Rrok Logu, Ambasadori i pestё i Shqipërisë pranë Selisë sё Shenjtё Rrok Logu, Ambasadori i pestё i Shqipërisë pranë Selisë sё Shenjtё 

Ambasadori Rrok Logu nё përvjetorin e kalimit nё Amshim

Mё 1 gusht kujtojmё Ambasadorin e pestё tё Shqipërisë pranë Selisë sё Shenjtё, Rrok Logun, nё përvjetorin e tretё tё kalimit nё amshim. Jetoi me një fe të gjallë në Krishtin dhe atë e dëshmoi gjatë udhës së tij njerëzore si i krishterë, si kryefamiljar, si inxhier, si diplomat e si shqiptar.

R.SH. - Vatikan

Sot mё 1 gusht kujtojmё Ambasadorin e pestё tё Shqipërisë pranë Selisë sё Shenjtё, Rrok Logun, nё përvjetorin e tretё tё kalimit nё amshim. Po e kujtojmё me nderim e mirёnjohje pёr punën e përkushtuar të tij në promovimin dhe përforcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë.

Rrok Logu jetoi me një fe të gjallë në Krishtin dhe atë e dëshmoi gjatë udhës së tij njerëzore si i krishterë, si kryefamiljar, si inxhier, si diplomat e si shqiptar. Shkodra, Tirana, Shqipëria, diplomacia dhe Kisha shqiptare ia kanë një borxh të madh mirënjohjeje e nderimi për atë që Rrok Logu bëri e dëshmoi deri sa ishte i ngarkuar me detyra të ndryshme e madje deri në ditën e 1 gushtit 2017, ku u kthye në shtëpinë e Atit Qiellor.

E nëse një person vërtetë është autentik, nuk e ka si kriter suprem të jetës a punës të tij suksesin, por përkimin sa më të madh me vullnetin e Zotit dhe tё mirёn e vendlindjes. Kështu mund të pohojmë për ambasadorin Rrok Logu, i cili jetoi e veproi për tё mirёn e pёrbashkёt, pra, pёr Fe e Atdhe në një periudhë të veçantë të ndryshimeve e përparimeve shoqërore e shpirtërore për Shqipërinë.

Ndër arritjet e shumta të shërbimit të tij diplomatik si Ambasador i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë meritojnë të përmenden veçanërisht marrëveshjet që përgatiti për nënshkrim mes Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë në fushën e shëndetësisë, të postave, të arkivave etj.

Jetëshkrimi i shkurtër i Shkëlqesisë së Tij, zotit Rrok Logu, Ambasador i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë

Ambasadori i ri i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Shkëlqesia e Tij, zoti Rrok Logu, lindi më 23 gusht të vitit 1962. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Më 1987 u diplomua në inxhinieri elektrike pranë Universitetit të Tiranës dhe në vijim kreu detyrën e inxhinierit elektronik pranë centralit elektrik të Komanit (1987-1992). Më pas qe kryeinxhinier në ndërmarrjen elektrike në Shkodër (1992-1994), asistent për menaxhimin në Programin ECHO të Karitasit italian në Shqipëri (1994-1998), drejtor i programit të ndërtimit të Karitasit shqiptar (1999-2001); drejtor teknik i Karitasit zviceran për rindërtimin e Spitalit të Lezhës (2002-2004), profesor i inxhinierisë elektrike pranë Politeknikumit të Tiranës (2004-2006). Ka qenë edhe këshilltar i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit për marrëdhëniet me institucionet shtetërore dhe anëtar i Komisionit Shtetëror për Kultet (2004-2006). Ndёrroi jetё mё 1 gusht 2017 nё San Giovanni Rotondo nё Itali.

Nga arkivi i redaksisë shqipe tё Radio Vatikanit ju propozojmё njё bisedën me Ambasadorin Rroku Logu, realizuar menjëherë pas audiencës sё parё tё Papёs Françesku me ambasadorët e 180 Shteteve të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, mbajtur nё Vatikan mё 22 mars tё vitit 2013. Me atё rast, Ati i Shenjtë Bergolgio, mes tjerash, u kёrkoi Ambasadorëve tё punojnë pёr përforcimin e dialogut mes feve e tё marrëdhënieve tё Selisё sё Shenjtё me Shtete. Ishte fjalimi parë “gjeopolitik” i Papës Françesku me ambasadorët e Shteteve të akredituara pranë Selisë së Shenjtë, nё tё cilin tregoi linjat udhërrëfyese, ta dëgjojmë Ambasadorin Logu.....

ju propozojmё njё bisedën me Ambasadorin Rroku Logu, realizuar menjëherë pas audiencës sё parё tё Papёs Françesku me ambasadorët e 180 Shteteve të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, mbajtur nё Vatikan mё 22 mars tё vitit 2013

Ju porpozojmë Fjalimin që Shkëlqesia e Tij, zoti Rrok Logu, Ambasador i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, mbajti me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale Shenjtërisë së Tij, Benediktit XVI në Kastel Gandolfo, mё 29 shtator 2006.

Atë i Shenjtë,
me një ndjenjë të lartë përgjegjësie e nderimi të thellë, jam sot përpara Shenjtërisë Suaj për të dorëzuar letrat kredenciale, me anën e të cilave Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, Zoti Alfred Moisiu, me akrediton me cilësinë e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë pranë Selisë së Shenjtë.
Është përgjegjësi e lartë për mua të përfaqësoj pranë Selisë së Shenjtë vendin tim që, duke ruajtur karakteristikat e veta themelore, priret natyrshëm drejt integrimit me atë pjesë të kontinentit të vjetër, me të cilën e lidh historia e vet e lashtë, pavarësisht nga vuajtjet e gjata që po kjo histori i ka ngarkuar mbi shpatulla Shqipërisë.
Populli shqiptar, jo i madh në numër, trashëgon një nga gjuhët më të vjetra në Europë. Duke kujtuar me dhimbje periudhën pesëshekullore të pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, periudhë në të cilën lëvrimi i gjuhës sanë ishte i pamundur, sepse ishte shenjë e mbijetesës së kombit, kujtojmë me gëzim edhe faktin se në këtë periudhë historike liturgjia katolike u bë shenjtërorja e ruajtjes dhe e zhvillimit të fjalës shqipe. Fjalët e para të shqipes së shkruar që njohim deri më sot janë: Unë po të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit te Shenjtë. Ky thesar i madh që i la kombit tonë Arqipeshkvi i Durrësit, Imzot Palë Engjëlli rreth 550 vjet me parë, e nderon Kishën Katolike në Shqipëri dhe, duke zhvilluar misionin e saj të shërbimit shpirtëror në këtë gjuhë, kisha do ta meritojë vazhdimisht këtë nderim historik.
Atë i Shenjtë, me kënaqësi mund të shpreh mirënjohjen e thellë të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare jo vetëm për historinë e lavdishme të kishës katolike në Shqipëri, por edhe për angazhimin e saj aktual për promovimin e vlerave të larta shpirtërore, për zbutjen e varfërisë si edhe për promovimin dhe zhvillimin e vlerave intelektuale.
Në rrugën e tij të gjatë historike, populli im është përshkuar nga dallgë të mëdha vuajtjesh, që ka shkaktuar egoizmi njerëzor, në kryqëzimet kohore e hapësinore, në të cilat ai është gjendur. Por, më e fortë se fuqia shkatërruese e këtyre dallgëve, ka qenë dashuria e Hyjit për Shqipërinë dhe Shqiptarët, që ka gjetur gjithmonë instrumentat e vet, që sot të kemi Shqipëri. Kanë qenë disa herë paraardhësit Tuaj, Atë i Shenjtë, të cilët kanë luajtur një rol përcaktues për të ardhmen e Shqipërisë, në favor të aspiratave të popullit të saj dhe kjo është një ndër arsyet që populli im ka një nderim të madh për Selinë e Shenjtë dhe për Ju, Shejtëri.
Hyu, dukë zgjedhur ndër shqiptarë gruan që Ju, Atë i Shenjtë, e keni quajtur simbolin e dashurisë njerëzore, na ka dhënë ne shqiptarëve një tjetër shenjë të dukshme se ai nuk na harron ne dashurinë e Tij.
Martirët tanë, e veçanërisht, klerikët katolikë të periudhës së tiranisë komuniste, mbeten një dëshmi e fuqishme e besnikërisë ndaj dashurisë së Zotit, shenjë e dashurisë për të vërtetën dhe e gatishmërisë për t'i shërbyer asaj deri me flijimin e vetvetes, gjë që dëshmon një pasuri shpirtërore të pamohueshme të popullit tonë.
Populli Shqiptar edhe pse jo me shumicë katolike, ka një nderim të madh për Selinë e Shenjtë dhe për Ju, Atë i Shenjtë, sepse ai i lexon, i kupton dhe i nderon vlerat e mëdha që Ju mbroni dhe promovoni në botë. Një shenjë e besimit që ka populli shqiptar në marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë ishte edhe votimi i ligjit aplikativ në mbështetje të marrëveshjes për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjellta ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë në vitin 2005, që gëzoi mbështetjen e të gjithë deputetëve të pranishëm, pa dallim përkatësie politike apo fetare.
Me miratimin e këtij ligji, që i njeh zotësinë, juridike enteve të Kishës Katolike në Shqipëri, marrëveshja për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjellta bëhet plotësisht e vetëzbatueshme, gjë të cilën po e tregon edhe përvoja e përditshme, e kjo e bën normale situatën juridike të funksionimit të Kishës Katolike.
Duke e konsideruar tani si një përvojë plotësimin e kuadrit ligjor të marrëdhënieve me Kishën Katolike, Shteti Shqiptar po punon intensivisht dhe seriozisht për të kompletuar marrëdhëniet juridike edhe me komunitetet e tjera fetare në Shqipëri. Gjithashtu, qeveria aktuale e Shqipërisë është e angazhuar fuqimisht për zgjidhjen më të shpejtë e përfundimtare të një problemi shumë të rëndësishëm, si për Kishën Katolike, ashtu dhe për komunitetet e tjera fetare tradicionale, Komuniteti Mysliman Shqiptar, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Komuniteti Bektashian i Shqipërisë, që është ai i kthimit dhe kompensimit të pronave të konfiskuara nga regjimi komunist.
Në historinë e tij të gjatë, vendi im, (pa dashjen e shqiptarëve) është bërë pjesë e sistemeve politiko-shoqërore të mëdha, gjë e cila ka lënë gjurmët e veta te dukshme. Sot populli shqiptar, dëshiron të bashkojë sistemin e vet politiko-shoqëror me një sistem të madh, atë të Bashkimit Evropian. Kjo dëshirë nuk shpreh vetëm prirjen për një jetë ekonomike më të mirë, por diçka më shumë e më të rëndësishme, prirjen e natyrshme drejt vlerave te demokracisë evropiane. Sa më të shpejtë të jenë hapat drejt realizimit të kësaj dëshire, aq më i shpejtë do të jetë edhe tejkalimi i dramës së familjeve tona të ndara për shkak të emigracionit dhe aq më energjike, do të jetë shoqëria shqiptare në gjirin e shoqërisë evropiane.
Në këtë aspiratë të madhe historike populli im sheh te Selia e Shenjtë përkrahësin e vet të madh, sepse këtu si askund tjetër flitet e kuptohet sipas gjuhës së dashurisë. Nënë Tereza, bijë e gjakut tonë, ka thënë "... populli shqiptar ka nevojë për shumë dashuri".
I përballur me vështirësitë jo të vogla, që dalin në procesin e reformave të mëdha e të gjithanshme për integrimin në Evropë, vështirësi që vijnë nga mbartje të trashëguara, vendit tim i duhet të përballet dhe me një vështirësi të madhe, atë të efekteve të një imazhi negativ, irreal e të padrejtë, që është përçuar nganjëherë në qarqet ndërkombëtare. Në këto rrethana nuk mund të mos gjejmë mbështetje dhe mirënjohje në thënien tuaj: "Liria e opinionit ndeshet me këtë kufi: ajo nuk mund të shkatërrojë nderin dhe dinjitetin e tjetrit, nuk është liri për të gënjyer e për të fshirë të drejtat njerëzore." [La liberta di opinione trova pero il suo limite in questo:che non puo distruggere l'onore e la dignita dell altro,non e liberta di mentire e di cancellare i diritti umani"(Sensa Radici,fq 70).]
Atë i Shenjtë, populli shqiptar, me një përbërje multifetare, karakterizohet nga një bashkëjetesë shembullore. Këtë cilësi, që vjen si traditë e pandërprerë, ai e ruan si një gjë të çmuar.
Sot, Shqipëria në sajë të politikave rajonale që ndjek, është hërë faktor i rëndësishëm paqeje në rajonin tonë. Shteti Shqiptar është i angazhuar fuqimisht që këtë rol në Ballkan ta çojë edhe më përpara si në marrëdhëniet ndërshtetërore, ashtu dhe në luftën pa kompromis të dukurive të krimit të organizuar e të terrorizmit.
Atë i Shenjtë, duke Ju siguruar se do të vë të gjitha forcat e mia në shërbim të detyrës së lartë që më është ngarkuar, shpreh besimin e plotë se do t'i ndjejmë mbështetjen e lutjeve dhe të ndihmës Suaj, për të mirën e popullit shqiptar.
Duke Ju uruar paqe, jetë e shëndet, për të mirën e njerëzimit mbarë, Ju lutem, Shenjtëri, pranoni letrat kredenciale qe po Ju paraqes dhe nderimet më të thella të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Rrok LOGU

01 gusht 2020, 13:21