Kërko

AdobeStock_11422507.jpeg

Impagliazzo: në Asamblenë e OKB-së, Papa ka shumë për t’i thënë botës

Sipas historianit Marco Impagliazzo, kryetar i Bashkësisë së Shën Egjidit, videomesazhi i Papës Françesku për Kombet e Bashkuara, planifikuar për 25 shtator, do të konfirmojë rëndësinë ndërkombëtare të OKB-së e do të mbështesë qasjen shumëpalëshe ndaj problemeve të krizës globale, shkaktuar nga koronavirusi.

R.SH. - Vatikan

Videomesazhi i Papës Françesku për asamblenë e 75-të të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që u hap më 21 shtator, do të paraqitet nesër, 25 shtator, në përvjetorin e pestë të vizitës së tij në selinë e OKB-së në Nju Jork. Atëherë, Ati i Shenjtë, ashtu si paraardhësit e tij, Pali VI, Gjon Pali II dhe Benedikti XVI, u foli drejtpërdrejt anëtarëve të asamblesë së përgjithshme, ndërsa kësaj radhe ata do të jenë të lidhur virtualisht, për shkak të masave të sigurisë kundër koronavirusit. Pesë vite më parë, Papa pohoi se “shtëpia e përbashkët e të gjithë njerëzve duhet të vazhdojë të ngrihet mbi kuptimin e drejtë të vëllazërimit universal dhe mbi respektin për çdo jetë njerëzore, që është e shenjtë”. Këtë vit, kur bota është mbërthyer në krizën e shkaktuar nga pandemia e Covid-19, fjalët e Papës priten me interes të veçantë, siç shpjegon, në mikrofonin e Vatican News, Marco Impagliazzo, profesor i historisë bashkëkohore në Universitetin Roma Tre dhe kryetar i Bashkësisë kishtare të Shën Egjidit:

Unë besoj se për Selinë e Shenjtë, OKB-ja mbetet, siç tha Papa Françesku pesë vite më parë, përgjigjja kryesore për zgjidhjen e krizave të mëdha të botës bashkëkohore. Në këtë Asamble të 75-të të Përgjithshme të OKB-së, Sekretari i Përgjithshëm, Guterres, bëri thirrje të shpëtohet qasja shumëpalëshe, duke deklaruar se “sot kemi më shumë sfida shumëpalëshe dhe më pak zgjidhje shumëpalëshe”. Mendoj që Papa Françesku do ta mbështesë këtë shqetësim, do ta ripropozojë idenë se për të zgjidhur çështjet e mëdha botërore, duke filluar me pandeminë, nevojiten zgjidhje shumëpalëshe e, për ta bërë këtë, nevojitet edhe një reformë e Kombeve të Bashkuara. Françesku ka folur për të edhe në raste të tjera: duhen reforma për ta bërë punën e Kombeve të Bashkuara më të frytshme, për të kapërcyer shpërdorimet, rezultatet e dobëta në çështjet e mjedisit, por edhe në temat, që kanë të bëjnë me konfliktet. Ka një luftë në Siri, që vijon prej më se nëntë vitesh dhe dëshmon pafuqinë, shpesh fajtore, të bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka kaluar nga një takim në tjetrin, duke mbetur peng e agjendave të ndryshme, nganjëherë, në konflikt me njëra-tjetrën. Në këtë kuptim, urohet një reformim i Kombeve të Bashkuara që t’u japë me të vërtetë zë edhe vendeve më të vogla, vendeve më të varfra, atyre që vuajnë nga përjashtimi shoqëror dhe ekonomik. Mendoj se Papa do të bëjë një thirrje në këtë drejtim, së bashku me thirrjen për vëllazërimin universal, që duket se është tema e enciklikës së tij të ardhshme, për arritjen e paqes dhe për mbrojtjen e asaj, që ai vetë, pesë vite më parë, e quajti e drejta e ambientit.

Në vitin 2015, Papa foli para OKB-së, menjëherë pas botimit të enciklikës “Laudato si’”. Nesër, ai do t’i drejtohet asamblesë së përgjithshme pak ditë para se të nënshkruajë enciklikën e tij të re “Fratelli tutti”. Nuk është thjesht rastësi, apo jo?

Jo, kjo do të thotë që Papa dhe Selia e Shenjtë kanë shumë për t’i thënë kësaj bote dhe kanë zgjidhje të rëndësishme për të këshilluar. Janë ato, që gjejmë në enciklikën e pesë viteve më parë mbi ekologjinë e gjithanshme e, imagjinoj se do t’i gjejmë edhe në enciklikën e re shoqërore mbi vëllazërimin. Përgjigje dhe zgjidhje, që ndjekin vijën e qartë, të cilën Papa e përvijoi në Sheshin e Shën Pjetrit, më 27 mars të këtij viti: “jemi të gjithë në të njëjtën barkë” e nuk mund të pretendojmë të jemi të shëndetshëm në një botë të sëmurë, prandaj, duhet ta shërojmë botën. Këtu kemi të bëjmë me temën ambientale, por edhe me atë të përjashtimit shoqëror dhe ekonomik të miliona e miliona njerëzve. Nga ana tjetër, çështja e qasjes shumëpalëshe. Të gjithë jemi në të njëjtën barkë dhe duhet të vozisim së bashku. 

24 shtator 2020, 11:01