Kërko

STELLA-MARIS-aem.jpg

100-vjetori i Stella Maris. Turkson: të ndihmohen detarët e bllokuar të bashkohen me familjet

Në një Letër për 100-vjetorin e “Stella Maris” (Apostullimi i Detit), prefekti i Dikasterit për Zhvillimin e gjithanshëm Njerëzor bën thirrje për garantimin e ndërrimit të ekuipazheve të bllokuara në det, për shkak të pandemisë.

R.SH. - Vatikan

Është, para së gjithash, një falënderim ai, që kardinali Peter Turkson, prefekt i Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor, u drejton qindra kapelanëve dhe vullnetarëve të “Stella Maris” (Apostullimit të Detit), të cilët, në rreth 300 porte, asistojnë çdo vit mbi një milion detarë, duke kryer të paktën 70.000 vizita nëpër anije.

         Rasti është 100-vjetori i themelimit të Apostullimit të Detit, më 4 tetor 1920, në Glasgow të Skocisë. Ky përvjetor i rëndësishëm do të ishte festuar me Kongresin e 25-të Botëror të Apostullimit të Detit, që do të mbahej në qytetin skocez, nga 29 shtator deri më 4 tetor, por, për shkak të pandemisë, u shty për në vitin 2021, nga 3 deri më 8 tetor. Gjithsesi, në Glasgow, të dielën e ardhshme, do të kremtohet mesha e kryesuar nga kryeipeshkvi, imzot Philip Tartaglia, në transmetim të drejtpërdrejtë.

Covid dhe emergjenca humanitare në det

Me mbylljen e kufijve dhe me karantinën e imponuar nga shumë qeveri për të përballuar pandeminë, filloi edhe “një krizë humanitare në det”, vëren kardinali Turkon në Letrën e tij, ku shpjegon se aktualisht, janë bllokuar në anijet e tyre më se 300 mijë marinarë dhe personel tjetër detar. “Kontratat e tyre janë zgjatur përtej kufirit 11-mujor të përcaktuar nga Konventa mbi Punën në Det (MLC), duke i lënë larg të afërmve, me stres të theksuar mendor dhe lodhje fizike”. Thirrjet e ndryshme për t’i konsideruar ata si “punonjës kyç”, në mënyrë që të krijohen “kanale të veçanta” për të lehtësuar ndryshimin e ekuipazhit “deri tani janë injoruar”, shkruan kardinali. Prandaj, vijon Letra, “siç ka bërë ‘Stella Maris’ që nga zanafilla, duam t’u shprehim solidaritetin tonë njerëzve të detit” dhe t’u kërkojmë qeverive e organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare “të bashkëpunojnë për ta zgjidhur këtë problem dramatik, duke zbatuar protokollet e miratuara nga Organizata Ndërkombëtare e Detarëve, në mënyrë që të lejohet ndryshimi i sigurt dhe i mbrojtur i turneve të ekuipazheve. Duam t’i shohim detarët e bllokuar në det të kthehen në vendet e tyre dhe të bashkohen me të afërmit!”, përfundon kardinali Turkson.

29 shtator 2020, 11:39