Kërko

2020.05.20 Calcutta, Suore di Madre Teresa distribuiscono cibo a 40 mila famiglie  2020.05.20 Calcutta, Suore di Madre Teresa distribuiscono cibo a 40 mila famiglie  

Nënë Tereza, dëshmi e gjallë e dashurisë së Zotit

Mё 26 gusht 2020 Shёn Nënë Tereza mbush 110 vjet. Mund të themi me plot gojën se trashëgimia e saj shpirtërore ka vlera të pallogaritshme për mbarë njerëzimin. Të gjithë, pa përjashtuar asnjë, janë të thirrur ta njohin e kundrojnë Fytyrën e Zotit në fytyrën e njerëzve te varfër, t’i duan e ndihmojnë kudo që vuajnë, në të katër anët e botës.

R.SH. - Vatikan

Nënë Tereza qe dëshmi e gjallë e dashurisë së Zotit për njeriun, sidomos për më të varfrin e nevojtarin, i mjekoi plagët e njerëzimit të përbuzur e të mohuar. Mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq jetën dhe dinjitetin e njeriut, e atyre që shtypeshin e përbuzeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga bota, u dha vetëdijen se nuk ishin të tepërt e të harruar, por ishin të zgjedhurit e dashur tё Zotit, Atit ynë të Gjithëpushtetshëm, plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat e vet.

Nënë Tereza dëshmoi e mishëroi Ungjillin e dashurisë me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes për më të varfrit ndër tё varfër. Me afrimin e 110-vjetorit tё lindjes, mё 26 gusht, po propozojmë një reflektim rreth programit tё punёs qё kishte Nёnё Tereza, njё program tejet i thjeshtë, por tronditës: Jezu Krishti! Po ç’ gjë të jashtëzakonshme bëri Nënë Tereza?

‘Programi i punës’ për Nënë Terezën, tejet i thjeshtë: Jezu Krishti!

Mё 26 gusht 2020 Shёn Nënë Tereza mbush 110 vjet. Mund të themi me plot gojën se trashëgimia e saj shpirtërore ka vlera të pallogaritshme për mbarë njerëzimin e do tё duhej tё kishte posaçërisht pёr popullin qё e lindi - shqiptar. E trashëgimtarë të kësaj pasurie nuk janë vetëm ata, që jetuan krah për krah me Të në të njëjtin mision. Janë të gjithë njerëzit, pa dallim, sepse të gjithë, pa përjashtuar asnjë, janë të thirrur ta njohin e kundrojnë Fytyrën e Zotit në fytyrën e atyre njerëzve dhe t’i duan e ndihmojnë ata, që vuajnë në të katër anët e botës: në rrethinat e Kalkutës, të Shkupit, të Prishtinës a të Tiranës, ashtu si në zemrën e metropoleve të mëdha perëndimore.  Ky, pra, ishte programi i thjeshtë, por tronditës, i Nënë Terezës: Jezu Krishti!

Po ç’ gjë të jashtëzakonshme bëri Nënë Tereza?

Nga libri “Nënë Tereza e Kalkutës, Jeta Ime” i José Luis Gonzales-Balado, mes tjerash lexojmё: Njihet nga të gjithë përgjigjja e saj: "Ajo që bëjmë ne, është një pikë ujë e hedhur në oqean, por në se nuk do ta bënim, oqeani do të kishte një pikë ujë më pak".
E në një rast tjetër pati thënë: "Po unë s'kam bërë asgjë të jashtëzakonshme; vetëm kam ndjekur këshillin e nënës sime, që më thoshte: "Shtrëngoja fort dorën Zotit e mos ia lësho më kurrë".

E sot, kur kremtohet njëqind vjetori i lindjes së saj, pyesim edhe: “Çfarë ka ndryshuar gjatë këtyre viteve, kur ajo nuk është më fizikisht në krye të Kongregatës së saj? Nuk ka ndryshuar asgjë, përgjigjet eprorja e sotme, motër Prema, me një thjeshtësi çarmatosëse, sepse të varfërit janë gjithnjë mes nesh e mes nesh është edhe Nënë Tereza, që na la vetëm fizikisht. Ne vijojmë të bëjmë atë, që na mësoi ajo, vijojmë të ecim në gjurmët e saj. U shërbejmë të varfërve, në fytyrën e të cilëve shikojmë fytyrën e Jezusit. Është Jezusi ai, të cilit i shërbejmë në të varfërit, është Ai, që adhurojmë në Eukaristi, ne, kundrueset në veprim. Ne, që pas vdekjes së Nënës themeluese, provuam edhe përvojën e martirizimit: gjashtë nga motrat tona u mbytën në vitin 1998 në Jemen, e më 1999, në Sierra Leone.

E sot, në 100-vjetorin e lindjes së Eprores së parë, Motrat e Nënë Terezës i shprehin mirënjohjen Zotit që e pasuroi Kongregatën e varfër të të varfërve, me gjakun e kuq të martirizimit. Këtë dhuratë e pati kërkuar në lutje vetë Nënë Tereza, si hir të mrekullueshëm, për t’ia kushtuar mbarë Kishës.

Ç’gjë të jashtëzakonshme bëri Nëna e madhe e të varfërve e vijon ta bëjë Kongregata e themeluar prej saj?

Dëshmia e Nënë Terezës dhe e familjes së saj rregulltare, nuk shkëputet nga realiteti, nuk është shumë e lartë, shumë e ashpër, shumë kërkuese, shumë impenjative, për të prekur seriozisht të përditshmen e atyre, që dëshmojnë se janë të krishterë.
Vepra e saj është tronditëse, sepse përfaqëson të vërtetën e Zotit, vënë në jetë me gjithë dashurinë, që mund të ketë zemra njerëzore. E është pikërisht kjo dashuri, që të ndihmon të kapërcesh çdo lloj pengese. Kjo dashuri, që jetohet deri në fund të fundit, duke e lëshuar veten plotësisht në dorë të Zotit.  (Nga libri “Nënë Tereza e Kalkutës, Jeta Ime” i José Luis Gonzales-Balado).

Ashtu si në ditën, kur Nënë Tereza u kthye në shtëpinë e Atit Qiellor, edhe sot, në pragun e 110 vjetorit tё lindjes së saj, t’i thënë “faleminderit” Rregulltares së vogël-të madhe shqiptare e mos tё harrojmё se, në të gjitha udhët e botës, dashuria qё u mishërua nga jeta dhe vepra e Ganxhe Bojaxhiut, në emër të Krishtit e tё njerёzimit, përmblidhet në fjalët e saj: “Fryti i lutjes është feja; fryti i fesë është dashuria, fryti i dashurisë është shërbimi e fryti i shërbimit është paqja".

23 gusht 2020, 13:25