Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin 

Parolin: përshpirtëria popullore duhet pastruar nga ndikimi i botës së krimit

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, në Kalabri për një festë mariane, ripohoi dje çka theksoi kohët e fundit Papa mbi nevojën e zhdukjes së “elementeve kriminale”, ose “të bestytnive” nga devocioni i mirëfilltë i njerëzve.

R. SH. - Vatikan

T’i jepet fund shfrytëzimit të figureve e të kultit të Virgjërës Mari nga ana e kriminalitetit. Papa e pohoi qartë këtë rreth 20 ditë më parë, duke e përgëzuar Akademinë ndërkombëtare mariane lidhur me krijimin e një Departamenti për analizën dhe studimin e fenomeneve kriminale e mafioze. “Të çlirohet figura e Zojës nga ndikimi i organizatave kriminale” -  kjo, thirrja e Françeskut, i cili dje, në një rrethanë tjetër, e me të njëjtat tone, i bëri jehonë pohimit të Sekretarit të tij të Shtetit.

Thesar, për t’u ruajtur

Kardinali Pietro Parolin ishte dje në Kalabri, në Shenjtëroren e Torre Ruggiero, pranë të Catanzaros, ku kremtoi Meshën për festën e Zojës së Hireve. Një “Lurdë e vogël” e quajti vendin e ngërthyer në një tokë të thirrur - shtoi - të bëhet pikë mbështetje  për “ burimet e fesë, të kulturës të traditës, të punës” e, të mos harrojmë, edhe të shpresës. E, duke folur për thesarin tejet të madh të përshpirtërisë popullore, sekretari i Shtetit të Vatikanit pohoi, në takimin me gazetarët, që e nxisnin ta prekte këtë pikë, se “duhet pastruar përshpirtëria popullore nga elementet e hueja, aq më tepër nëse janë elemente të botës së krimit”.

Të shumta, format e bestytnive

Nuk janë vetëm “ndalesat” e Zojës para shtëpive të krerëve të mafies ose forma të tjera të shpërdorimit, që duhen shkulur me rrënjë nga përshpirtëria popullore. Ka edhe forma të tjera - pohoi kardinali Parolin -  prej këndej barinjve u mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim, që kërkon vëmendje të veçantë, për të mbrojtur “vlerën” e formave të devocionit të mirëfilltë popullor. Kisha e vlerëson lart këtë devocion - shtoi - sepse e mbështet fenë në të gjitha situatat e jetës.

09 shtator 2020, 15:04