Kërko

Sekretari iVatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher Sekretari iVatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher 

Vizita e imzot Paul Richard Gallagher, në Bjellorusi

Sekretari i Vatikanit per Marrëdhëniet me Shtetet, kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, kreu një vizitë në Bjellorusi, nga 11 deri më 14 shtatorin e kaluar.

R.SH. - Vatikan

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet  me Shtetet, kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, kreu një vizitë në Bjellorusi, nga 11 deri më 14 shtator. Imzot Gallagher arriti në Minsk të premten e kaluar, më 11 të muajit në vijim, i shoqëruar nga imzot Antonio Mennini, Nunc Apostolik, e nga imzot Paul Butnaru, Sekretar i Nunziaturës me shërbim pranë Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet. Delegacioni u prit në aeroport nga zëvendës-Ministri i punëve të jashtme, zoti Sergei Aleinik, e nga i ngarkuari me Punë i Nunciaturës Apostolike në Bjellorusi, i Nderuari Maher Chammas.

Nga aeroporti i Minskut, delegacioni u nis menjëherë drejt selisë së Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku u mbajt takimi me ministrin, Vladimir Makei. Gjatë bisedimeve, që zgjatën rreth një orë e gjysëm, u kujtuan disa çaste të rëndësishme të bashkëpunimit ndërmjet Bjellorusisë e Selisë së Shenjtë në fushën ndërkombëtare, kontributi i Kishës Katolike vendase për  edukimin shpirtëror të popullit bjellorus si dhe ndihmesa shoqërore për bashkëjetesën ndërfetare kombëtare dhe zhvillimin identitetit kulturor në vend. Vëmendje e posaçme iu kushtua mënyrës më të mirë, me të cilën Kisha katolike do të mund ta kryejë misionin e saj shpirtëror në dobi të të gjithë qytetarëve.

Të shtunë, 12 shtator, në selinë e Nunciaturës Apostolike, Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet u takua me ipeshkvijtë katolikë të Bjellorusisë. Biseda krijoi mundësitë për t’i njohur më thellësisht sfidat, që po përballojnë bashkësitë katolike dhe barinjtë e tyre, por edhe për t’u shprehur atyre afërsinë konkrete dhe mbështetjen nga ana e Atit të Shenjtë. Biseda ishte tejet e nevojshme për të vlerësuar së bashku udhën, që duhet të ndjekë Kisha vendase për t’i qëndruar besnike identitetit e misionit të saj ungjillor, duke u bërë, njëkohësisht, edhe mjet i përshtatshëm i kohezionit shoqëror.

Pasdite, delegacioni vizitoi, privatisht, katedralen ortodokse të Minskut, Kapelën e Fakultetit të Teologjisë Ortodokse si dhe katedralen e afërme katolike. Vizita krijoi kushtet për të njohur nga afër disa hollësira të historisë fetare të vendit e, posaçërisht, aftësinë e tij për rilindjen shpirtërore pas kohëve të vështira të ateizmit. Në mbrëmjen e së njëjtës ditë, në selinë e Nunciaturës Apostolike, Kryeipeshkvi Gallagher u takua me Zëvendës-Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Ambasadorin pranë Selisë së Shenjtë, zotin Sergei Aleinik. Rast i përshtatshëm ky, për të shkëmbyer përsëri pikëpamjet mbi tema ndryshme me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe për t’u thelluar në reflektimet lidhur me disa aspekte me rëndësi të aktualitetit.

Të diel, 13 shtator, imzot Gallagher kremtoi Meshën Shenjte në kapelën e Nunciaturës Apostolike. Në kremtim morën pjesë edhe disa ambasadorë katolikë. Në përfundim të Meshës, të pranishmit shkëmbyen një përshëndetje të shkurtër.  Pasditen e së njëjtës ditë, Delegacioni bëri një vizitë private në Shenjtëroren Memoriale për nder të Gjithë Shenjtorëve, ku u takua me Rektorin e kompleksit, kryepriftin Fyodor Povny. Ishte rast, që u shfrytëzua për ta njohur më mirë historinë e popullit bjellorus dhe pasurinë e traditave të tij  kristiano-ortodokse, të lidhura ngushtë ndërmjet tyre.   Të hënë, 14 shtator, Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, u kthye në Vatikan.

16 shtator 2020, 15:21