Shën Françesku i Asizit dhe sulltani i Egjiptit Al-Kamil në vitin 1219 Shën Françesku i Asizit dhe sulltani i Egjiptit Al-Kamil në vitin 1219

“Fratres omnes” – vëllezër e motra, të gjithë

Titulli i enciklikës së tretë të Papës Françesku, me fjalët “Fratelli tutti”, ngjall nganjëherë kundërshti. Në fakt, Françesku i Asizit, i cili citohet në të, u drejtohet të gjithë besimtarëve - vëllezër dhe motra në të gjithë botën. Në gazetën “L’Osservatore Romano”, fra Niklaus Kuster shpjegon nga e ka burimin emri i enciklikës, që do të nënshkruhet nga Papa më 3 tetor.

R.SH. - Vatikan

Para se enciklika e tretë e Papës Françesku të nënshkruhet në Asizi më 3 tetor dhe teksti të botohet më 4 tetor, titulli i saj shkakton debat. Sidomos në forumin kulturor gjermane anglez, por edhe në vende të tjera të botës, gra teologe e jo, vënë në dukje faktin se Ati i Shenjtë, me titullin e encikilikës “Fratelli tutti”, – citim nga shën Françesku, lënë njëlloj në të gjitha gjuhët – i përjashton femrat nga reflektimi i tij për botën pas pandemisë së koronavirusit.

Natyrisht, nuk është kështu e shumë zëra janë ngritur në mbrojtje të Papës, duke vënë në dukje se, në të vërtetë, shën Françesku i cituar nga Papa, që ka marrë emrin e tij, u drejtohet të gjithëve, burrave e grave. Një nga zërat është frati françeskan kapuçin nga Zvicra, Niklaus Kuster, teolog e studiues i njohur i Varfanjakut të Asizit, që shkruan një artikull të gjatë për gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, ku thekson se burimi i titullit është një margaritar shpirtëror i Mesjetës, në gjendje t’i befasojë edhe lexuesit modernë. Frati kërkon që fjalët latine “omnes fratres” të shën Françeskut të përkthehen duke pasur parasysh se shenjti i Asizit u drejtohej të gjithëve e jo vetëm burrave, prandaj do të ishte e gabuar të përkthehej titulli i enciklikës “vëllezër të gjithë”, duke nënkuptuar me “vëllezër” vetëm meshkujt.

Përmbledhje urtie

Nëse në titullin e enciklikës “Laudato si’” citohet “Kënga e Vëllait Diell” e shën Françeskut në gjuhën latine të popullit të Mesjetës, të ashtuquajtur vulgare, titulli i enciklikës së tretë të Papës e ka burimin në një përmbledhje me perla urtie. Kjo përmbledhje me këshilla të shën Françeskut, quhet “Admonitiones” e përbëhet nga 28 mësime shpirtërore, ku përfshihen edhe lumni të shumta, një traktat i shkurtër e madje, edhe një këngë kushtuar forcës së dhuratave të Shpirtit Shenjt. Këto këshilla, vetëm fillimisht u drejtoheshin fretërve, pra, sivëllezërve të shën Françeskut, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për përmbledhjen.

Në gazetën “L’Osservatore Romano”, autori françeskan i artikullit vë në dukje se përkthimi fjalë për fjalë i shprehjes latine “omnes fratres” nuk pasqyron kuptimin e plotë të tekstit, në formën e tij përfundimtare. Për shembull, këshilla e gjashtë fillon me fjalët: “Të shohim me kujdes, o të gjithë ju vëllezër (fratres), Bariun e Mirë, që për të shpëtuar delet e tij duroi mundimet në kryq”. Shihet qartë se figura e Bariut dhe e grigjës së tij, nga mënyra si është përdorur në tekst, përfshin krejt Kishën e jo vetëm aradhen e fretërve. Për të kuptuar kujt i drejtohet përmbledhja e teksteve të cituara nga Papa Françesku duhet bërë dallim ndërmjet origjinës së pjesëve të ndryshme të tekstit dhe kompozimit të tyre përfundimtar. Në këtë të fundit, fjala “fratres” e zgjeron kuptimin përtej rrethit të vogël të “fraternitas” françeskane, duke përfshirë gjithë Kishën.

Nga guri i mozaikut në kuadrin e plotë

Çdo këshillë e urtë e shën Françeskut në “Admonitiones”, sqaron më tej në artikull fra Niklaus Kuster, u drejtohej fillimisht fretërve dhe njerëzve në shërbim të Zotit. U hodhën në letër nga sivëllezërit, që dinin shkrim e këndim, ku mundeshin e si mundeshin, por gati në përfundim të jetës, qe vetë shën Françesku, që i sistemoi dhe i kompozoi këto këshilla a mësime në formën e një përmbledhjeje, që të kujton “shtëpinë e Urtisë” në Bibël, me shtyllat e saj të gdhendura. Numri simbolik 28 (pasi janë 28 mësime shpirtërore) shpërbëhet në 4x7: katra tregon botën, ndërsa shtata, krijimin e Zotit. 28-a përfaqëson simbolikisht Kishën si vepër e Hyjit. E kush hyn në këtë portik kaq artistik e kufizohet të shohë vetëm njërën nga shtyllat? Në këtë ndërtesë shpirtërore ftohen të gjithë njerëzit, pa përjashtim. Vërtet, që në “admonitio”-n e parë, e cila flet për eukaristinë, shën Françesku u drejtohet të gjitha bijave e “bijve të njeriut”. Teksti latin e hap horizontin e shpresës mbi të gjithë Kishën e të gjithë anëtarët e njerëzimit.

Nga “vëllezër” në “vëllezër e motra”

 Nuk është rastësi që mësimi i parë fillon me një citim programatik nga Shkrimi Shenjt: “Jezusi Zot u tha të gjithë atyre, që e ndjekin: Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta”. Portikët romakë të kishave, shpesh, i ftojnë njerëzit të hyjnë, duke kaluar nën një figurë të Krishtit në timpan, që pasqyron këtë realitet në librin e hapur të ndërtesës kishtare. Në ndërtesën shpirtërore të “Admonitiones”, pas dy mësimeve përgatitore, dhjetë këshilla të urta përvijojnë udhën drejt darkës (simbol i eukaristisë). Ato pasohen nga katër lumni biblike dhe dhjetë lumni të tjera françeskane e pastaj, dy mësime përfundimtare përgatisin kthimin në jetën e përditshme.

Kështu, mësimet individuale bashkohen për të “ndërtuar” shtëpinë shpirtërore të urtisë, që i ngjan një bazilike: në të majtë të navatës, dymbëdhjetë shtylla të çojnë, si “udhë e së vërtetës”, drejt zonës së altarit, baldakini i të cilit mbështetet mbi katër shtylla të holla dhe përcakton vendin e bashkimit shpirtëror me Zotin. Pastaj, në anën tjetër të navatës, dymbëdhjetë shtylla të kthejnë në portik e shënojnë “udhën e jetës”. Via - veritas – vita: këto janë çelësat e kompozimit të një vepre të plotë, fjalët individuale të së cilës, shkëputur nga kuadri ku kanë lindur, bëhen mesazh për gjithë të krishterët, burra e gra.

Përkthimi i saktë

Teksti latin i Shën Françeskut, sqarohet më së fundi në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, e bën të qartë se fjala “fratres” e përdorur për fretërit, përfshin edhe vëllezërit dhe motrat shpirtërore, pra të gjithë, siç ndodh edhe sot në gjuhët me prejardhje latine. Ndërsa, gjuhët gjermanike bëjnë dallim ndërmjet “Brüder” (vetëm vëllezër meshkuj) dhe “Geschwister” (vëllezër dhe motra), njëlloj si ndërmjet “Brüderlichkeit” (vëllazëri pa motrat) dhe “Geschwisterlichkeit” (me motrat).

Në mënyrë të ngjashme, anglishtja bën dallim ndërmjet “brothers” (vetëm meshkuj) dhe “siblings” (vëllezër e motra), si edhe ndërmjet “brotherhood” (vëllazëri shpesh pa motra) dhe “silblinghood” (që i përfshin të gjithë). Kështu, kuptohet pse titulli i enciklikës së re të Papës Françesku, “Fratelli tutti”, ka shkaktuar mëdyshje pikërisht në zonat gjermanisht- e anglishtfolëse.

Pas këshillës së parë, ku të gjithë “bijtë dhe bijat e njeriut” hyjnë në shtëpinë e bukur të Urtisë, edhe në këshillën e gjashtë, termi “fratres” u duhet referuar të gjithë burrave e grave të krishtera e të gjithë njerëzve mbi tokë. Atyre u drejtohet edhe enciklika e re e Papës Françesku, “Fratelli tutti”.

23 shtator 2020, 12:23