2020.09.26 La campana “La Voce dei non Nati” benedetta da Papa Francesco (udienza generale 23 settembre 2020) 2020.09.26 La campana “La Voce dei non Nati” benedetta da Papa Francesco (udienza generale 23 settembre 2020) 

Këmbana " Zëri i të PaLindurve" bekuar nga Papa Françesku

Papa: "Zëri saj i zgjoftë ndërgjegjet e njerëzve". Edhe për Shenjtën shqiptare Nënë Terezën fëmijët e palindur ishin më të varfërit ndër të varfër.

R.SH. - Vatikan

Më 22 shtator një kamion me targë polake hyri në Vatikan. Ai mbante një kambanë që pro lifer polakë deshën ta quanin " Zëri i të Palindurve". Ajo është shkrirë në fabrikën e familjes Felczyński tё Rzeszow në rajonin Podkarpackie, nё jug të Polonisë, me nismën e fondacionit "Po Jetës" të Kongregatës rregulltare tё sё Lumes Mari Virgjër, Zojёs sё Papërlyer.

Këmbana u vendos në një qoshe tё oborrit monumental të San Damasit, brenda Vatikanit, ku gjatë kësaj periudhe, çdo tё mërkurë, mbahen audiencat e përgjithshme tё Papës me besimtarë e shtegtarë. Ditën pas mbërritjes në oborr u mbajt audienca e zakonshme e së mërkurës dhe shtegtarët e pranishëm patën mundësinë të shihnin këtë kambanë të veçantë me shiritin e kodit gjenetik njerëzor dhe basorelievin e ekografisë së fëmijës në mitër.

Duke përshëndetur Polakët, Papa tha: "Së shpejti do të bekoj një kambanё të quajtur 'Zëri i të Palindurve', porositur nga fondacioni 'Po Jetës'. Ajo do t’i shoqërojë ngjarjet që kanë për qëllim të kujtojnë vlerën e jetës njerëzore që nga ngjizja e deri te vdekja e natyrshme. Zëri i saj i zgjoftë ndërgjegjet e ligjvënësve dhe të gjithë njerëzve vullnet mirë në Poloni e në botë. Zoti, dhuruesi i vetëm dhe i vërtet i jetёs ju bekoftë ju dhe familjet tuaja! Qoftё lëvduar Jezu Krishti”.

Në pёrfundim të audiencёs sё pёrgjithshme, Papa Françesku iu afrua këmbanës, pranë së cilёs ishin njerëzit qё kishin ndёrmarr nismёn pёr ndërtimin e kambanës: Bogdan Romaniuk, Piotr Olszewski, pronar i fonderisë " Felczyńscy ", at Lucjan Szumierz, famullitar i Kishës së Kolbuszowa, ku do të ruhet kambana, dhe dy fëmijë polakë, Karolina dhe Jakub. Papa Françesku shkëmbeu disa fjalё me ta dhe bekoi "Zërin e të PaLindurve".

Pastaj fëmijët i dhanë Atit të Shenjtë një litar të lidhur me kambanën: Papa Françesku pati mundёsinё, kёshtu, ti binte kambanёs. Një tingull i qratё dhe i fortë u përhap në oborrin e Shën Damasit nё brendёsi tё pallatit apostolik: që tani e tutje, ky tingull do t’u kujtojë të gjithëve shenjtërinë e jetës njerëzore, që nga ngjizja e deri te perëndimi saj i natyrshëm.

Pas audiencës sё përgjithshme, kambana e jetës u nis për në Poloni. Bogdan Romaniuk ёshtё i bindur e shpreson që ”Zëri i të Palindurve" në janar mund të çohet në Shtetet e Bashkuara tё Amerikës për Marshimin e Pestë më të madh tradicional nё mbrojtje tё Jetёs, për t'u shprehur në mbrojtje të të drejtave të fëmijës ende të palindur për të jetuar dhe për  t'i ftuar njerëzit  t’i kundërvihen abortit, me bindjen se një sjellje e tillë nuk do të kalojë pa u vënë re nga ata, që e praktikojnë krimin e rëndë, vrasjen e fëmijës së palindur.

Edhe për Shenjtën shqiptare Nënë Terezën fëmijët e palindur ishin më të varfërit ndër të varfër. E kujtojmё, me kёtё rast, mbrojtjen e palodhur e guximtare të saj nё favor e mbrojtje tё jetës që lind, jetë e fëmijëve ende të pa dalë në dritë që, për Shën Terezën Ganxhe Bojaxhiun, ishin më varfërit e më të pambrojturit ndërmjet të varfërve.

Vërtet, secili prej tyre, prej fëmijëve tё palindur varet, më shumë se çdo njeri tjetër, nga dashuria dhe nga kujdesi i së ëmës, si edhe nga mbrojtja e shoqërisë. I sapozëni në barkun e nënës nuk ka asgjë të vetën, çdo shpresë dhe nevojë e tij është në duart e të tjerëve. Mbart një projekt jete dhe ardhmërie e kërkon të pranohet e të mbrohet, për t’u bërë ai që është tashmë: njëri nga ne, të cilin Zoti e caktoi qysh prej amshimit për një mision të madh, ‘të dojë e të duhet’, siç i pëlqente të përsëriste shpesh Nënë Terezës.

25 shtator 2020, 21:27