuditi edhe për valën  e  dashurisë vëllazërore nga ana e liderëve të konfesioneve të ndryshme fetare…

“E vërtetë, e vërtetë! Mora një mori email-esh edhe nga ana e disa miqve hebrenj. U kënaqa shumë, sepse një nga pasionet e mia, është  të favorizoj  unitetin dhe dialogun, posaçërisht unitetin e të krishterëve. Në një rast si ky, të marrësh këtë përgjigje, është shenjë afrimi, që nuk ka të bëjë me mua. Është hollësi, që të kujton impenjimin e Papës Françesku për të ndërtuar ura”.

Papa Françesku, si përfundoi leximin e listës së kardinajve, kërkoi lutje për ju, por edhe ndihmë në shërbim të Kishës e të popullit të Zotit…

“Përsa më takon mua, duke parë  rolin e nderit, më shumë se atë efektiv, të këtij titulli, rëndësi ka gëzimi që ndjej, kur mendoj se do të rri pranë Papës e do ta ndihmoj me lutje e me Fjalën e Zotit”.

A kujtuat ndonjë njeri të veçantë, ose ndonjë çast të jetës rregulltare, kur dëgjuat emrin tuaj?

Sigurisht! Një figurë, që ka peshë të madhe në jetën time. Kujtova  atë Pasquale Rywalskin, që ishte epror i përgjithshëm, kur Zoti më thirri ta lë mësimdhënien universitare, për t’iu kushtuar predikimit. Ia di për nder atij, që  zgjodha këtë rrugë, e cila më pas më çoi për të predikuar në Shtëpinë Papnore e edhe për të shtegtuar nëpër botë e për të bërë udhëtime shpirtërore, duke përfshirë edhe atë të vitit të kaluar tek ipeshkvijtë e SHBA-ve. Ishte ati im shpirtëror, që luajti rol të dorës së parë në këtë kthesë të jetës sime”.

28 tetor 2020, 16:00