Kërko

Farmacia e Vatikanit, para ristrukturimit Farmacia e Vatikanit, para ristrukturimit 

Risohet Farmacia e Vatikanit, mision shërbimi e bamirësie për të gjithë

Pas shtatë muajsh ristrukturimi të plotë, Farmacia e Vatikanit kthehet në selinë e saj tradicionale, duke filluar nga data e sotme, 3 gusht. Punimet u kryen për t’i përshtatur ambientet me kërkesat e ekologjisë. Ndër risitë, i ashtuquajturi “smartticket”, një tregues i plotë për gjithçka lidhet me produktin.

R.SH. - Vatikan

Lokalet e Farmacisë së Vatikanit përfunduan ristrukturimin. Pas shtatë muajsh, veprimtaria kthehet që sot, 3 gusht, në pikat tradicionale të shitjes. Pasi u zëvendësuan dyshemetë, tavani dhe ndriçimi, u vendosën katër rrëshqitës të tjerë për shpërndarjen e ilaçeve në mënyrë të robotizuar. Kështu, ilaçet e kërkuara, në 8 sekonda mbërrijnë në duart e farmacistit, që ia jep më pas klientit. Kujtojmë se Farmacia e Vatikanit administrohet nga rregulltarët e Fatebenefratelli-t, të cilët kanë edhe dy spitale në Romë.

Risitë

          Ndër risitë e fundit, përveç automatizmit të shitjes, është aktivizuar edhe “smartticket”. Është fjala për një tregues të plotë mbi produktin: mjafton të inkuadrohet në celular dhe, me një klik të thjeshtë, ilustrohen të gjitha detajet. Janë instaluar edhe vitrina virtuale, nga ekranet e të cilave mund të shihen ilaçet dhe integratorët e ndryshëm, pa pasur nevojë të zënë vend fizik, duke lënë kështu më tepër hapësirë para banakut. Janë eliminuar edhe sirtarët tradicionalë me ilaçe, në mënyrë që edhe vetë farmacistët të kenë më tepër hapësirë lëvizjeje. Aparaturat në dispozicion të farmacisë janë tani të nivelit të lartë për kursimin energjitik, por edhe mobiljet janë zgjedhur, duke pasur parasysh kritere ekologjike. Njëkohësisht, është risuar faqja e internetit e Farmacisë së Vatikanit, e cila, edhe pasi ka kaluar më se një shekull nga themelimi, më 1874, vijon të ecë gjithnjë me hapin e kohës, në shërbim jo vetëm të Vatikanit, por edhe të gjithë banorëve të Romës e të njerëzve të ndryshëm, që vijnë nga e gjithë bota, përfshirë trojet shqiptare. Rregulltarët e Fatebenefratelli-t janë gjithnjë të gatshëm të dëgjojnë problemet e nevojat e të gjejnë zgjidhjet e mundshme.

03 gusht 2020, 10:40