1596485513056.jpg

Populorum Progressio financon 168 projekte për Amerikën Latine dhe Karaibet

Është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Fondacionit dhe Komisionit Vatikanas COVID-19, formuar nga Papa Françesku. Do të përfitojnë 23 vende në Amerikën Latine dhe Karaibe.

R.SH. - Vatikan

Covid-19 nuk e ndaloi takimin vjetor të Këshillit Administrativ të Fondacionit “Populorum Progressio”, i cili u mblodh virtualisht më 29 dhe 30 korrik. Përveç analizës së pasojave të koronavirusit në Amerikën Latine dhe Karaibe, drejtuesit zgjodhën 138 projekte për zhvillimin shoqëror, që kanë si objektiv të kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve të krijuara nga pandemia. Këtyre projekteve, që kanë të bëjnë me bashkësitë dhe me rajonet më të prekura, u shtohen edhe 30 të tjera për ndihma ushqimore, të cilat, tashmë, po zbatohen në terren, pasi u miratuan me procedurë të jashtëzakonshme në qershor.

Shenjë e prekshme e bamirësisë së Papës

          “Përballë kësaj krize të përmasave globale, që po përjetojmë, këto projekte synojnë të jenë shenjë e prekshme e bamirësisë së Papës, si edhe thirrje që gjithë të krishterët dhe njerëzit vullnetmirë të vënë në jetë gjithnjë e më shumë virtytin e bamirësisë dhe të solidaritetit, në mënyrë që, gjatë kësaj pandemie, ‘askush të mos mbetet mbrapa’, siç thotë Ati i Shenjtë, Papa Françesku”. Kështu shkruan Fondacioni në një notë, në të cilën shpjegohet nismat.

          Për 168 projektet, në ndihmë të 23 vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve, Fondacioni bashkëpunon me Komisionin Vatikanas Covid-19, themeluar nga Papa Françesku, si pjesë e Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, por edhe me dikastere e organizma të tjera kishtare. Gjatë mbledhjes, sekretari i Dikasterit, imzot Bruno-Marie Duffè, përmendi frazën e Papës Bergoglio, “nuk është fjala të përgatitemi për të ardhmen, por ta përgatisim të ardhmen”, duke nënvizuar se “bamirësia e Kishës duhet të jetë dëshmi e fesë dhe e shpresës e, solidariteti duhet të na ndihmojë ta shndërrojmë frikën në shpresë”. Për herë të parë, mori pjesë në këtë takim përfaqësuesi i “Manos Unidas”, organizatë katolike spanjolle, që punon edhe në Amerikën Latine.

Populorum Progressio: historia e një misioni

          Fondacioni “Populorum Progressio” për Amerikën Latine u themelua në vitin 1992, me dëshirën e Papës Gjon Pali II, në 500-vjetorin e nisjes së ungjillëzimit të kontinentit amerikan. Ai synon promovimin e zhvillimit të gjithanshëm të bashkësive fshatare (campesinos), të indiosve dhe të afro-amerikanëve të Amerikës Latine. Gjithashtu, dëshmon afërsinë e Papës përmes veprave bamirëse, që realizohen në terren.

05 gusht 2020, 10:19