Kungimi gjatë pandemisë Kungimi gjatë pandemisë 

Mesha “virtuale” nuk e zëvendëson pjesëmarrjen personale

Në një Letër, drejtuar kryetarëve të Konferencave ipeshkvnore, kardinali Sarah pohon nevojën e rikthimit të jetës së krishterë në normalitet, atje ku e lejon emergjenca e shkaktuar nga pandemia: ta ndjekësh Meshën përmes mjeteve të komunikimit, nuk është njësoj si të marrësh pjesë fizikisht në të.

R. SH. - Vatikan

Është urgjent rikthimi në normalitetin e jetës së krishterë, me praninë fizike në meshë, atje ku e lejojnë rrethanat: asnjë transmetim nuk mund të barazohet me pjesëmarrjen personale, as nuk mund ta zëvendësojë. Këtë pohon kardinali Robert Sarah, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor  dhe Disiplinën e Sakramenteve në një Letër, kushtuar kremtimit të liturgjisë gjatë e pas pandemisë së Covid 19, titulluar: “Të kthehemi me gëzim tek Eukaristia!”. Teksti, drejtuar kryetarëve të Konferencave Ipeshkvnore të Kishës katolike, u miratua nga Papa Françesku më 3 shtatorin e kaluar.

Përmasa komunitare e jetës së krishterë

Pandemia e shkaktuar nga Coronavirusi - shkruan kardinali Sarah - shkaktoi “çrregullime” jo vetëm në jetën shoqërore e familjare, por edhe në jetën e bashkësisë së krishterë, duke përfshirë edhe përmasën luiturgjike”. Hirësia e Tij  kujton se përmasa komunitare ka domethënie teologjike: “Zoti është marrëdhënie Vetjesh, në të Shenjtnueshmen Trini; vihet në lidhje me burrin e gruan e i thërret të hyjnë në lidhje me Të”. Kështu “ndërsa paganët ndërtonin tempuj, ku nuk mund të takoheshin me hyjnitë, sepse nuk mund të hynin në zemër të tempullit, të krishterët, sapo fituan lirinë e kultit, nisën menjëherë të ndërtonin vende, që ishin “domus Dei et domus ecclesiae, ku besimtarët mblidheshin si bashkësi e Zotit”. Prandaj shtëpia e Zotit nënkupton “praninë e familjes së bijve të Atit qiellor”.

Bashkëpunim i Kishës me autoritetet civile

“Bashkësia e krishterë - lexohet në tekst - nuk është mbyllur kurrë në vetvete, as nuk e ka bërë Kishën vend me porta të mbyllura!. Të formuar me vlerën e jetës komunitare e në kërkim të së mirës së përbashkët, të krishterët kërkojnë gjithnjë të jetojnë në gjirin e shoqërisë”. Edhe në emergjencën pandemike ndjehet fort përgjegjësia: duke respektuar e në bashkëpunim me autoritetet civile e me specialisët, ipeshkvijtë “qenë të gatshëm të merrnin vendime të vështira e të dhimbshme”, “deri në ndërprerjen e zgjatur të pjesëmarrjes së besimtarëve në kremtimet e Eukaristisë”.

Urgjencë për t’u rikthyer në normalitetin e jetës së krishterë

Por, sapo rrethanat ta lejojnë - pohon kardinali Sarah - është e nevojshme dhe urgjente të rikthehemi në normalitetin e jetës së krishterë, që e ka Kishën si shtëpi e kremtimin e liturgjisë, posaçërisht të Eukaristisë, si “kulmin drejt të cilit priret gjithë veprimtaria e Kishës e edhe si burim, nga i cili gurron e gjithë forca” (Sacrosanctum Concilium, 10). Të vetëdijshëm se Zoti nuk e braktis kurrë njerëzimin, që e krijoi, e edhe se provat më të rënda mund të sjellin fryte hiri, e pranuam largimin nga altari i Zotit si kohë agjërimi eukaristik, të nevojshëm për të rizbuluar rëndësinë jetike, bukurinë dhe vlerën e pamatshme të saj. Por tani duhet të kthehemi sa më shpejt tek Eukaristia!

Duhet të marrim pjesë personalisht në Meshë

Kardinali nënvizon se mjetet e komunikimit u shërbejnë shumë  të sëmurëve dhe atyre, që nuk janë në gjendje të shkojnë në kishë, e këtë shërbim e kryen edhe kur nuk ishte e mundur të kremtohej bashkërisht. Por pa harruar se asnjë transmetim nuk mund ta zëvendësojë pjesëmarrjen personale, e as nuk mund të krahasohet me të. "Sapo të pakësohet plotësisht rreziku i ngjitjes së sëmundjes, të gjithë duhet të zënë përsëri vendin e vet  në asamblenë e vëllezërve”.

Këshilla për rikthimin

Në Letër flitet edhe për disa rrugë veprimi, për një rikthim të shpejtë e të sigurt në kremtimin e Eukaristisë. Vëmendja për normat higjienike e të sigurisë - pohohet - nuk mund të çojë në sterilizmin e gjesteve e të riteve”. Normat liturgjike nuk janë lëndë, mbi të cilën mund të ndërhyjnë autoritetet civile, por vetëm autoritetet kompetente kishtare” (Sacrosanctum Concilium, 22).

Respektimi i normave liturgjike

Letra nxit të lehtësohet “pjesëmarrja e besimtarëve në kremtime, pa eksperimentime rituale, duke respektuar plotësisht normat, të cilat përmbahen në librat liturgjikë, që rregullojnë kremtimin e duke u njohur besimtarëve të drejtën ta marrin Korpin e Krishtit e ta adhurojnë Zotin e pranishëm në Eukaristi në mënyrat e parashikuara, pa kufizime që shkojnë përtej parashikmit të normave higjienike të përcaktuara nga autoritetet publike ose nga ipeshkvijtë.

Parim i sigurt: t’u bindemi ipeshkvijve

Një parim i sigurt për të mos gabuar, është bindja. Bindja ndaj normave  të Kishës, bindja ndaj Ipeshkvijve. Në kohë të vështira (si luftërat e pandemitë) Ipeshkvijtë dhe Konferencat ipeshkvnore mund të japin norma të përkohshme, të cilat duhen pranuar me bindje. Bindja a dëgjesa është thesar, që i besohet Kishës. Këto masa, diktuar nga Ipeshkvijtë dhe Konferencat Ipeshkvnore, e humbasin vlerën kur rikthehet gjendja normale.

Shëndeti publik e shëlbimi i amshuar

Kisha - përfundon kardinali Sarah - kujdeset për njeriun në përgjithësi e me “shqetësimin për shëndetin publik” bashkon edhe “kumtimin si dhe shoqërimin e shpirtrave drejt shëlbimit  të amshuar”.

 

13 shtator 2020, 14:43