pace-colomba-pixabay.jpg

Caritas Internationalis: përparësi, paqes dhe harmonisë ndërmjet njerëzve

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Paqes, që kremtohet sot, organizata bamirëse kishtare bën thirrje për ndërprerjen e konflikteve në të gjithë botën.

R.SH. - Vatikan

“T’i jepet fund luftës dhe dhunës në gjithë botën, posaçërisht në Lindjen e Mesme” dhe “të promovohet dialogu, që të gjendet një zgjidhje politike për të gjitha konfliktet”: kjo është thirrja e Caritas Internationalis (Karitasit Ndërkombëtar) për Ditën e sotme Ndërkombëtare të Paqes, themeluar më 30 nëntor 1981 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

         Në një komunikatë, organizata katolike bën thirrje për heqjen e sanksioneve ekonomike kundër Sirisë, të cilat s’bëjnë tjetër, veçse i rëndojnë pasojat e konfliktit. Kërkon gjithashtu, që krerët politikë të ulen në tryezën e bisedimeve. Fton edhe “të promovohet paqja në zonat e konfliktit dhe të sigurohet ndihma ndërkombëtare për zhvillim”, e cila duhet t’u shkojë së pari bashkësive vendase, duke u krijuar mundësi për punë dhe arsim, veçanërisht të rinjve, që mund të bien pre e grupeve të armatosura. Së fundi, nxit të “mbështetet impenjimi i krerëve dhe i bashkësive fetare në favor të dialogut ndërfetar”.

Paqja si kulturë

         Organizata ndërkombëtare vëren se “edhe sot ka miliona njerëz që, për shkak të luftërave dhe të dhunës, nuk mund të jetojnë me dinjitet”, “që humbin jetën nga konfliktet dhe dhuna, shkaqet e të cilave duhet të kërkohen në egoizmin, lakminë, korrupsionin, diskriminimin fetar dhe etnik e në shfrytëzimin e paligjshëm të burimeve natyrore”. Duke kujtuar fjalët e Papës Françesku, i cili nënvizon se “çdo luftë është vëllavrasje, që shkatërron vetë projektin e vëllazërisë, gdhendur në natyrën e familjes njerëzore”, Caritas Internationalis thekson se paqja është “kulturë për t’u kultivuar, për t’u ndarë me të tjerët dhe për t’u jetuar në të gjitha nivelet e shoqërisë”. Vetë Karitasi merr shembull e frymëzim për këtë nga enciklika “Populorum Progressio”, ku Papa shenjt Pali VI shkruan: “zhvillimi është emri i ri i paqes”.

Impenjimi i Kishave vendase

         Gjendja e krijuar nga pandemia e ka vështirësuar edhe me tej jetën e bashkësive të krishtera në të gjithë botën, denoncon më tej, Karitasi. Frika dhe mosbesimi janë shtuar, duke e rritur rrezikun e dhunës. “Në shtetet Kachin dhe Shani i Veriut – jepen disa shembuj në komunikatë, duke vënë në dukje impenjimin e Karitasit në nivelin lokal – Karitasi i Mianmarit po zbaton, së bashku me Kishën e vendit, një program për paqen në favor të të shpërngulurve brenda vendit dhe të bashkësive të prekura nga konfliktet. Në Mindanao të Filipineve, po punohet për të gjetur një zgjidhje paqësore në një rajon ku mbizotëron dhuna. Në Pakistan, promovohet paqja dhe harmonia ndërmjet bashkësive, përmes projekteve të vogla të zhvillimit. Në Republikën e Afrikës Qendrore, kryeipeshkvi i Banguit, së bashku me Imamin dhe me kreun e Kishës Protestante Kombëtare, bëjnë ç’është e mundur për pajtimin kombëtar. Në Kolumbi, Karitasi punon për shdërrimin jo të dhunshëm të konflikteve, përmes pjesëmarrjes dhe fuqizimit të bashkësive vendase”.

21 shtator 2020, 11:56