Kërko

 Emergjenca coronavirus: parku verior i Milanos Emergjenca coronavirus: parku verior i Milanos 

Selia e Shenjtë: të mbrohen të drejtat e të moshuarve, edhe në kohë pandemie

Një brezni e çmuar, që pandemia po e vë në rrezik: duhen mbrojtur të drejtat e të moshuarve, duke siguruar “të dhënat e plota, të besueshme e të veçanta”. Këto pikat kryesore të fjalimit të Vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së së Gjenevës.

R. SH. - Vatikan

Të drejtat e njeriut nuk kanë moshë, prej këndej shëndeti i të moshuarve  duhet mbrojtur, ashtu si shëndeti i të gjithëve, posaçërisht në kohën e Pandemisë së Covid-19: kjo, thënë përmbledhtas, është thirrja e kryeipeshkvit  Ivan Jurkovič, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara të Gjenevës.

Të dhëna të sakta për të moshuarit, që t’u mbrohen të drejtat

Prelati  foli në sesionin e 45-të të Këshillit për të drejtat e njeriut, kushtuar    Ekspertit të pavarur mbi të drejtat njerëzore, që duhet t’i gëzojnë të gjithë të moshuarit. Në radhë të parë kryeipeshkvi  Ivan Jurkovič vuri në dukje se është i nevojshëm sigurimi i të dhënave  të sakta e të plota  mbi gjendjen e të moshuarve; statistikat, sot të përgjjthshme e me mungesa, synojnë t’i paraqesin  të moshuarit si “grup homogjen, ndërsa realiteti është krejt i ndryshëm”. Një perspektivë kaq e kufizuar nuk krijon mundësi as për dëgjimin e kujdesshën të kërkesave të tyre”, e as për vlerësimin e duhur të kontributit, që i japin shoqërisë. Prej këndej,  ipeshkvi theksoi nevojën për sigurimin e të dhënave “me cilësi të lartë, të menjëhershme e të besueshme”, në mënyrë që “zbraztësitë  lidhur me  mbrojtjen e të drejtave të njeriut për këtë shtresë të popullsisë të identifikohen e të plotësohen”. Të dhënat kanë “rëndësi jetike” - pohoi Vëzhguesi i Selisë Shenjte - sepse, siç e tregoi Pandemia, përfaqësojnë një mjet të domosdoshëm për monitorimin e emergjencës shëndetësore”, së cilës i duhen dhënë përgjigje të veçanta për çdo rast.

Asnjë dallim mbi bazë të moshës!

Mendimi i prelatit shkoi, më pas, tek “haraçi i trishtuar”, që i paguan pandemisë pleqtë e shtruar “në shtëpi kurimi e struktura rezidenciale në mbarë botën”. Duke pasur parasysh këtë situatë të tmerrshme - nëvizoi kryeipeshkvi Ivan Jurkovič - është e nevojshme  të  jepen njoftime të sakta për infektimet nga koronavirusi e për vdekjet, pasojë e kësaj situate, që të mund të përmirësohet, kështu, kontrolli brenda këtyre qendrave. Përsa u përket mjekimeve, përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë shprehu shqetësimin për faktin se “vendimet për dhënien e ndihmës mjekësore, duke përfshirë këtu edhe ventilatorët, po merren, a u morën, mbi bazën e moshës së të sëmurëve”. Prandaj ka rëndësi të dorës së parë që protokollet shëndetësore të paraprihen “nga vlerësime të thelluara klinike” dhe “nga një angazhim i qartë” për mbrojtjen e të drejtave e të dinjitetit të çdo njeriu.

Të mbrohen të moshuarit, pasuri e çmuar

Në muajt e fundit - shtoi imzot Jurkovič - një brezni e tërë të moshuarish i pagoi me jetë pasojat  e pandemisë, ndonëse kjo brezni  përfaqësonte  burimin më të çmuar për familjen njerëzore, parë në dritën e historisë, të përvojës e të mësimeve, që u transmeton breznive të reja. “Rrënjë e kujtesës e një populli - pohoi me forcë prelati - të moshuarit duhen mbrojtur; e duhen mbrojtur, sidomos, të drejtat e dinjiteti i tyre. Por, për ta realizuar këtë objektiv kaq të nevojshëm - përfundoi - duhen “të dhënat e plota, të besueshme e të veçanta”, që  të mund të zhduken pengesat e sotme  e të vlerësohet “ fryti i masave, që po merren në vijim”.

22 shtator 2020, 12:38