Kërko

Nadbiskup-Ante-JoziCaem.jpg

Kardinali Parolin shuguron nuncin e ri apostolik në Bjellorusi

Kujtojmë se imzot Ante Joziç, kroat, ka shërbyer në nunciaturat apostolike në Indi, në Federatën Ruse dhe në Filipine, por sigurisht, detyra e tij më e rëndësishme ka qenë 10-vjeçari i kaluar në Hong Kong si kreu i Misionit Studimor të Selisë së Shenjtë për Kinën.

R.SH. - Vatikan

Sot, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kryesoi Meshën e shugurimit ipeshkvnor të nuncit të ri apostolik në Bjellorusi, kroatit Ante Joziç. Historia e shugurimit të tij është mjaft e trazuar, pasi duhej të ndodhte vitin e kaluar, por mesha nuk u kremtua, sepse imzot Joziç pati një aksident rrugor. Fillimisht i emëruar nga Papa si nunc apostolik në Bregun e Fildishtë, u zëvendësua pas aksidentit, e shugurimi i tij u shty edhe këtë vit, për shkak të koronavirusit. Më së fundi, kardinali Parolin e kremtoi sot meshën, që e shuguroi ipeshkëv, pasi Ati i Shenjtë i dha një emërim të ri si nunc apostolik në Bjellorusi, më 21 maj 2020. Kujtojmë se imzot Ante Joziç ka shërbyer në nunciaturat apostolike në Indi, në Federatën Ruse dhe në Filipine, por sigurisht, detyra e tij më e rëndësishme ka qenë 10-vjeçari i kaluar në Hong Kong si kreu i Misionit Studimor të Selisë së Shenjtë për Kinën.

Dje, kardinali Pietro Parolin u takua në Split me kryeministrin e Republikës së Koracisë, Andrej Plenkoviç, i cili, pikërisht duke komentuar shugurimin e imzot Ante Joziç, pohoi se ngjarja është “krenari për Kroacinë, tjetër njohje nga ana e diplomacisë së Vatikanit”. Shugurimi i nuncit të ri u kremtua në kishën e Familjes Shenjte, rindërtuar kohët e fundit në Solin, qytet ilir nga e kanë prejardhjen banorët e Splitit, që daton së paku në shekullin VII para Krishtit.

Kryeministri kroat nënvizoi marrëdhëniet e mira me Selinë e Shenjtë dhe me Konferencën Ipeshkvnore Kroate, duke vënë në pah edhe kontributin e Vatikanit në favor të rolit të katolikëve kroatë në Bosnjë-Hercegovinë. “Gjatë historisë – përfundoi kryeministri Andrej Plenkoviç – Dalmacia i ka dhënë personazhe të rëndësishëm diplomacisë vatikanase”.

16 shtator 2020, 10:37