Mjeku, pranë njeriut të moshuar Mjeku, pranë njeriut të moshuar  Editorial

Të kujdesesh për të sëmurët, duke mësuar ç’do të thotë të duash

Magjisteri apo mësimi, që jep Papa mbi temat e fundit të jetës, ripropozuar nga letra “Samaritanus bonus”, përmban theksime të forta baritore: njeriu duhet mjekuar e duhet rrethuar me dashuri deri në frymën e fundit.

R. SH. - Vatikan

Fjala “i pashërueshëm” nuk është kurrë sinonime me fjalën “i pamjekueshëm”: ky është kyçi, për ta kuptuar letrën e Kongregatës për Doktrinën e fesë “Samaritanus bonus”, me temë “Kujdesi për të sëmurët në fazat kritike e të fundme të jetës”. Dokumenti, përballë humbjes së përgjithshme të vetëdijes për vlerën e jetës dhe diskutimeve publike  shpesh tejet të kushtëzuara  nga raste të veçanta, në qendër të vëmendjes së kronikave, ripohon qartë se “vlera e paprekshme e jetës është një nga të vërtetat bazë të ligjit moral natyror, themel kryesor i rendit juridik”. Pra “nuk mund të mbash qëndrim  të drejpërdrejtë kundër jetës së njeriut, as kur e kërkon ai vetë”. Parë në këtë këndvështrim, arkitrau mbi të cilin mbështetet “Samaritanus Bonus”, është  gjë që dihej: magjisteri e ka pohuar më se një herë “jo”-në e vet kundër çdo forme të eutanazisë apo të vetëvrasjes së asistuar dhe ka shpjeguar se ushqimi dhe hidratimi janë mbështetje jetike, që i duhet siguruar të sëmurit. Magjisteri është shprehur edhe kundra  të ashtuquajturit “ngulmim terapeutik”, sepse kur afrohet vdekja, nuk mund ta ndalosh. Ndaj është e lejueshme të merret vendimi për të hequr dorë nga mjekimet, që do të mundësonin vetëm një zgjatje  të përkohshme, të kotë e të mundimshme, të jetës.

Letra ripropozon, pra, në mënyrë të përpiktë, atë që na mësuan Papët e kohëve të fundit e që u duk e nevojshme përballë ligjshmërive  gjithnjë më tolerante lidhur me këto tema.  Faqet e saj më të reja  janë ato me theks baritor, që kanë të bëjnë me shoqërimin dhe mjekimin e të sëmurëve, në fazën e përfundimtare të jetës së tyre:  kujdesi për këta të sëmurë nuk duhet reduktuar kurrë vetëm në kujdesin mjekësor. Ndjehet nevoja për prani, për terapi të përshtatshme e të rregullt, për ndihmë shpirtërore. Domethënës  theksimi i familjes “që ka nevojë për ndihmë e për mjetet e nevojshme”. Duhet që shtetet ta pranojnë rolin kryesor e themelor që luan familja në shoqëri. Rol i pazëvendësueshëm, edhe në këtë fushë, “duke parapërgatitur burimet dhe strukturat e nevojshme për ta mbështetur” - lexohet në dokument. Papa Françesku na kujton se familja “ka qenë gjithnjë ‘spitali më i afërt’”. E akoma sot, në të katër anët e botës, spitali është privilegj për pak, e shpesh, tejet i largët.

“Samaritanus bonus”, ndonëse na kujton dramën e një mori rastesh të kronikës të diskutuara në media, na ndihmon  të shikojmë dëshmitë e atyre që vuajnë e të atyre që mjekojnë, dëshmitë e panumërta të dashurisë, të flijimit, të përkushtimit për të sëmurët në fill të mortjes ose të njerëzve që, me humbje të vazhdueshme të vetëdijes, asistohen nga nënat, baballarët, bijtë, nipat. Përvoja që jetohen ditë për ditë në heshtje, shpesh ndërmjet mijëra vështirësish. Në autobiografinë e tij , kardinali Angleo Scola tregon një ngjarje  të ndodhur vite më parë: “Gjatë një vizite baritore në Venedik, një ditë, ndërsa dilja nga shtëpia e një të sëmuri, famullitari i vendit më paraqiti një zotëri pak a shumë në moshën time, me një pamje të rezervuar. Tri javë më parë i kishte vdekur i biri, me gjymtime të rënda, që nuk mund të fliste as të ecte e që i ati i kish ndenjur te koka ditë-natë, duke e ngushëlluar me praninë e vet. I vetmi çast, kur largohej prej tij, ishte ai i së dielës paradite, kur shkonte në Meshë. U trondita, para këtij burri, por, siç ndodh shpesh me ne, priftërinjtë, e ndjeva për detyrë t’i thosha nja dy fjalë: Zoti do të ta shpërblejë - pëshpërtita me zërin, që më dridhej. - E ai m’u përgjigj me një buzëqeshje, që nuk gjej fjalë për ta përshkruar: “Patriark, ta dish se Zoti më dhuroi gjithçka, sepse më bëri të kuptoj ç’do të thotë të duash me gjithë shpirt”.

22 shtator 2020, 10:17