Papa Giovanni XXIII Papa Giovanni XXIII 

Më 28 tetor 1958 zgjidhej Papë Gjoni i XXIII

Kur me 28 tetor 1958 kardinali patrik i Venecies Anxhelo Ronkali u zgjodh papë, qenë të shumtë ata që e njihnin karakterin e përvuajtur, butësinë e bariut lindur në një familje fshatarësh afër Bergamos. E pikërisht humanizmi do të bëhej tipari kryesor i figurës së Gjonit të XXIII, “stili” i papnisë së tij, të cilin të gjithë, besimtarë e jo, do të mësonin të dashuronin.

R.SH. - Vatikan

Ishte 28 tetor 1958, kur Angelo Roncalli u zgjodh Papë, duke u bërë Papa i 261-të i Kishёs katolike Universale me ermin Gjoni XXIII. Niste, kështu, një papni e shkurtër, që zgjati vetëm pesë vjet, e që prapëseprapë diti të përtërijë thellësisht jetën e Kishës dhe të besimtarëve. Mjafton të përmendim dy ngjarje që mbajnë nënshkrimin e Papës Ronkali: caktimin e Koncilit II Vatikanas dhe botimin e enciklikës “Pacem in Terris”.

Të gjithë e quajnë Shën Gjonin XXIII “Papa i mirë”, gjithnjë i gatshëm për t’iu qasur vuajtjeve të të afërmit dhe për të dhuruar një buzëqeshje atyre që kërkojnë pak dashuri. Një mirësi ajo e Papës Ronkali, që nuk fillonte e mbaronte tek vetvetja por e rrënjosur thellësisht tek bindja se pa mëshirën lajmit të mirë të Ungjillit i hiqet domethënia.

Kur me 28 tetor 1958 kardinali patrik i Venecies Anxhelo Ronkali u zgjodh Papë, qenë të shumtë ata që e njihnin karakterin e përvuajtur, butësinë e bariut lindur në një familje fshatarësh afër Bergamos. E pikërisht humanizmi do të bëhej tipari kryesor i figurës së Gjonit të XXIII, “stili” i papnisë së tij, të cilin të gjithë, besimtarë e jo, do të mësonin të dashuronin.

Qysh kur ishte meshtar i ri Ronkali e kishte të qartë metodën e punës së tij: “Të takohesh me të gjithë” dhe mos ta lësh kurrë vetveten të mundesh nga vështirësitë.” Ishte ky një impenjim që do ta mbante edhe mbasi të zgjidhej në Katedrën e Shën Pjetrit, e që më pas do ta çonte në marrjen e vendimeve të guximshme dhe largpamëse, duke përgënjeshtruar kështu parashikimet sipas të cilave ai do të ishte një papë kalimtar për shkak të moshës së tij të thyer.

Po aq befasues qe veprimi i Papës Gjoni XXIII, kur më 26 dhjetor 1958, veç dy muaj pasi ishte zgjedhur papë, vendosi të shkonte për vizitë në burgun e Romës “Regina Coeli”. Pothuajse një aktualizim i asaj pjesë të ungjillit në të cilën ati i mëshirshëm takohet me djalin plangprishës. Ja fjalët e Papës: “Kam ardhur këtu, më patë, unë vura sytë e mi në sytë e tuaj, vura zemrën time afër zemrës suaj. Ky takim, të jini të sigurt se do të mbetet thellë në zemrën time dhe ky vit i ri, do të thosha, i pari vit i papnisë sime, kam kënaqësinë që po hapet me një vepër dashurie. Në vazhdim të këtyre fjalëve po ju jap bekimin që prap, edhe njëherë, është simbol i asaj çka na ka dhënë I Lumi nëpërmjet sakramentit të dashurisë. Do të doja që të ishte inkurajues për të gjithë sa jeni!”

Një muaj më vonë, me 25 janar 1959, Papa Gjoni XXIII kumtoi caktimin e Koncilit II Vatikanas, një ngjarje kjo me peshë historike, e cila sipas qëllimeve të Papës, donte të “përditësonte” Kishën për ta bërë më të aftë për t’ua kumtuar Ungjillin njerëzve të kohës sonë, duke hapur kështu një fazë të re të dialogut me botën.

Ja se si shprehej duke folur mbi shpresat që kishte vënë tek Koncili, Papa Ronkali me rastin e shpalljes së datës së hapjes së punimeve të Koncilit, caktuar për 11 tetor 1962:  “Shumë të dashur bij! Koncili II Vatikanas është përpara nesh, objekt i dëshirave dhe i ndjeteve mund të themi, i të gjithë botës. Ne besojmë e shpresojmë tek Zoti!”. Shën Gjoni XXIII qe Papë i butë ndaj dikimit të Shpirtit Shenjt, sepse, kur mblodhi Koncilin II të Vatikanit, në vitin 1959, e lejoi të dikojë mbi të e kështu, u bë për Kishën Universale, bari, kreu i saj i udhëhequr dhe i drejtuar nga Shpirti Shenjt Zot.

Gjoni XXIII - Skeda

1881 Anxhelo Ronkali lindi më 25 nëntor, në Sotto il Monte (Nënmal), pranë Bergamos, në një familje fshatare. Ishte i treti ndërmjet trembëdhejtë vëllezërve e motrave. Zgjodhi shumë shpejt jetën kishtare. Ishte vetëm 12 vjeç, kur hyri në seminarin e Bergamos; dy vjet më vonë nisi të shkruajë ditarin “Gazeta e shpirtit”, ndërprerë vetëm një vit para vdekjes, botim postum, në vitin 1964
1901-1905 Kreu studimet në Romë, në kolegjin e Shën Apolinarit, ku qe nxënës i historianit të Kishës Umberto Benigni e dishepull, pastaj edhe nxënës, i Giuzeppe Bonaiuti-t, ndonëse larg problematikave moderniste.
1904 U shugurua meshtar dhe u zgjodh sekretar i ipeshkvit të ri të Bergamos, imzot Radini Tedeski,
1916 Shkroi një biografi prekëse të ipeshkvit Radini Tedeski, vdekur dy vjet më parë. Gjatë luftës shërbeu si kapelan ushtarak.
1921 U thirr në Romë për të drejtuar Veprën e Propagandës së Fesë
1925 U zgjodh ipeshkëv e u dërgua në Sofie, si vizitator apostolik në Bullgari. Nisi, kështu, karrierën diplomatike, që do ta çonte, më 1934, në Stamboll e, më 1944, në Paris, si nunc apostolik
1951 Ishte vëzhguesi i parë zyrtar i Selisë së Shenjtë në UNESCO
1953 U krijua kardinal, Patriark i Venedikut
1958 Më 28 tetor, pas vetëm tri ditësh konklavi, u zgjodh papë e mori emrin Gjoni XXIII. Në qendër të fjalimit të tij të parë, mbledhja me vëllezërit e tjerë të kishave të krishtera dhe shqetësimet për paqen botërore,
1959 Më 25 janar 1959 njoftoi mbledhjen e një sinodi dioqezan në Romë (i pari në histori, më 1960), për të rishikuar Drejtësinë Kanonike. Komisioni do të niste punën më 1963, duke i paraprirë një koncili të ri ekumenik
Po më 1959, me rastin e Pashkëve, do t’i drejtonte, për herë të parë, popullit shqiptar, të ngujuar pas gardhit të hekurt, urimin “Për shumë vjet Pashkët”, në gjuhën shqipe
1961 Botoi enciklikën Mater et magistra, kushtuar temës së shoqërizimit e lidhjeve dhe marrëdhënieve të Kishës me shoqërinë bashkëkohore.
1962 Më 11 tetor përuroi Koncilin II të Vatikanit, me një fjalim të paharrueshëm për horizontin e gjerë e frymën profetike. Është Papa i parë që mori një çmim ndërkombëtar për paqen, Çmimin Balzan
1963 Më 11 prill shpalli me solemnitet të madh enciklikën Pacem in Terris, që përkujton enciklikën tjetër, Rerum novarum të Leonit XIII. Enciklika e vë lirinë dhe dinjitetin e njeriut në themel të paqes e të rendit botëror. U shua më 3 qershor 1963, pas një agonie të gjatë e të dhimbshme.
2000 Më 3 shtator u shpall i Lum nga Papa Gjon Pali II. Më 27 prill 2014, në të Dielën e Mëshirës Hyjnore u shpall Shenjt nga Papa Françesku.

28 tetor 2020, 09:36