Kërko

Vatican News

Vatikan: memorandum i ri për luftën kundër korrupsionit

U nënshkrua nga atë Guerrero, prefekt i Sekretarisë vatikanase për Ekonominë, dhe nga Alessandro Cassinis, Revizor i përgjithshëm, një memorandum i ri për luftën kundër korrupsionit. Dy organizmat e Vatikanit do të bashkëpunojnë më ngushtë për zbatimin e normave të transparencës dhe të konkurrencës në kontratet publike të Selisë së Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

Sot, prefekti i Sekretarisë së Vatikanit për Ekonominë, atë Juan Antonio Guerrero dhe Alessandro Cassinis Righini, Revizor i përgjithshëm ad interim, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për luftën kundër korrupsionit. Njoftimi u dha nga Salla e Shtypit e Vatikanit.

         “Dy Autoritetet e Selisë së Shenjtë - thuhet në deklaratë - do të bashkëpunojnë edhe më ngushtë për identifikimin e rrezikut të korrupsionit dhe për zbatimin e frytshëm të normave mbi transparencën, kontrollin dhe konkurrencën në kontratat publike të Selisë së Shenjtë dhe Shtet-Qytetit të Vatikanit, miratuar kohët e fundit”.

Duke komentuar memorandumin, Alessandro Cassinis tha se ky “është një akt tjetër konkret, që tregon vullnetin e Selisë së Shenjtë për të parandaluar dhe luftuar fenomenin e korrupsionit brenda dhe jashtë Shtet-Qytetit të Vatikanit, luftë, që ka sjellë rezultate të rëndësishme gjatë muajve të kaluar”. Nga ana e tij, atë Guerrero theksoi se “lufta kundër korrupsionit, përveçse përfaqëson një detyrim moral dhe një akt drejtësie, jep mundësinë të luftohen shpërdorimet në një çast kaq të vështirë, për shkak të pasojave ekonomike të pandemisë, e cila prek gjithë botën, në veçanti, më të brishtët, siç kujton vazhdimisht Papa Françesku”.

18 shtator 2020, 16:13