CARDINAL-PAROLINaem.jpg

Parolin: Famullitari i Arsit, zëri, që i bëri jehonë Zotit

Në homelinë e Meshës së kremtuar në shenjtëroren e Arsit, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, solli afërsinë dhe lutjen e Papës, me rastin e festës liturgjike të Shën Gjon Maria Vianejt, figurë që edhe sot, na mëson si transmetohet gëzimi dhe shpresa.

R.SH. - Vatikan

Meshtar, që me thjeshtësi, butësi, besnikëri ndaj sakramenteve, ndoqi vullnetin e Zotit, duke përshkuar kështu rrugën e shenjtërisë. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin e përvijoi në këtë mënyrë figurën e Shën Gjon Maria Vianejt, në ditën e përkujtimit të tij liturgjik. Duke kremtuar meshën në shenjtëroren e Arsit, ku gjenden eshtrat e Famullitarit të shenjtë, kardinali transmetoi bekimin dhe “përshëndetjen e sinqertë dhe të përzemërt” të Papës, atërisht pranë me lutje.

Profeti-rojtar

          Në homelinë, gjatë së cilës përmendi edhe Letrën e Papës Françesku, shkruar vitin e kaluar, me rastin e 160-vjetorit të vdekjes së shën Gjon Maria Vianejt, kardinali kujtoi figurën e shenjtit të dashur për të, sepse ia ka lexuar biografinë që në fëmijëri. “Ndoshta ishte pikërisht ai – pohoi prelati – që ndezi shkëndijën e thirrjes në mua dhe më krijoi mundësinë të kremtoj në Ars, 40-vjetorin e shugurimit tim meshtarak”. Gjatë komentit të leximeve liturgjike, kardinali Parolin kujtoi se thirrja e shën Gjon Maria Vianejt ishte kthimi dhe shpëtimi i mëkatarëve, për të cilët bëri një luftë të paepur kundër të Keqit. U kthye kështu, në “zërin jehonë të Zotit”, duke e përfunduar jetën “me besnikëri e koherencë të plotë” të krishterë.

Thirrjet e shumta meshtarake

Duke u nisur nga Ungjilli i shën Mateut (9,35-10,1), Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi se Famullitari i Arsit “jo vetëm që mori pjesë në pushtetin taumaturg të Zotit, duke shëruar plotësisht njerëzit”, por favorizoi edhe thirrje të reja. Duke përmendur Letrën e Papës Françesku drejtuar meshtarëve, kardinali Parolin nxiti të mos shkurajohemi nga “devijimi” i disa priftërinjve, por të kujtojmë se thirrja është “dhuratë falas”, “krejtësisht e pamerituar”, për t’u pranuar “me përvujtëri e lutje” dhe me falenderime për Zotin. Ndërkaq, me fjalët e Benediktit XVI, kardinali Parolin kujtoi butësinë me të cilën shën Gjon Maria Vianej i trajtonte mëkatarët, duke i orientuar kah udha e Hyjit.

Shkollë shenjtërie

          Të krishterët e vërtetë, pra, duhet të përshkojnë udhën e shenjtërimit. Udhë, që siç na mëson Famullitari i Arsit, është e thjeshtë, pa interes, me synime e veprime të çiltra, me besnikëri ndaj Zotit e ndaj Ungjillit, ndaj sakramenteve të kremtuara e të jetuara. Është “bashkimi intim personal me Krishtin”, që na mbush me gëzim e lumturi, duke na kthyer në kripë e dritë të botës. E mënyra për të ecur në udhën e shenjtërisë, përfundoi kardinali, është të bëhesh dëshmitar i dashurisë së Zotit, si Pajtori i famullitarëve.

04 gusht 2020, 13:14