2019.11.02 mons. Mario Grech e Papa Francesco 2019.11.02 mons. Mario Grech e Papa Francesco 

Dorëheqja dhe emërimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Sinodit të Ipeshkvijve

Papa pranoi dorëheqjen e paraqitur nga Kardinali Baldisseri nga Detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Sinodit të Ipeshkvijve dhe në të njëjtën kohë emëroi Sekretar tё ri tё Përgjithshëm të Sinodit të Ipeshkvijve Shkëlqesinë e tij Imzot Mario Grech, ipeshkëv nderi i dioqezës së Gozos (Maltё), deri tani Pro-Sekretari i Përgjithshëm i të njëjtit Sinod.

R.SH. - Vatikan

Ati i Shenjtë Papa Françesku, dje më 15 shtator 2020, pranoi dorëheqjen e paraqitur nga Hirësia e Tij Kardinali Lorenzo Baldisseri nga Detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Sinodit të Ipeshkvijve dhe në të njëjtën kohë emëroi Sekretar tё ri tё Përgjithshëm të Sinodit të Ipeshkvijve Shkëlqesinë e tij Imzot Mario Grech, ipeshkëv nderi i dioqezës së Gozos (Maltё), deri tani Pro-Sekretari i Përgjithshëm i të njëjtit Sinod.

Sekretari ri i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve Imzot Mario Grech, ipeshkëv nderi i Gozos, në ishullin e Maltës, mё 2 tetor 2019 qe emëruar nga Papa Françesku Pro-Sekretar i Sinodit të Ipeshkvijve, i paracaktuar të jetë pasardhësi i kardinalit Lorenzo Baldisseri. Vetë kardinali e dha këtë njoftim më 2 tetor 2019, disa ditë para fillimit të Sinodit për Rajonin Panamazonik.

Imzot Mario Grech ka lindur më 20 shkurt 1957 në Qala, u shugurua meshtar më 1984 dhe u emërua ipeshkëv i Gozos në Maltë në nëntor 2005 nga Benedikti XVI. Ishull i vogël në Detin Mesdhe, Gozo është pjesë e Republikës së Maltës. Ka një sipërfaqe prej 67 kilometrash katrorë dhe një popullsi prej rreth 32 mijë banorësh. Dioqeza është një nga më të voglat e Kishës Katolike, por edhe nga ato që ka një numër të lartë meshtarësh në krahasim me popullsinë.

Edhe për shkak të pozitës gjeografike të dioqezës së tij, imzot Grech ka folur disa herë për dramën e migrantëve. Janarin e 2018, ai pat thënë në Radio Vatikan-Vatican News: “Festuam 70-vjetorin e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut, por pyes: ku janë këto të drejta? Pse shoqëria është kaq e pandjeshme në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut? E kuptoj që çështja e migrantëve është e ndërlikuar, duhet ndjekur dhe interpretuar me shumë qetësi, me shumë kujdes, por edhe me shumë përgjegjësi. Ne nuk mund t’i themi ‘ndal’ jetës njerëzore”.

16 shtator 2020, 12:29