hhhhh.jpg

Të parandalohet radikalizimi i rinisë, përmes kulturës së takimit

Fjala e Vëzhguesit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë në OSBE, mbajtur në Konferencën kushtuar terrorizmit, organizuar nga Shqipëria, kryetare e radhës, për vitin 2020.

R.SH. - Vatikan

“Selia e Shenjtë dënon me forcë dhe pa mëdyshje terrorizmin në të gjitha format dhe shfaqjet e tij. Asnjë arsye ideologjike, politike, filozofike, racore, etnike, ose fetare nuk mund ta justifikojë përdorimin e terrorizmit, sepse ai shkel dinjitetin, të drejtat e njeriut, të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe vë në rrezik qëndrueshmërinë, kohezionin e shoqërisë dhe zhvillimin e saj, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”. Kështu u shpreh Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në OSBE, imzot Janusz S. Urbańczyk, duke folur nga Vjena në videokonferencën dy-ditore mbi luftën kundër terrorizmit, organizuar nga Shqipëria, kryetarja e radhës e  Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, për vitin 2020.

Përgjigje të përbashkëta

 “Duhet të pranojmë se terrorizmi dhe ekstremizmi janë kërcënim i përhapur, që mund të prekë këdo, prandaj, duhet të japim një përgjigje të përbashkët”, nënvizoi imzot Urbańczyk. “Është thelbësore të merren masa të frytshme për të parandaluar të gjitha format e radikalizimit, veçanërisht tek të rinjtë, si dhe rekrutimin, stërvitjen dhe financimin e terroristëve të mundshëm”. E kjo përgjigje, sipas prelatit, nuk mund të përbëhet vetëm nga masa policore a sigurie.

Të kultivojmë kulturën e takimit

“Për të parandaluar radikalizimin dhe ekstremizmin, duhet të kultivojmë kulturën e takimit, që nxit respektin dhe promovon dialogun, për të ndërtuar kështu një shoqëri paqësore dhe gjithëpërfshirëse”, theksoi ai, duke nënvizuar se suksesi i përpjekjeve kundër terrorizmit e ka bazën kryesisht në nismat lokale. Pikërisht qeveritë dhe organizatat vendore përfshihen drejtpërdrejt në mobilizimin e të rinjve kundër terrorizmit dhe në sigurimin e arsimimit dhe të punësimit për ta, duke shmangur radikalizimin e rinisë. Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i mbështesë këto përpjekje. Të rinjve, vuri në dukje më tej Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë në OSBE, u duhet garantuar liria e fjalës dhe pjesëmarrja në jetën e shoqërisë. Vetë Selia e Shenjtë po punon me krerët e të gjitha feve për parandalimin e ekstremizmit dhe të dhunës, duke promovuar dialogun e sinqertë ndërfetar e ndërkulturor, si edhe bashkëpunimin ndërmjet besimtarëve.

Të përfshihen bashkësitë vendase dhe të mbrohet liria fetare

Imzot Urbańczyk kujtoi se “terrorizmi dhe dhuna nxiten shpesh nga faktorë ekonomikë, politikë dhe shoqëroro-kulturorë”, që krijojnë një ambient të përshtatshëm për radikalizimin e të rinjve. Ipeshkvi i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të bashkëpunojë me autoritetet, shoqërinë civile dhe bashkësitë fetare lokale për të promovuar zhvillimin, arsimimin, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ndalimin e përhapjes së propagandës terroriste. Së fundi, ai kërkoi mbrojtjen e lirisë fetare, duke vënë në pah rolin e pazëvendësueshëm të fesë në formimin e ndërgjegjes dhe në krijimin e një konsensusi etik themelor në shoqëri. 

16 shtator 2020, 11:32