Dollarë amerikanë Dollarë amerikanë 

Selia e Shenjtë: korrupsioni, rrezik real për paqen dhe sigurinë

Në asamblenë e OSBE-së , kryeipeshkvi Balvo tërheq vëmendjen për t’u ruajtur nga trafiqet e paligjshme, që po vënë dorë edhe mbi fondet e caktuara për Covid 19. Thirrje që të punohet për të mirën e përbashkët, pa përjashtuar askënd, sidomos më të ligshtit

R. SH. - Vatikan

Ishte lufta kundër korrupsionit, tema kryesore e diskutimit të përfaqësuesit të Selisë së Shenjtë në Forumin ekonomik dhe ambiental të OSBE-së (Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë),  takim dyditor i mbajtur në Pragë, që përfundoi sot. Deklarata, dorëzuar dje nga kryeipeshkvi Charles Balvo, Nunc Apostolik në Republikën Çeke e kryetar i delegacionit vatikanas, nënvizon me forcë se  “korrupsioni është rrezik real për paqen e sigurinë”. Krijon, ndërkaq, shqetësim të vërtetë fakti se një sasi e jashtëzakonshme fondesh të zhbllokuara për t’iu kundërvënë pandemisë së Covid-19, po tërheq vëmendjen e veprimtarive kriminale, duke krijuar rrezikun  që “pikërisht njerëzit, të cilët kanë më shumë nevojë  për ndihmë financiare, të mbeten pa mbështetjen e nevojshme”. “Duhet të jemi të ndershëm - pohon Selia e  Shenjtë - e të pranojmë se korrupsioni mund të vërtetohet, në përmasa të ndryshme, në çdo shtet pjesëtar të OSBE-së,  sepse vetëm duke e pranuar ekzistencën e kësaj plage të hapur “do të mundemi edhe ta luftojmë”.

Rrugëzgjidhje, për të mirën e përbashkët

Prej këndej, ftesa për të gjetur “rrugëzgjidhje të ndryshme të reja në rrethanat aktuale të pandemisë. Rrugëzgjidhje larg prirjeve përçarëse, politizuese a të pjesshme, por që kërkojnë me të vërtetë të mirën e përbashkët dhe zhvillimin e gjithanshëm të të gjithë njerëzve. Në këtë këndvështrim, Selia e Shenjtë kujton se më 1 qershor 2020, Papa Françesku  shpalli  një Motu proprio kushtuar transparencës, kontrollit dhe konkurencës në procedurat e dhënies së kontratave publike të Selisë së Shenjtë dhe të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, me synimin për të reduktuar  rrezikun e korruptimit të atyre, që thirren për t’i qeverisur dhe për t’i drejtuar organet vatikanase. Ky vendim i Papës - lexohet në tekstin e kryeipeshkvit Balvo - na çon në zemrën e shuplakës së korrupsionit, apo në faktin se “kur funksionarët civilë vjedhin ose përvetësojnë padrejtësisht  fondet publike, kjo e dëmton rëndë gjithë bashkësinë”.

Transparencë në mbarështimin e pasurisë publike    

Nëse në drejtimin e pasurisë publike mungon “transperenca dhe përgjegjësia” - vijon vërejtja e Selisë së Shenjtë - progresi ekonomik i qëndrueshëm dhe siguria rrezikohen, ose e humbasin krejtësisht rolin e tyre. Kryeipeshkvi Balvo nxit, në përfundim, që korrupsioni të luftohet edhe përmes “kulturës, arsimit, formimit, pjesëmarrjes së qytetarëve”,  sepse “ligjet janë të nevojshme, por nuk mjaftojnë për ta fituar këtë luftë sa të rëndësishme, aq edhe delikate”. Çka duhet - përfundon - është të veprohet me guxim për t’i shkundur ndërgjegjet, për të kaluar nga indiferenca e përhapur, në veprimtari guximtare që të gjithë të bëhen të vetëdijshëm për  rreziqet e lindura nga këto fenomene të rënda e kështu edhe t’u kundërvihen me të gjitha forcat!”.

11 shtator 2020, 11:09