Kërko

Vatican News

Fillon në Vatikan, vizita e Grupit Moneyval

Fillon sot në Vatikan, “vizita e ekipit të Komitetit të Ekspertëve të Këshillit të Evropës për vlerësimin e masave të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”. Njoftimin e jep Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

Vizita zhvillohet “në kuadrin e ciklit të pestë të vlerësimit (Fifth Evaluation Round), për të cilin palët janë marrë vesh në vitin 2019, e të cilit i nënshtrohen gradualisht të gjitha jurisdiksionet, që bëjnë pjesë në Grupin Moneyval” shpjegohet në komunikatë. “Kjo fazë vlerësimesh - vazhdon nota - ka si objekt kryesor efikasitetin e mjeteve legjislative dhe organizative, miratuar vitet e fundit nga jurisdiksionet e ndryshme, për të parandaluar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit”.

Prandaj, theksohet se “vlerësimi aktual për Selinë e Shenjtë është pjesë e kuadrit të natyrshëm të një procesi, që filloi me vizitën e parë në vitin 2012 dhe me miratimin në vijim të Raportit të Vlerësimit të Ndërsjellë, më 4 korrik 2012. Vazhdoi me Raportin e parë mbi hapat e bëra, më 9 dhjetor 2013, me Raportin e dytë më 8 dhjetor 2015 dhe me Raportin e tretë më 6 dhjetor 2017”.

Objekt i vlerësimeve të Moneyval kanë qenë edhe jurisdiksionet e Shqipërisë, Andorrës, Armenisë, Gjibraltarit, Ishullit Man, Letonisë, Lituanisë, Maltës, Moldavisë, Republikës Çeke, Ukrainës, Hungarisë, Serbisë dhe Sllovenisë. Së bashku me atë në Selinë e Shenjtë, fillon edhe vizita në Republikën e San Marinos.

30 shtator 2020, 12:15