Kërko

Vatican News
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin  (ANSA)

Parolin në ESOF2020: feja e ndihmon shkencën

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, hapi dje EuroScience Open Forum(ESOF) në Trieshtë, duke i nxitur punonjësit shkencorë dhe sipërmarrësit të udhëhiqen nga feja, në përpjekjen për ta nxitur zhvillimin e gjithanshëm njerëzor.

R. SH. - Vatikan

“Shkenca dhe feja mund të shkojnë krah për krah, si motra, që kryejnë të njëjtin shërbim themelor për mbarë shoqërinë”. Me këto fjalë e hapi   Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, EuroScience Open Forum(ESOF). Takimi dyvjetor, në të cilin diskutohet për udhët e përshkuara gjatë kërkimeve shkencore, mbahet në qytetin italian Trieshte, me pjesëmarrjen e shkencëtarëve, punonjësve shkencorë, sipërmarrësve e politikanëve evropianë.

Dinjitet dhe zhvillim, angazhimi i Kishës

Në fjalimin e hapjes, kardinali Parolin u ndalua tek angazhimi i Kishës në promovimin e dinjitetit dhe të zhvillimit të njeriut, në dialog me shkencat. Theksoi, më pas, se shkëmbimi i anasjelltë ndërmjet dy fushave është themelor për të përballuar “çështjet më urgjente, që kërcënojnë bashkëjetesën paqësore të njerëzimit”. Njerëzimi - shtoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit - rrezikon të përmbytet, nëse e lë pas dore “hapësirën e realitetit,  që i ofron shkenca” dhe “dëshirën e thellë njerëzore për arritjet e mëdha”.

Hirësia e Tij vijoi të thellohet në lidhjet e ngushta të njerëzimit me ambientin, teknologjinë dhe me vetveten.

Ambienti dhe mbijetesa

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Parolin, u ndalua, sidomos, tek marrëdhëniet e njeriut me ambientin. Vuri në dukje, me keqardhje, zhdukjen e një numri të madh speciesh  dhe  shkëmbimin e padrejtë të progresit shkencor, i cili ndikon fuqimisht në përmirësimin e jetës njerëzore. Të gjithë – nënvizoi - duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë ndaj shtëpisë së përbashkët.

Ekologjia e gjithanshme

Shkenca, e vetme - kujtoi - nuk mund ta zgjidhë problemin ekologjik të njerëzimit. Ndërsa Kisha kërkon ta ndihmojë njerëzimin ta pranojë kontributin që mund të japë feja, duke i integruar arritjet shkencore në një vizion global, që njihet si ekologji e gjithanshme.

Rrënja e përbashkët

Dialogu ndërmjet fesë e shkencës - pohoi më pas Sekretari i Shtetit të Vatikanit - synon të zbulojë rrënjën e përbashkët të fenomeneve që, kur shihen ndaras, nuk mund të kuptohen plotësisht. Kështu - vijoi kardinali Parolin - ekologjia e gjithanshme synon që kërkimi shkencor ta kombinojë “kuptimin racional të realitetit”, me “dëshirat e zjarrta të zemrës njerëzore”.

Aleanca ndërmjet teknologjisë  dhe etikës

Sekretari i Shtetit foli, më pas, edhe për lidhjen ndërmjet njerëzimit e teknologjisë. Pohoi se shumë teknologji po përparojnë me shpejtësi aq të madhe, sa të lënë shumë pak kohë  për  rrëmime etike më të thella. Për të theksuar më pas: “Pyetja, që duhet të bëjmë së bashku, është kjo: duke pasur parasysh çka jemi në gjendje të bëjmë teknikisht,  ç’është e drejtë të bëjmë etikisht?”. Sepse edhe mënyra e komunikimit të dijes - kujtoi kardinali Parolin - po pëson ndryshime të papara, për shkak të dixhitalizimit e të globalizimit. Kisha shqetësohet për pasojat e këtyre prirjeve mbi të rinjtë, që ushqehen me një dietë mediatike të vazhdueshme, e cila “e modifikon strukturën cerebrale të të lindurit  dixhital”.

Breznitë e reja

“Shkenca dhe feja  duhet të jenë aleate në punën për edukimin e breznive të reja, duke krijuar kushtet që të marrin një edukatë, e cila u krijon mundësinë të jetojnë një jetë njerëzore të plotë e të vërtetë, në mes të sfidave të krijuara nga gjuha e re dixhitale, që mund ta modifikojë  mënyrën njerëzore të të menduarit” - nënvizoi kardinali sekretari i Shtetit të Vatikanit.

Marrëdhëniet ndërpersonale

Kardinali Parolin e përfundoi fjalimin e hapjes me një reflektim mbi lidhjet e njerëzimit me vetveten. Në këtë kohë krize - kujtoi - “Kisha  mund ta ndihmojë njerëzimin t’i përballojë faktorët, që shkaktojnë një ankth të madh në zemrën njerëzore”. Humbja e shpresës dhe e interesit  për të sotmen e të ardhmen më të largët,  është pasojë e faktit se njeriu nuk arrin më ta kuptojë vetveten. Duhet rindërtuar bashkësia - shtoi -  kjo është përgjigjja, sepse marrëdhëniet ndërpersonale e shpëtojnë individin nga izolimi e nga jeta vetmitare.

Progresi e zhvillimi

Me rëndësi, pastaj, edhe dallimi ndërmjet progresit e zhvillimit. Progresi - sipas sekretarit të Shtetit të Vatikanit - “është ndryshim gradual, që shprehet në rritjen e aftësisë e të potencialit”. Po jo të gjitha progreset janë  të mira. Progresi është pozitiv vetëm kur e vë njeriun në qendër të reflektimit tonë!

Paqe e qëndrueshme

Së fundi, nxitja drejtuar shkencëtarëve dhe drejtuesve të politikës: “Kërkimi shkencor në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor  shkon përtej mundësive të kufizuara të progresit ekonomik, shoqëror, teknologjik e shkencor, ndonëse tejet të rëndësishme. Ka nevojë për  kërkim të mirëfilltë e të palodhshëm të asaj, që është  me të vërtetë konstruktive për të mirën e përbashkët të njerëzimit, burim i domosdoshëm e shoqërues i vazhdueshëm i paqes reale, të qëndrueshme, ndërmjet popujve e breznive të ardhshme.

04 shtator 2020, 10:31