Kërko

Vatican News
 Miliona të varfër të rinj Miliona të varfër të rinj 

Pandemia: sipas Caritas Internationalis, 100 milionë të varfër të rinj

Kriza shëndetësore globale vijon të krijojë viktima, shoqëruar me emergjencën e rëndë shoqërore dhe ekonomike. Një vlerësim i ri i Bankës Botërore flet për 100 milionë njerëz të rënë në varfëri të plotë, pothuajse dyfishi i atyre, që ishin deri kur sëmundja nuk kish trokitur akoma tek portat tona. Në këto rrethana dramatike, jehon me forcë të posaçme fjala e Papës, “ftesa për mëshirë të krishterë”, për të mos i mbyllur sytë para vuajtjes së të afërmit”. Sipas reflektimit të Caritas Internationalis: duhen marrë masa urgjente për t’i vënë pritë fatkeqësive të reja!

R. SH. - Vatikan

Virusi i varfërisë! Sa herë në këtë kohë pandemie e kemi lexuar a dëgjuar këtë shprehje të frikshme. Ashtu si kemi regjistruar progresin drejt realizimit të vaksinës kundër Covid-19. Tejet e çmuar dhe e nevojshme! Mjekët e shkencëtarët, mbarë bota e kërkimeve shkencore, është prej muajsh protagoniste e përpjekjeve të vazhdueshme për t’ia arritur këtij qëllimi. Lind, atëhere, vetvetiu pyetja nëse klasa politike, bota e punës  e secili nesh, është po aq i angazhuar për të   gjetur një vaksinë të re. Atë, që është në gjendje të shërojë sëmundjen ngjitëse të indiferencës! Siç e ka pohuar shumë e shumë herë Papa, që nga fillimi i emergjencës coronavirus, duhet t’i kemi sytë të ngulur posaçërisht mbi më të varfërit! Më të rrezikuarit! Më të eturit për vaksinën kundër harresës së tyre. Braktisjes, në mjerimin e  ri, që po shton pandemia, mbi mjerimin e vjetër.

Papa: vaksina anti-Covid për të gjithë, posaçërisht për të varfërit

Të shumta janë thirrjet e Papës në këtë drejtim. E fundmja, ajo e audiencës së përgjithshme, të mërkurë, më 19 gusht. Ati i Shenjtë kërkon të veprohet menjëherë për t’i shëruar të ashtuquajturat sëmundje shoqërore,  e për “ të rritur ekonominë e zhvillimit të gjithanshëm të të varfërve, jo asistencializmin. Që të varfërit të mund të jetojnë me frytin e djersës së tyre, jo duke shtrirë gjithë jetën dorën për lëmoshë - qorton Françesku.

Prej këndej - shpjegon Papa - pandemisë i duhet dhënë një përgjigje e dyfishtë. Nga njëra anë është e domosdoshme të gjindet mjekimi për virusin e vogël, por të tmerrshëm, që vijon të gjunjëzojë mbarë botën. E nga ana tjetër duhet mjekuar virusi i madh, ai i padrejtësisë shoqërore, i pabarazisë, i përjashtimit dhe i mungesës së mbrojtjes së njerëzve më të ligshtë. Në këtë përgjigje të dyfishtë  gjejmë zgjidhjen që, sipas Ungjillit, nuk mund e as duhet të mungojë: është kujdesi i veçantë për të varfërit.

22 gusht 2020, 10:58