MIlano: Universiteti i Zemrës së Krishtit MIlano: Universiteti i Zemrës së Krishtit 

Parolin: nga universitetet katolike, një vizion për botën pas-Covid

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, me rastin e Ditës së Universitetit Katolik shkruan: “Në një çast, në të cilin pandemia modifikoi shumë ekuilibra, për një mori arsyesh, ndjehet nevoja e personaliteteve me zemër të urtë, mendje të ndritur, duar punëtore e fe të patundur, që të jenë të zotët ta shoqërojnë njerëzimin drejt një ardhmërie më të qëndrueshme e më të mirë”.

R. SH. - Vatikan

Përtej didaktikës e kërkimit shkencor, sot  universiteti, e për më tepër ai katolik, ka një “mision të tretë” për të realizuar: “edukimin e gjithanshëm” të nxënësit, në të cilin vlera si dialogu, solidariteti e ndarja e përbashkët,  duhet të jenë bazë për përgatitjen, njëlloj si kompetencat shkencore. Me këtë konsideratë e edhe me të tjera, kardinali Pietro Parolin jep kontributin e tij në kremtimin e sotëm të Ditës së 96-të kushtuar Universitetit Katolik.

Kujtesë e profeci: mbi frontin e virusit

Në letrën drejtuar kryeipeshkvit të Milanos, Mario Delpinit, si kryetar i Institutit të Studimeve të Larta “Giuseppe Toniolo”, sekretari i Shtetit të Vatikanit e merr shtytjen nga tema e Ditës: “Aleatë për të ardhmen”, të cilën - shton - kriza  e koronavisrusit e pasuroi me “domethënie të reja” e “edhe me përparësi të veçanta”. Mjafton të kujtojmë mjekimet që Poliklinika “Gemelli” u ofroi mijëra njerëzve të sëmurë nga koronavirusi. Kardinali Parolin e falënderon personelin shëndetësor për këtë punë, “të kryer me organizim frytdhënës e rigorozitet etik” sipas shembullit  edukativ që  duhet të japë një universitet katolik.

Dije për t’u rimenduar

“Nga ekonomia, tek financa; nga jurisprudenca, tek shkencat shoqërore, imponohet - kujton Sekretari i Shtetit - rimendimi i kritereve të zhvillimit, që nuk mund të jenë burim i diskriminimit e i shpërndarjes së padrejtë të të mirave materiale, edhe në ambientet shëndetësore. Kështu edhe në studimin e filozofisë e të gjuhëve, të shkencave të formimit e të psikologjisë, është e ngutshme - vijon -  të rivendoset në qendër të vëmendjes njeriu e të ripërcaktohen përgjegjësitë e tij, në një shoqëri që ndryshon me shpejtësi, ku sfidat e pafundme lidhur me ambientin, edukimin, migrimet, kërkojnë analizë të re e rrugë të reja, të frymëzuara nga  e mira e gjithanshme e njeriut, nga drejtësia, nga vëllazërimi e nga bashkëjetesa paqësore ndërmjet popujve.

Të formohen mendje e zemra të spikatura

Këto - pohon kardinali Parolin - janë perspektivat, për të cilat duhet punuar, nëse dëshrojmë me të vërtetë të jemi Aleatë për ardhmërinë e të sigurojmë një kthesë të vërtetë në rrugën e njerëzimit. Njëqind vjetët e Universitetit të Zemrës së Krishtit na rikujtojnë - shkruan kardinali Parolin - objektivin e Atë Gemelli-t dhe të zanafillës, “atë të formimit të personaliteteve katolike,  të afta  për të lënë gjurmë në historinë  e vendit  e për të kontribuar në misionin e Kishës”. Kërkesë që jo vetëm nuk ka perënduar, por vijon, aq më shumë pse sot, për një mori arsyesh, ndjehet nevoja e personaliteteve me zemër të urtë, mendje të ndritur, duar punëtore e fe të patundur, që të jenë të zotët ta shoqërojnë njerëzimin drejt një ardhmërie më të qëndrueshme e më të mirë.

Aleancë  e gjerë edukative

Kisha e ka përsëritur shumë herë dëshirën e Papës “për krijimin e një pakti edukativ global”. Françesku - vijon kardinali Parolin - uron nga zemra  që misioni i Ateneut të katolikëve italianë të realizohet gjithnjë më në sintoni me këtë projekt, sepse sot - më shumë se kurrë - shton, duke cituara mesazhin papnor mbi paktin edukativ - “ndjehet nevoja për t’i bashkuar përpjekjet në një aleancë edukative për formimin e njerëzve të pjekur, të aftë për t’i kapërcyer copëzimet e kundërshtimet e për të rindërtuar indin e marrëdhënieve për një njerëzim më vëllazëror”.

20 shtator 2020, 15:00