Kërko

Parolin-UN.jpg

75-vjetori i OKB-së. Parolin: të punojmë së bashku për të kapërcyer vuajtjet e botës

Sekretari i Shtetit të Vatikanit dërgon një videomesazh në hapje të Asamblesë së përgjithshme të OKB-së, që kremton 75-vjetorin e themelimit. Detyra e vështirë e kërkimit të së mirës së përbashkët, pohon kardinali, duhet të vazhdojë të jetë në qendër të punës së anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, që mbeten një organizatë e nevojshme për t’iu përgjigjur shpresave të popujve.

R.SH. - Vatikan

75 vite punë dhe impenjim në favor të ligjit, të mbrojtjes dhe të zhvillimit të botës që, pavarësisht nga dështimet dhe ndalesat e përkohshme, janë më se të nevojshme për t’iu përgjigjur shpresave të popujve. Kjo është Organizata e Kombeve të Bashkuara për Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, i cili u foli përmes një videomesazhi, të pranishmëve në hapjen e asamblesë së djeshme përkujtimore, që do të vijojë deri më 29 shtator. Asambleja e Përgjithshme mbahet në mënyrë virtuale, për shkak të pandemisë .

         Në reflektimin e tij me karakater historik, kardinali kujton shpresat për paqe dhe harmoni ndërmjet shteteve, me të cilat popujt e botës i kanë kthyer sytë kah Kombet e Bashkuara gjatë këtyre dekadave, duke uruar të respektohet gjithnjë e më shumë dinjiteti njerëzor, të rritet kujdesi për të lehtësuar varfërinë dhe vuajtjet, si edhe të përparojë drejtësia.  

OKB-ja: shtëpia e kombeve vëllazërore e solidare

         Gjatë këtyre viteve, nuk ka munguar kontributi i Selisë së Shenjtë, vë në pah Sekretari i Shtetit. Pasi Vatikanit iu njoh e drejta e shtetit vëzhgues në vitin 1964, Papët – ndër të cilët kardinali përmend veçanërisht Palin VI, Gjon Palin II dhe Papën Françesku - e kanë nxitur gjithmonë këtë “institucion fisnik” të jetë “qendër morale”, ku çdo vend të “ndihet si në shtëpinë e vet”, ku të mblidhet “familja e kombeve” e ku “bashkësia ndërkombëtare, me frymë vëllazërimi e solidariteti, të ecë përpara me zgjidhje shumëpalëshe për sfidat globale”. Sepse, siç e bëri të qartë pandemia e Covid-19, “nuk mund të vazhdojmë të mendojmë vetëm për vete”, duhet të punojmë së bashku për të kapërcyer vuajtjet më serioze në botë, “të vetëdijshëm se pesha e mbajtur nga disa, ndikon domosdoshmërisht në tërësinë e familjes së kombeve”.

Një histori të drejtash, drejtësie dhe dialogu

         Kardinali Parolin nënvizon se këto 75 vite të para të Kombeve të Bashkuara, janë karakterizuar nga impenjimi për mbrojtjen dhe për promovimin e ligjit dhe të drejtësisë në botë, kundër “luftës e dhunës”, për t’u çuar ushqim atyre, që nuk e kanë, për të “mbrojtur shtëpinë tonë të përbashkët” dhe “për të krijuar një botë të zhvillimit njerëzor të gjithanshëm”. Sekretari i Shtetit të Vatikanit përmend edhe punën e OKB-së në mbrojtje të lirisë fetare dhe angazhimin e saj që në vend të luftrave e të konflikteve të mbizotërojnë diplomacia dhe dialogu.

Të punojmë për të mirën e përbashkët e jo atë vetjake

         Në historinë e organizatës ndërkombëtare ka pasur pengesa dhe dështime. Kombet e Bashkuara nuk janë të përsosura, vëren kardinali Parolin, pasi jo gjithnjë janë treguar në lartësinë e emrit dhe të idealeve të tyre. Disa herë “interesat e veçanta” kanë qenë më të rëndësishme se e mira e përbashkët. Prandaj, përfaqësuesi i Vatikanit u kërkon diplomatëve të Asamblesë së Përgjithshme të ringjallin frymën e zanafillës së Institucionit, por sidomos të impenjohen sinqerisht në kërkimin e së mirës së përbashkët, përmes konsensusit dhe kompromisit të vërtetë. Organizata e Kombeve të Bashkuara, ku njerëzit takohen në dialog e në veprimtari të përbashkët, është sot më e nevojshme se kurrë për t’iu përgjigjur shpresave të mëdha të botës, përfundon videomesazhi i kardinalit Parolin.

22 shtator 2020, 12:51