Kërko

2019.12.18 Udienza Generale 2019.12.18 Udienza Generale  Editorial

Enciklikë për të gjithë: vëllezër e motra

Në pritje për t’u njohur me përmbajtjen e Enciklikës së re të Papës, në disa vende po vihet në diskutim titulli dhe mënyra si duhet përkthyer, që t’i përfshijë burra e gra! Po enciklika, për vetë natyrën e saj, është gjithnjë tekst universal, domethënë se Françesku dëshiron t’i drejtohet me të vërtetë zemrës së çdo njeriu.

R. SH. - Vatikan

“Fratelli tutti” - ky, titulli që zgjodhi Papa për enciklikën e tij të fundit, kushtuar, siç lexojmë në nëntitull, “vëllazërimit” dhe “miqësisë shoqërore”. Titulli origjinal në gjuhën italiane mbetet kështu siç është-  domethënë pa u përkthyer - në të gjitha gjuhët, në të cilat do të përhapet dokumenti. Siç dihet, fjalët e para të “letrës qarkore” (këtë kuptim ka fjala enciklikë) e marrin shtytjen nga Shenjti i madh i Asizit, emrin e të cilit zgjodhi për vete Papa.

Në pritje për t’u njohur me përmbajtjen e këtij mesazhi, që pasardhësi i Shën Pjetrit ia drejton mbarë njerëzimit, të cilin do ta nënshkruajë më 3 tetorin e ardhshëm mbi varrin e Shenjtit, ditët e fundit dëgjuam diskutime me tone nganjëherë shqetësuese lidhur me të vetmen të dhënë të disponueshme: domethënë me titullin dhe kuptimin e tij. Mbasi kemi të bëjmë me një citim të marrë nga Shën Françesku (që gjindet në Ammonizioni, 6,1:FF 155), Papa nuk deshi ta ndryshonte. Por do të ishte krejt e pamendueshme të kujtosh se titulli, në formulimin e tij,  ka ndjet ta përjashtojë gjysmën e njerëzimit, domethënë gratë, nga radhët e atyre, të cilëve u drejtohet.

Përkundrazi, Françesku zgjodhi fjalët e Shenjtit të Asizit për të përuruar një reflektim, ku ngulmohet shumë mbi vëllazërimin e miqësinë shoqërore, gjë që tregon fare qartë se dëshirion t’u drejtohet të gjitha motrave e të gjithë vëllezërve vullnetmirë. Jetojmë në një kohë të ngarkuar me luftëra, me varfëri, migrime, ndryshime klimaterike, kriza ekonomike, pandemi:  të jetojmë si vëllezër e si motra, të shikojmë në tjetrin një vëlla a një motër, e, për të krishterët, të shikojmë në tjetrin, që vuan, fytyrën  e Krishtit,  është mënyrë për të ripohuar dinjitetin e padiskutueshëm të çdo njeriu, të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit. E edhe mënyrë për të kujtuar se nga  vëshirësitë e sotme nuk mund të dalim kurrë të vetëm e aq më pak, njëri kundër tjetrit. Veriu kundër Jugut të botës e të pasur kundër të varfërve!

Më 27 marsin e kaluar, në kulmin e pandemisë, Ipeshkvi i Romës u lut për shpëtimin e të gjithëve në Sheshin e Shën Pjetrit: në atë shesh të zbrazur, nën shiun që binte me rrëshekë, i ndjekur vetëm nga shikimi i ngarkuar me dhimbje i Krishtit të San Marcello-s, e nga sytë plot dashuri shpresëdhënëse të Marisë Salus Populi Romani.

“Me stuhinë - pati thënë Françesku – ra truku i stereotipeve, me të cilat patëm maskuar ‘unin’ tonë, gjithnjë të shqetësuar për dukjen; e mbeti e zbuluar, edhe një herë, përkatësia e përbashkët (e bekuar), nga e cila nuk mund të heqim dorë; përkatësia, që na bën vëllezër e motra”.

Vëllazëri e miqësi shoqërore, temat që përmban nëntitulli, flasin për çka kanë të përbashkët burra e gra:  dashamirësinë e krijuar ndërmjet njerëzve,  që nuk kanë lidhje gjaku e që shprehet përmes akteve bamirëse, me forma ndihme e aksione bujare në çastin e nevojës. Dashuri e çinteresuar për qeniet e tjera njerëzore, duke përjashtuar çdo ndryshim a përkatësi. Prandaj nuk mund të ketë asnjë keqkuptim ose lexim të pjesshëm të mesazhit universal e gjithëpërfshirës të fjalëve: “Fratelli tutti”.

16 shtator 2020, 13:57