1594033278061.jpg

Kardinali Zenari: në Siri po vdes shpresa

Shkatërrimi është i madh, gjithçka mungon, mos na harroni. Kjo është thirrja e nuncit apostolik në Damask, i cili, pasi u takua me Papën, do të çojë në Siri afërsinë e Françeskut. Prelati nënvizon impenjimin e Kishës “për t’u dhënë zë atyre, që nuk e kanë” dhe për të dalë nga katastrofa më e rëndë humanitare që nga Lufta II Botërore.

R.SH. - Vatikan

Më se gjysmë milion të vdekur dhe rreth 12 milion të shpërngulur, të brendshëm e të jashtëm. Ky është bilanci, fatkeqësisht jo përfundimtar, i konfliktit në Siri, që vijon prej 10 vitesh. Pasojat e tij keqësohen edhe për shkak të pandemisë së koronavirusit, varfërisë së skajshme dhe urisë. Kujtojmë se më 15 mars 2011, në mes të trazirave, që përfshinë botën arabe, filluan edhe demonstratat kundër qeverisë qendrore, ndërsa një vit më vonë, shpërtheu lufta civile në gjithë vendin. Të ashtuquajturit “rebelë të orëve të para”, në një realitet me shumicë sunite, ishin kundër presidentit alavit ende në detyrë, Bashar Hafiz al-Asad. Revolta degradoi brenda një kohe shumë të shkurtër dhe u kthye në një konflikt të ashpër, që vuri përballë njëri-tjetrit milicitë lokale, fraksione të Al Kaedës, Daesh-in, mercenarët dhe grupe të ndryshme terroriste.

         Në konflikt ndërhynë ushtarakisht e politikisht edhe shtete të tjera, duke e shndërruar atë në një lloj lufte me porosi. Papa Françesku, i tronditur nga konfliktet e botës dhe veçanërisht nga dhuna në Siri, foli disa herë për “Luftën III Botërore pjesë-pjesë”. Vit pas viti, Siria, së cilës i duhet të mbijetojë mes armëve kimike, bombave copëtuese, minave, sekuestrimeve dhe varreve masive, shndërrohet në një vrimë të zezë që gëlltit e shuan, pa ndërprerje, përpjekjet për paqe dhe qëndrueshmëri. Norvegjezi Geir Pedersen, i dërguari i posaçëm i OKB-së për krizën siriane, vazhdon pa u lodhur të ecë në gjurmët e paraardhësve (Kofi Annan, Lakhdar Brahimi dhe Staffan de Mistura), duke ndërtuar ura e duke u përpjekur të ulë në tryezën e bisedimeve qeverinë dhe fraksionet e ndryshme. Në Siri, po punohet për një Kushtetutë të re, por pothuajse çdo natë raketat vazhdojnë të përshkojnë qiellin dhe bombat e kthejnë tokën në një “grumbull rrënojash”, siç thekson kardinali Mario Zenari, nunci apostolik në Damask. Në mikrofonin e Vatican News, vetë kardinali, pavarësisht se i kanë kaluar para sysh fytyrat dhe pamjet e “mizorive të shumta”,  nuk e humb guximin, por nënvizon se Siria po humb shpresën...

         Çka, fatkeqësisht, po vdes në Siri, në zemrat e shumë njerëzve, është shpresa: shumë njerëz, pas 10 vitesh lufte, duke mos parë më rimëkëmbjen ekonomike, rindërtimin, po e humbin shpresën e kjo të dhemb në shpirt: humbja e shpresës është vërtet humbja e diçkaje themelore dhe thelbësore për jetën. Atëherë, duhet të përpiqemi t’u rikthejmë besimin, t’u japim shpresë këtyre njerëzve të shkretë. Për më tepër, gjendja në Lindjen e Mesme është ndërlikuar, prandaj, flitet gjithnjë e më pak për Sirinë. Një gazetare e shkrimtare siriane, pak muaj më parë, shkruante: “Shumë sirianë kanë vdekur, për shkak të armëve, të bombave copëtuese, të bombave-fuçi, të raketave që hidhen kudo e madje, edhe për shkak të armëve kimike. Por – thotë ajo – gjëja më e vështirë për t’u pranuar është të vdesësh pa e ditur njeri, kur askush nuk flet për këtë”. E, kemi edhe bombën e varfërisë për më se 80% të popullsisë.

Ç’duhet të bëjë bashkësia ndërkombëtare, sipas jush?

Kemi nevojë ta rimëkëmbim Sirinë, por për ta bërë këtë duhen disa miliardë dollarë: flasim për rreth 400 miliardë dollarë për rindërtimin. Por kushdo që ka mundësi ta ofrojë këtë ndihmë, vendos kushte: dëshiron që reformat të bëhen në një drejtim të caktuar, të bëhen reforma demokratike, por kjo nuk shihet tani për tani. Prandaj, gjendja është në vendnumëro, pavarësisht nga nismat e lavdërueshme. Për shembull, i dërguari i veçantë i Kombeve të Bashkuara, Geir Pedersen, po bën një punë të madhe për rifillimin e dialogut, por fatkeqësisht, jemi akoma shumë e shumë larg nga rinisja e tij, pra, edhe nga rindërtimi i Sirisë dhe nga rimëkëmbja ekonomike. Nevojitet vullneti i mirë i të gjitha fraksioneve, së paku për të zgjidhur aspektet humanitare. Sipas OKB-së, ka rreth 100 mijë njerëz të zhdukur, për të cilët nuk dihet asgjë. Mjafton të kujtojmë dy ipeshkvijtë meptropolitë ortodoksë të Halebit dhe tre meshtarë, të humbur që prej 7 vitesh.

A mjaftojnë donacionet, që ju mbërrijnë?

         Falenderoj nga zemra të gjithë njerëzit që na ndihmojnë, edhe për projektet humanitare të Kishave. Unë shoh në çdo 10 mijë, 100 mijë euro, që vijnë, sidomos zemrën dhe mirësinë e këtyre njerëzve: me të vërtetë, kjo më prek. Por problemet janë aq të mëdha dhe serioze, sa, për fat të keq, ndihma jonë është e krahasueshme me ujin e një rubineti, ndërsa kemi nevojë për kanale të gjera me ujë, sepse shkatërrimi është i madh dhe rindërtimi i vështirë. Duhet që bashkësia ndërkombëtare t’i ofrojë këto “kanale”. OKB-ja, organizatat e ndryshme humanitare dhe Kisha, që bëjnë një punë të madhe për të ndihmuar popullsinë, duhet të mbështesin rreth 11 milion njerëz, të cilët ndodhen në nevojë në këtë çast. Lufta ka shkatërruar gjysmën e spitaleve e tani, që është përhapur koronavirusi, jemi në vështirësi. Lufta ka shkatërruar edhe një të tretën e shkollave e dy milion e gjysmë fëmijë janë pa arsimim. Fabrika, lagje të tëra, krejtësisht të shkatërruara e, edhe sanksionet ndërkombëtare kundër Sirisë kanë pasojat e tyre negative. Unë do t’u çoj njerëzve solidaritetin e Papës Françesku e të Kishës. Në fund të tunelit, duhet të ndezim qoftë edhe një shpresë të vogël, t’u themi njerëzve se po përpiqemi t’i ndihmojmë, se nuk janë vetëm.

18 shtator 2020, 11:07