Kërko

2020.10.04 Conferenza stampa presentazione Enciclica Fratelli Tutt 2020.10.04 Conferenza stampa presentazione Enciclica Fratelli Tutt 

Ayuso dhe Riccardi: "Fratelli Tutti" do t’i zgjojë ndërgjegjet

Sipas presidentit të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar: "enciklika e re nuk bën asgjë tjetër veçse nënvizon rëndësinë e udhëheqësve fetarë". Për themeluesin e Komunitetit të Shёn Egjidit "institucionet ndërkombëtare në këtë moment kanë nevojë për vizion".

R.SH. - Vatikan

Enciklika e re e Papёs Françesku "Fratelli Tutti" shënon një ngjarje historike në historinë e Kishës, është me të vërtetë njё gur kilometrik në udhën e kërkimit të përbashkët të vëllazërimit botëror. Janë të bindur për këtë kardinali Miguel Angel Ayuso Guixot, presidenti i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe themeluesi i Komunitetit të Shёn Egjidit, prof. Andrea Riccardi. Enciklika "Fratelli Tutti" është një dokument i jashtëzakonshëm që propozon edhe njё herё nevojën për t’i pёrforcuar përpjekjet për të mirën e përbashkët, pёr tё mirën e përgjithshme tё mbarё njerëzimit.

Kardinali Ayuso nënvizon se "njerëzimi kohët e fundit ёshtё duke përjetuar një moment të veçantë në historinë e tij: ndarjet, luftërat, copëzimet në nivele të ndryshme në shoqëri, mosbesimi ndaj multilateralizmit që na ka ndihmuar aq shumë pas dy luftërave botërore për të krijuar një bashkim nё familjen njerëzore. Në të kaluarën - kujton kardinali Ayuso - shpesh thuhej se fetë ishin një problem. Pёrkundrazi unë besoj se përmes këtij propozimi të Papës Françesku, enciklika e re "Fratelli Tutti" nuk bën asgjë tjetër veçse nxjerr nё pah rëndësinë e udhëheqësve fetarë dhe tё traditave të ndryshme fetare, për të promovuar një botë më vëllazërore dhe për të krijuar një miqësi shoqërore që duhet të na ndihmojë t’i kapërcejmë problemet e jetë së përditshme. Nuk duhet të harrojmë se jemi të gjithë, së bashku, në tё njёjtёn varkë".

Shpresa tek të rinjtë

Kardinali Ayuso ripohon se si “të rinjtë janë shumë të rëndësishëm. Për Papёn Françesku, arsimi dhe formimi tyre është thelbësor. Tani në tetor do të ketë edhe një version telematik, në internet, që ka tё bëj me Global Compact for Education. Ne duam t'u japim të rinjve një botë më të mirë. Bota sot është e sëmurë dhe balsami, ilaçi që mund të na ndihmojë të kapërcejmë këtë situatë nuk është tjetër veçse vëllazërimi njerëzor dhe miqësia shoqërore. E kjo nuk u referohet vetëm besimtarëve por çdo personi ”.

Një tekst që do t'i bëjë të diskutojnë katolikët dhe jo-katolikët

Për prof. Andrea Riccardi, themelues i Komunitetit të Shёn Egjidit, "institucionet ndërkombëtare po kalojnë një krizë. Mund të përmendim krizën e OKB-sё, edhe nga fakti që Sekretari i Përgjithshëm Guterres iu drejtua Papës, erdhi në Romë dhe së bashku bën thirrje nё kёtё drejtim. Unë besoj se institucionet ndërkombëtare nё kёtё moment kanë nevojë për njё vizion, por bota është alergjike ndaj vizionit. Enciklika ‘Fratelli Tutti’ nuk është një tekst dogmatik, është një tekst që do të ketë sukses, nëse i bën katolikët dhe jo-katolikët të diskutojnë mbi institucionet ndërkombëtare".

Të forcohet lëvizja e paqes

“Me luftë gjithçka humbët. Besoj qё ndërgjegjja për paqe duhet të zgjohet tek qeveritё, por edhe te njerëzit, sepse sot lëvizja e paqes ёshtё shuar - vazhdon prof. Riccardi - njerëzit duket se kanё hequr dorё nga impenjimi pёr paqe dhe janë tё pajtuar të jetojnë me luftë. Papa thotë se lufta është një fantazmë e së tashmes, por ne rrezikojmë që ajo të jetë e ardhmja jonë. Unë mendoj se kjo enciklikë do të ketë një efekt mjaft pozitiv, do tё ndihmojё nё zgjimin e ndërgjegjes tek individët e tek qeveritë. Në lidhje me politikën, ekzistojnë dy qëndrime e distancime tё qarta: njëra nga populizmi dhe tjetra nga dogma liberale e tregut. Rindërtimi i popullit dhe paraqitja e politikës popullore, kjo më duket ideja e Papës, sepse populizmi, thotë ai, shkatërron demokracinë".

06 tetor 2020, 12:52