Kërko

Vatican News
Giovanni Paolo II in montagna  Giovanni Paolo II in montagna  

Pushimet verore dhe frytet të begata

Pushimet verore po arrijnë kulmin, e me ta, edhe meditimet për prehjen. Si duhet të jenë, për të dhënë fryte të begata?

R.SH. - Vatikan

Një verë e kaluar mirë, vlen sa dhjetë dimra. Prandaj, shijoji pushimet verore, sepse kush këndon në verë, vallëzon në dimër! Ara, që pushon ca kohë, jep fryte të begata! E shpirti bëhet i urtë, vetëm duke u ulur e duke pushuar një çast, për ta vijuar, pastaj, me zell të ri krijimtarinë.
Jo më kot mendohet se mjekët më të mirë, që dinë si mbrohet jeta, janë doktor Dieta, Doktor Pushimi e Doktor Optimizmi!
Sepse pushimi është kripa, që e bën të shijshme punën. Natyrisht po ta kuptosh gjithnjë si shkëputje nga rrangët e përditshme, e kurrë si kohë plogështie. Kështu vera bëhet mësuesi më i mirë, që të mëson edhe kuptimin e lirisë! Vera, që ikën, është si miku që niset për një udhë të largët.
Në atmosferën e pushimeve verore, kujtojmë vlerën e punës, por edhe të prehjes, që shkojnë krah për krah!
Puna pa prehje, është po aq e pakuptimtë, sa prehja pa punë!
Natyra njerëzore është lëvizje. Pushimi i përhershëm, vdekje. Puna e krijimtaria ushqejnë mendjen, zemrën, shpirtin njerëzor. Kur lodhesh nga puna aq, sa të mos dëshirosh të punosh më, atëhere të ka ardhur koha të nisesh për në pushimin e pasosur!
Nuk ka gjë më të padurueshme për njeriun, sesa të jetë në pushim të plotë, pa punë, pa pasione, pa frymëzim, pa krijimtari. Atëhere e ndjen fort kotësinë e vet, pafuqinë, boshllëkun e plotë.
E në shpirtin e tij lind mërzitja, humori i zi, dëshpërimi…
Nuk ka lodhje, që mund të krahasohet me çastin kur, krejtësisht i çlodhur e i aftë për punë, nuk ke asgjë për të bërë. Çast kur nuk e ndjen më veten njeri!
E megjithatë, puna pa prehje është po aq e pakuptimtë, sa prehja pa punë!

17 gusht 2020, 09:50